Sport

Lojërat Olimpike/ Ekspertët sportiv për Report Tv: Medaljet e Kosovës turp për Shqipërinë, në KOKSH nuk ka profesionalizëm

27 Korrik 2021, 16:26| Përditesimi: 27 Korrik 2021, 17:54

  • Share

Në ditën e katërt të Lojërave Olimpike në Tokio, Kosova numëron dy medalje të arta, ndërsa Shqipëria ende s’e ka marrë një të tillë në të gjithë historinë e përfaqësimit. Eksperti i sportit, Artan Shyti në një intervistë për ‘Report Tv’ është shprehur se ky rezultat është i turpshëm për faktin se Shqipërisë dhe sportistëve shqiptar ia ka kaluar Kosova në Lojërat Olimpike.

“Krahasimi me Kosovën është krahasimi më i thjeshtë për t’u bërë dhe për të parë se sa serioz jemi ne. Për të parë se çfarë bëjmë ose më saktë se çfarë nuk bëjmë. Një listë e gjatë të gjërave që ne nuk bëjmë për të marrë rezultat. Është e turpshme. Shqipërisë, sportit shqiptar duhet t’i vijë turp që të kalohet nga Kosova. Duhet të ndalojmë dhe të pyesim çfarë po ndodh”, u shpreh Shyti.

Për situatën e krijuar dy ekspertët sportiv, Arben Shyti dhe Artan Pogoni drejtojnë gishtin nga drejtuesit e shtetit, por edhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Sipas Shytit, Kosova e financon më shumë sportin sesa Shqipëria.

“Sepse përgjegjësia është e drejtuesve që ne nuk marrim medalje. Kelmendi erdhi në Shqipëri dhe kërkoi financim 30 mijë euro. I thanë jo nuk kemi. Kosova menaxhon pasuri, ndërsa ne varfëri. Ne kemi 12 herë më pak para të ministrisë për cilësinë sportive. Federata e Kosovës në volejboll e ka 400 mijë euro buxhetin nga ministria, ndërsa ne e kemi 80”, tha Shyti.

Të njëjtin këndvështrim ka edhe eksperti Artan Pogoni, i cili tha për ‘Report Tv’ se shkaku përse ne nuk kemi arritur rezultate është fakti se sporti nuk investohet. Teksa me ironi akuzoi KOKSH për mungesë profesionalizmi.

“Prej vitesh dëgjojmë se shkojmë për medalje, por akoma nuk e kemi arritur. Shkaku përse nuk e arrijmë është mos investimi në sport. Sport pa para nuk bëhet. Dje për fat të keq po shikoja në sajtin e Komitetit Olimpik Shqiptar dhe ishte kthyer si një stacion meteorologjik. Tregonte për kohën që binte shin ë Tokio. Ndërkohë vazhdojmë takojmë njerëz, ndërrojmë bluze, ndërsa nuk e di nëse e dinë këta që drejtojnë KOKSH-in, ministrja dhe Fidel Ylli, se është një traditë që në fund të Lojërave Olimpike ndërrohen bluzët”, u shpreh Pogoni.

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?