Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj

Lorenc Vangjeli: Tirana zgjohet ndryshe në 15 maj

25 Mars 2023, 18:03| Përditesimi: 25 Mars 2023, 18:08

  • Share

Jemi më pak se dy muaj para zgjedhjeve lokale dhe në kampin opozitar “institucionet vendosën” që PD-ja zyrtare me logo dhe vulë të mbesë “Grupimit Basha” të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili ka drejtimin ‘de jure’ të PD-së, por nuk gëzon mbështetjen e anëtarësisë dhe elektoratit. Nga ana tjetër “Grupimi Berisha” humbi të drejtën e përfaqësimit zyrtar nën logon e PD-së. Si i komentoni vendimet e KQZ-së dhe KAS-it?

Dyshimi fillestar se dy pjesët e PD-së kanë një raport të përmbysur të llojit: njëra ka grup parlamentar, por nuk ka parti dhe tjetra është një parti që nuk kontrollon grupin parlamentar, tashmë është më shumë se bindje e plotë. Një bindje e cila buron jo vetëm nga perceptimi dhe vëzhgimi në terren, nga sjelljet reciproke përballë njëra-tjetrës, por edhe nga rezultati i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit të vjetshëm.

Me të gjitha gjasat, edhe mbas 14 majit, do të vërtetohet e njëjta hipotezë.

Edhe përtej retorikës reciproke, afrimi i datës së garës ka nisur të krijojë një simetri në fjalorin e tyre, një lloj trekëndëshi me dy kulme PD-në dhe Edi Ramën si kulm të tretë. Berisha e Alibeaj e konsiderojnë njëri-tjetrin njëlloj kundërshtar si kryeministrin, madje, meqë armiqësitë brenda llojit janë zakonisht më të egra, turravrapi e kacafytja brenda llojit, është pikërisht e tillë: e egër dhe me përmasat e humnerës që është hapur mes tyre.

Çfarë duhet të kishte ndodhur më parë, ndarja, tashmë është fakt i kryer, por si të gjitha gjërat e vonuara që bëhen në Shqipëri, edhe kjo ka krijuar kosto të tepërta për të dy palët dhe mbi të gjitha, për qytetarët opozitarë dhe sidomos tek të pavendosurit, që edhe kur refuzojnë Ramën, nuk ndjehen të ofertuar të votojnë kundërshtarët e tij.

Në gjithë këtë panoramë të ngjarjeve tashmë të stërnjohura, risia kishte të bënte me ballafaqimin e tyre në procesin e regjistrimit në zgjedhje. Ky është procesi më formal i prologut të zgjedhjeve, por u shndërrua në pikën e ujit që i mbyti të gjithë së bashku. Duket sikur ka një kundërthënie mes dy vendimeve të njëpasnjëshme të Komisionerit të zgjedhjeve dhe KAS. Në formë është kështu. Në thelb, gjykoj, se është ndryshe sepse instrumentat që kanë përdorur këto dy institucione për të mbërritur në vendimmarrjen e tyre, janë të ndryshme.

I pari ka lexuar në mënyrë strikte dhe formale ligjin, tjetri duket se ka pasur një gjykim shumë më politik duke ju referuar, por pa e përmendur, hierarkisë së ligjeve, ku më i larti prej tyre është kushtetuta e vendit. Një opinion i Komisionit të Venecias, katër vjet më parë, përcaktonte periodicitetin e zgjedhjeve si faktorin kryesor që i çonte palët në zgjedhje.

KAS është më pranë të vërtetës së njohur botërisht, realitetit që njeh se cilat janë forcat politike që duhet të garojnë, kurse Komisionerit u kërkua që në harkuan e pak ditëve, të zbulonte atë që vetë të zotët e punës janë të paaftë të gjejnë dhe nuk e gjeti as gjykata: kush është PD e vërtetë. Në këtë rast mjetet juridike janë të paafta të japin zgjidhje.

Kryetari ‘de jure” Alibeaj pasi zyrtarizoi logon dhe vulën ka bërë thirrje për bashkim. A mund të ndodhë që kandidatët e primareve të përfaqësohen nga kjo PD e Alibeajt, apo do të vijojnë të jenë nën koalicionin “Bashkë Fitojmë”, nën drejtimin zyrtar të Ilir Metës?

Ka një paradoks të jashtëzakonshëm në këtë dialog mes llojit që bëhet me ndërmjetësinë e mediave. Një palë fton duke mbyllur derën, pala tjetër përplas derën përballë çdo propozimi që i vjen nga grupimi përballë. Të dy palët – në këtë rast Berisha është më i sinqertë – e pranojnë se ndarja ka ndodhur dhe është reale, por teatri vazhdon.

Njëra bën gjasme se ka ende dritare të hapura komunikimi. Eshtë hipokrizi më e pastër se ari i kulluar, është karrota që sillet si shkop, godet si shkop dhe sillet si shkop. Eshtë shumë më e moralshme që të ndodhë ndarja edhe formale sepse ajo thelbësore ka ndodhur. Agonia e tyre zgjat vetëm jetën e Edi Ramës. Pavarësisht se Berisha është arkitekti i ndarjes dhe shkaku thelbësor i saj, në këtë pikë ai së paku është më i sinqertë kur flet për divorc përfundimtar.

Ndërsa opozita shkon e përçarë në zgjedhje, kryeministri Edi Rama duket se e ka marrë fare lehtësisht çështjen e zgjedhjeve lokale, duke konfirmuar për të rikandiduar 45 kryebashkiakë nga 61 në total.
Përse kjo lëvizje e Ramës, a kemi të bëjmë me faktin që me kryebashkiakët e konfirmuar, Rama po synon që të ruajë boshtin e “të fuqishmëve lokalë”, pavarësisht sesi kanë qeverisur, apo duke parë përçarjen e opozitës i konsideron zgjedhjet si të “fituara apriori” ende pa u numëruar votat?

Përkundrazi, nuk ka asnjë lehtësim dhe marrje me lehtësi të procesit nga Rama. Ka muaj të tërë tashmë që socialistët kanë zbritur në bazë duke bërë fushatë kapilare në terren sepse ata nuk kanë luksin që të humbasin.
Ata janë të dënuar dhe të detyruar të fitojnë sepse në lojë nuk është vetëm konfirmimi apo rikonfirmimi i bashkiakëve të tyre, por vetë legjitimiteti i qeverisjes së majtë që ka hyrë në vitin e dhjetë. Një humbje e parashikuar dhe e paralajmëruar e opozitës përballë Ramës nuk është lajm. I mbyturi nuk ka frikë ta rihedhin në det. Kurse prishja e serisë së fitoreve të njëpasnjëshme të Ramës në këto dhjetë vjet, do të ishte problematike për maxhorancën aktuale.

Këto zgjedhje, së paku sipas parashikimeve që presin të vërtetohen, do të kenë dy pamje edhe sepse kanë dy lloje votimi. Rama do të marrë shumicën e bashkive, në version pesimist dy të tretat e tyre, që do të thotë minimum 40 bashki, por edhe mund të shkojë më shumë duke përfshirë në këto shifra Tiranën e Elbasanin. Votimi proporcional, me shumë gjasa do të ndahet në mënyrë pothuaj matematike. Nga një anë socialistët unitarë me gjysmën e votës popullore dhe nga ana tjetër peisazhi i fragmentuar opozitar me gjysmën tjetër.

Cilët mendoni se janë disa nga bashkitë kryeqore në vend ku PS mund të çedojë dhe opozita të befasojë duke marrë drejtimin e pushtetit lokal?

Për një gjykim përfundimtar duhet pritur të stabilizohen përfundimisht kandidaturat. Aty ku opozita do të ketë më shumë se një kandidat, zyra e kryetarit të bashkisë do të jetë gati mision i pamundur. Duke nisur me Tiranën, është e lehtë të thuhet që gara është e mbyllur pa nisur. Nuk ka histori. Erion Veliaj do ti blatojë fitoren kryeministrit të tij në ditët që ai ka më shumë se kurrë rikonfirmimin si fitues në kryeqytet. Nga pikpamja politike, por dhe një morie arsyesh të lidhura me politikën, por që nuk janë të tilla.

Me të gjitha gjasat, garën e tretë Veliaj do ta ketë më të lehtën, edhe pse normalisht do të duhej të ishte e kundërta. Ai është një nga fare pak personazhet në Tiranë, në të njëjtin rang me trion klasike Rama, Berisha e Meta, që është i aftë që të ndajë opinionin publik më dysh mes atyre që e duan dhe atyre që e urrejnë. Dhe kjo ëshë thelbësore në një ambient tradicional që përjashton çdo hapësirë të ndërmjetme mes gjykimit po bardh e zi.
Gara më interesante do të jetë në Durrës, Korçë e ndoshta dhe gjetkë. Ka më shumë se një bashki, ku situata e të majtës, ndonëse duket e qetë, është inkandeshente. Kandidatë të rikonfirmuar apo kandidatë të zgjedhur rishtaz mund të gjejnë vështirësi serioze për shkak të situatës lokale, marrëdhënieve mes faktorëve lokalë që përfshijnë kandidatët për kryetar, drejtuesit e qarqeve, deputetët dhe zyrtarët lokalë të partisë.

Fieri dhe Saranda janë dy nga këto qytete, edhe pse në letër sociualistët nuk e llogarisin humbjen. Surpriza më e madhe mund të vijë nga Shkodra, ku si asnjëherë më parë, socialistët po hyjnë me modesti të habitshme në zgjedhje, por me ngutin për të dhënë ofertën më të mirë lokale për shkodranët. Shtuar këtu dhe premtimin që në rast fitoreje, do të ketë një marrëdhënie thelbësisht të ndryshme mes pushtetit qëndror dhe atij lokal në Shkodër, kjo ofertë që synon votuesin pragmatik dhe shumë të veçantë shkodran, mund të thyejë mitin e fundit të mbetur nga bastionet e dikurshme.

Deri më tani perceptimi është se PS do të fitojë pjesën më të madhe të bashkive në vend, ndërsa Berisha, Meta dhe dy partitë e tjera aleate do dalin “të dytët” për nga numri i votave ndërsa PD e Alibeajt rrezikon të përsërisë rezultatin e dobët si ato në zgjedhjet e pjeshme lokale të 6 marsit 2022. Nëse është ky konfigurim edhe pas 14 majit çfarë pritet të ndodhë në kampin opozitar?

Duhet të ndodhë ajo që është e udhës të ndodhë, ajo që është më e mira jo vetëm për opozitën, por edhe për vetë shoqërinë shqiptare. Dështimi më i madh i Berishës pas rikthimit të tij spektakolar ishte pikërisht ky: nuk mundi të bashkojë të gjitha frymëzimet në ish-partinë e tij. Ky koagulim mund të ndodhte duke larguar fillimisht Bashën siç ai ishte në gjendje ta bënte dhe më pas, duke u larguar dhe vetë, ashtu siç presin të gjithë të ndodhë, por nuk e thonë.

Në 14 maj nuk ka vetëm një ditë takimi të politikës me votuesin. Ka shumë shenja, një pjesë e të cilave ende të padukshme, pjesa tjetër të palexuara drejt apo të keqinterpretuara, por që paralajmërojnë ndryshime thelbësore në Tiranë. Politika, veç të tjerash, është art i parashikimit dhe në këtë rast për politikën, mund të parashihet se ajo do të ndryshojë. Me shumë gjasa do të ndryshojë në mënyrë radikale. Aktorë të rinj në lojë, një pjesë të ndikuar dhe nga faktorë jolokalë, do ta bëjnë vetë këtë lojë më interesante.

Besoj se do të priten lëvizje nga Rama në pikpamjen e qeverisjes së vendit, nga Berisha, në raport me gjithë opozitën dhe natyrisht edhe nga drejtësia. Çfarë lind nga macja është e destinuar të gjuajë minj dhe bulevardi politik i Tiranës gëlon nga kjo skotë që kufinjtë e botës sonë modeste i mat me vetëm distancën nga bishti tek mustaqet vetjake.

Një gjë është e sigurt. Në Tiranë asnjë gazetar nuk vdes nga mërzia sepse këtu ndodhin më shumë ngjarje sesa mund të konsumohen. Edhe pse për pothuaj secilën prej tyre mund të thuhet: Asgjë e re nga politika në Tiranë. Të njëjtit kuzhinierë që riciklojnë të njëjtën supë pa shije.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?