Ka një bindje dramatike në trekëndëshin Prishtinë, Tiranë e Beograd se përshkallëzimi i konfliktit në Kosovë është vetëm një hap përpara pikës së aventurës. Fatmirësisht ky është vetëm një perceptim. Eshtë formë që ulërin dhe jo përmbajtje që ekziston, është makth alogjik, por jo mundësi reale. Situata në Veri të Kosovës është si një gotë që sado që të mbushet, do t’i mungojë gjithmonë pika e fundit që do të derdhë e thyejë gotën. Nuk ka asnjë arsye tjetër më të rëndësishme sesa garancia ndërkombëtare, që konflikti të mos ndodhë në asnjë rrethanë edhe pse të gjithë luajnë luftash dhe e shohin luftën si një lojë. Sado e çuditshme të duket, asnjë nga palët nuk dëshiron të shkojë në ekstrem. Madje serbët më shumë.
Sado të provokojnë, sado që të vringëllijnë armë e të afrojnë forca në kufi, sado retorikë luftarake të përdorin, ata nuk do të shkojnë kurrë në luftë. Serbët e bënë luftën e tyre në 99-ën dhe e humbën atë. Dhe do të humbasin çdo lloj aventure që do të planifikonin në këtë kufi të skajshëm të NATO-s. Republika e Kosovës, atdhe i një populli krenar që kurrë nuk ka nisur i pari një agresion, nuk ka asnjë interes që të përshkallëzojë situatën.
Forcat asimetrike që duket se ballafaqohen në kufi, në thelb janë të drejtuara ndaj hallesh lokale, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd. Të dy palët e dinë mirë, serbët edhe më mirë, se nuk janë sovrane mjaftueshëm për t’i dhënë udhë marrëzisë dhe për të lënë veten nën pushtetin e marrëzisë. Në Prishtinë e Beograd janë të bindur se nuk ka asgjë që do të shkaktonte më shumë makth dhe dhembje koke në Uashington dhe në Bruksel, sesa një konflikt i mundshëm në Veriun e Kosovës, sa kohë kur në kufirin më lindor të Evropës, në Ukrainë, ka një luftë të egër dy botëshe.
Rrëmbimi i tre policëve të Republikës së Kosovës brenda kufirit, në vetvete është një akt simbolik lufte, por në thelb është një akt i dëshpëruar i Beogradit që në llogari të fundit, do të kthehet padyshim në disfavor të tij. Serbët bënë një llogari të gabuar dhe me shumë gjasa dhanë edhe një dëshmi të qartë të së vërtetës së pandryshuar se kush është agresori dhe kush viktima, kush është i gabuari dhe kush ka të drejtë në moskalimin e konfliktit të ngrirë mes dy vendeve që përtej detajeve, ka vetëm një zgjidhje të mundshme: njohjen reciproke të realitetit të ri gjeopolitik në rajon. Atij realiteti që e sheh Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm.
Faktori politik shqiptar në këtë histori ka mundësi ta vonojë procesin, madje ndoshta edhe ta deformojë atë, por edhe ai vetë është totalisht i pafuqishëm që ta pengojë për gjithmonë. Ky është rasti klasik për të pranuar si të vërtetë aksiomën se në këtë botë, të këqijat nuk vijnë vetëm për të bërë keq. Dhe se turbullirat dhe paqartësitë më të mëdha, sjellin edhe kthjellimet më të mëdha. Ku është hija më e fortë, aty duhet kërkuar dhe drita më e fortë.
Zoti Albin Kurti është duke zhvilluar betejën e tij të jetës. E cila nuk është ajo që shihet, por ajo që mund të hamendësohet, jo ajo që zhvillohet në terren, por ajo që ndodh brenda kostumit të tij. Kurti kryeministër i sotëm është në betejë me Albinin e djeshëm opozitar, romantiku i llogaritur i të shkuarës është në ballafaqim me realitetin e ashpër të të sotmes. Atij i duhet të mposhtë të djeshmen e tij politike si një politikan refraktar dhe konfliktues me detyrimin e zyrtarit që di të negociojë dhe të bëjë kompromise.
Një burrë i fortë në politikë, si rregull, vlen sa shuma e kundërshtarëve të tij. Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës, është përjashtimi fatkeq i këtij rregulli. Kundërshtarët e tij ende të dobët në Prishtinë e të tjerët të prangosur në Hagë, i ka shkëmbyer me një listë mbresëlënëse kritikësh vetjakë nga Parisi në Berlin dhe nga Uashingtoni në Bruksel.
Kryeministri Kurti ka hyrë në një spirale pakënaqësie me dy bashkësponsorizuesit e planit franko-gjerman, Macron e Scholz, emisarët amerikanë për rajonin dhe gjithë atë pjesë të Perëndimit që po ndjekin veprimet e tij me habi e kundërshti, të bindur se nuk vihet në bast gjithë shtëpia për një shami hundësh. Me habi sepse nuk gjejnë arsye në aktet e tij dhe kundërshti sepse nuk i pranojnë ato. Në Perëndim mund të shkelin syrin e të mbyllin një sy, edhe pse mbajnë shënime për gjithçka, por në Perëndim nuk falin politikanët e paparashikueshëm dhe të pakontrollueshëm. Sidomos kur ata ngrihen kundër prioriteteve dhe hierarkisë së problemeve që ata kanë për të zgjidhur.
Edi Rama nuk bën përjashtim nga lista e gjatë e politikanëve që Kurti nuk i pëlqen. Ai e sfidoi Ramën me bërthamën euforike të mbështetësve të tij në protestat e dimrit të 2018-ës, u ndesh me të politikisht edhe në zgjedhjet e 2021-shit dhe tenton të bëjë të njëjtën gjë në vijimësi duke dashur të ketë “primatin” e shqiptarit më të rëndësishëm të Ballkanit. Pjesë e folklorit heroik të së shkuarës, ai gjykon se vetmia e tij prej heroi ku kyç vetveten, e bën të duket hero edhe kur është viktimë e vetvetes. Marrëdhëniet e Republikës së Kosovës dhe komunitetit euroatlantik janë në krizë dhe Shqipëria nuk ka as sovranitetin e plotë që të mos jetë me Perëndimin dhe as luksin cinik që të jetë e baraslarguar nga palët.
Tentativat qesharake për të gjetur lidhje mes Ramës e Vuçiçit, teoritë me heronj e tradhtarë, përfshi këtu edhe vetë Kurtin, janë produkt i një kuzhine që gatuan menynë e vetme qe njeh Tirana: marrëzinë në luftën e brendshme politike. Nuk mund të pritet më shumë. Nuk ka faj kasapi kur këshillon meny vegjetariane, por klientët që vazhdojnë ta dëgjojnë! Fatmirësisht, në këtë kohë që po ndryshon me shpejtësi, as vetë ballkanasit nuk kanë më shansin që të sillen si pronarë të dyqani mishi e në këtë pikë, nuk është fyerje, por meritë e Ramës, kur ja krahasojnë qëndrimet e tij me ato të, fjala vjen, kryeministrit holandez. Siç dhe duhet të jetë, të sillet e siç po sillet!
Kriza e marrëdhënieve më shumë se personale të Ramës dhe Kurtit është e dukshme dhe ato janë krisur gati në pikën e moskthimit. Ato nuk mund të riparohen me aksione personale sepse Rama nuk ka udhë kthimi pas, i detyruar nga statusi i vendit që drejton, kurse Kurti sepse është lloji i politikanit që nuk di të bëjë pas.
Kulmi i tretë i këtij trekëndëshi lokal, zoti Vuçiç, në lojën e përjetshme të trashëguar nga ish-Jugosllavia që sillej si gruaja e Lindjes dhe dashnore e Perëndimit, po bën sot të njëjtën gjë në rrethana të ndryshuara gjeopolitike. Drejtpërdrejt dhe në mënyrë indirekte, Vuçiç po përdor një orientim të dyfishtë ndaj Rusisë, identifikuar si armik i Perëndimit dhe interesave të saj në rajon. Edhe pse vendi i tij është i vetmi në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj zotit Putin, ai ka marrë një rol, sado modest, në luftën kundër Rusisë në Ukrainë. Armatime dhe municione të epokës sovjetike që përdoren në mish rus, po nisen nga Serbia në Ukrainë dhe kjo natyrisht që ndodh me kërkesën dhe lejen e Perëndimit.
Mes shkopit dhe karotës, kësaj here është radha e karotës për Beogradin. Fatkeqësisht, duke ditur të orientohet më mirë në politikë, duhet të pranohet se Serbia ka arritur një fitore në betejat e tij ciklike, pjesë të një lufte që e ka humbur që prej një çerek shekulli.
Nga kufiri në Morinë ku serbët nuk do të kthehen më kurrë, tashmë nuk vijnë më refugjatë lufte si 25 vjet më parë, nuk kalojnë as kolona shprese me ndihmë për vëllezërit e goditur nga tërmeti i katër vjet më parë, por po fryn një erë e akullt ndarjeje e përçarjeje që as vetë serbët nuk do ta ëndërronin të ndodhte. Nga marrëzitë për bojkotim të bregdetit shqiptar gjatë verës, nga trajtimi i Shqipërisë si një vend i tretë në këtë konflikt të ngrirë e deri tek indiferenca e publikut shqiptar për të eksportuar protestë ndaj kësaj fryme të helmuar e kriminale, dy shtetet shqiptare në rajon kanë hyrë në një spirale pakënaqësie reciproke. Qoftë dhe duke u shfaqur përkohësisht ashtu siç do t’i donte armiku të ishin gjithmonë!