Berisha dhe Meta

Lorenc Vangjeli: Berisha e Meta rithemeluan opozitën, por vranë alternativën për në pushtet

19 Gusht 2022, 09:45| Përditesimi: 19 Gusht 2022, 09:47

  • Share

Dy drejtuesit e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë premtuar se fundi i shtatorit nuk do e gjejë Ramën kryeministër, duke shpallur rrëzimin e qeverisë. A ka gjasa të ndodhë dhe a rrezikojnë dy krerët e opozitës që premtimi tu kthehet kundër nëse nuk realizohet? Përse opozitat premtojnë gjithnjë se “në shtator priten ndryshimet e mëdha”? Mbi zhvillimet politike në vend komenton analisti Lorenc Vangjeli.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj vizitën e parë sapo mori detyrën e zhvilloi në Kosovë. Në takimin me homologen Vjosa Osmani u “përplas” për bashkëpunimin ushtarak ndërsa në ditën e dytë pati një incident me kreun e LDK-së. Në optikën tuaj si do të jetë bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri në këtë nivel? Pyetja vjen nga marrëdhëniet që ka Rama me Kurtin?

Më shumë se traditë dhe më shumë se simbolikë, vizita e Presidentit të Republikës në Kosovë ishte një akt normal. Zoti Begaj shkoi në hapësirën shqiptare, të cilën ai e konsideroi si pjesë të të njëjtit komb me dy Republika, në të njëjtën mënyrë që një qytetar nga Prizreni zbret në Vlorë apo një korçar ngjitet në Prishtinë. Një komb dhe dy republika, dy dialekte dhe një gjuhë, ky ishte mesazhi thelbësor i zotit Begaj në Prishtinë, që e konsideroi këtë fakt si hartën patriotike të shqiptarëve me destinacion Brukselin dhe integrimin euroatlantik. Ai tha atë që do të duhej të thoshte presidenti shqiptar në Prishtinë dhe atë që duhet të thotë presidentja e Kosovës në Tiranë sepse ky është thelbi i marrëdhënies mes dy vendeve. Si e tillë vizita as kërkoi dhe as mund të bënte histori, por ishte thjesht vijimi i një kushtëzimi historik e gjeografik, politik e patriotik, pavarësisht historive që i krijon gjeografia, i trazojnë ngjyrat politike dhe i dreqosin patriotët folklorikë dhe mashtruesit patologjikë që daullzojnë pafund në Tiranë dhe në Prishtinë. Formalisht dhe thelbësisht korrekte, dy ditët kosovare të presidentit shqiptar u bënë shkas edhe njëherë për të vënë re sesa larg realitetit është ajo pjesa e zhurmshme dhe jo shumica dërmuese këtej dhe andej rrjedhës së Drinit, ata zëra publikë që rreken të gjejnë berber edhe brenda vezëve të zjera, ata individë që zërin publik që kanë luksin ta përdorin, e bëjnë si një ushtrim vetjak për të lartësuar veten edhe kur nuk ja vlen as barra që mbahet dhe as qeraja që paguhet. Pavarësisht se politika e ditës dhe yshtja djallëzore që ka nisur të vihet re për të krijuar mure virtuale aty ku dikur ishte kufiri që na vunë të tjerët, po tenton të krijojë dallime në identitet dhe diferencë në interesa, vizita ishte konfirmim i asaj që është e pashmangshme: simbioza mes Tiranës dhe Prishtinës nuk është produkt i vullneteve qeverisëse reciproke, por një realitet që ato vullnete mund ta vonojnë e ta deformojnë përkohësisht, por nuk munden ta ndalojnë. Gjakimi për pushtet me çdo kusht dhe provincializmi qesharak që ngjan edhe më komik kur vishet me pushtet, nuk janë risi shqiptare, por kanë nisur të shfaqen dhunshëm në hapësirën shqiptare. Nguti për të gjetur dallime aty duhej luftuar për njehsimin është gjithashtu një krim që për momentin nuk po e shohin as ata që po e kryejnë. Presidentit shqiptar në Kosovë u tentua t’i jepej ngarkesa që as nuk e kishte dhe aq më pak e meritonte. Kritikët e tij e konsiderojnë në mënyrë naive atë vetë thjesht si zgjedhje e Edi Ramës dhe kur flisnin apo gjykonin mbi të, mendonin se po e bënin me Edi Ramën. Edhe mikpritësja e tij, edhe kryetari i LDK-së, besonin se presidenti shqiptar ishte pragu ku nëse trokitej, do të dëgjonte dera e Edi Ramës. Në këtë kurth ranë edhe emra autoritarë e të mençur të medias në Prishtinë që japin qelepir dashuri politike për hir të urrejtjes së të njëjtit lloj. Njëlloj si të ngjashmit e tyre në Tiranë që e duartrokasin Albin Kurtin sepse duan të godasin me gurë Edi Ramën dhe që triumfin e njërit e projektojnë vetëm si dështim të tjetrit. Por Shqipëria e Kosova është shumë më e madhe se dy kryeministrat e tyre dhe pafund më e madhe se gjithë borizanët e dinamitit verbal që nuk mungojnë as në Tiranë dhe as në Prishtinë. Pjesa tjetër është ushtrim korrektësie, fiks ajo që duhet të kalojë nga njëra anë e Drinit në tjetrën. Presidenti shqiptar në deklarimin protokollar përmendi momentet e monumentet njerëzore që krijojnë më së shumti konsensus; Ismail Qemalin e Isa Boletinin, Rugovën dhe Jasharin. Përmendi luftën çlirimtare të UÇK-së dhe çlirimtarët, frymëzimin e përbashkët euroatlantik dhe sfidat e përbashkëta. Ato mesazhe që janë normale dhe si të tilla, nga poterja e zhurmuesve, duket se dëgjohen më pak. Ka një përkitje që mund të duket rastësore mes profesionit të presidentit Begaj me atë të njërit prej pasardhësve të tij, më të zhurmshmit dhe më të njohurit. Me shumë gjasa, dy doktorët do të jenë skajet e një drejtëze dhe i dyti ka shans të zhbëjë sëmundjet që injektoi Doktori i parë në presidencë. Modestia dhe jo kryelartësia, barazlargimi nga palët dhe jo të qenit palë, qetësia dhe jo ulërima do të jenë konstrastët thelbësore të dy njerëzve që nga pozita krejt të ndryshme lanë bluzën e bardhë për t’u ngjitur në presidencë.

Ish- Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL Ilir Meta po bëjnë një opozitë të fortë duke u sinkronizuar edhe në përmbajtjen e deklaratave. A do të ketë ngjarje në shtator që mund të sjellin ndryshime?

Ka një keqkuptim të egër me termat dhe mbi termat. Opozitarizmi i fortë dhe opozitarizmi i duhur shumë shpesh nuk janë e njëjta gjë. Nuk ka pasur opozitë më radikale se ajo e Bashës, i cili sofistikoi opozitën diletante të Berishës në fund të viteve 90-të, por pikërisht ajo mënyrë të sjelluri, ishte më e padobishmja për vetë opozitën dhe gjithë vendin. Djegia e mandateve nuk dogji Ramën, por shkrumboi çdo shans të tyre në 2021-in. Opozita e sotme ka përdorur të gjithë pjesën e poshtme të fjalorit politik. E ka shpallur armik Ramën dhe i kujton revolucionin në cdo hap. E sheh cdo përplasje si betejë finale pa të nesërme dhe duket sikur hyn në një luftë për jetë a vdekje edhe për cikërrima të qeverisjes së përditshme. Për momentin, pakica ka arsye të ndjehet e fituar në betejën e saj të parë: ajo po rithemohet. Berisha e Meta po i japin vendit opozitën e munguar, por me këtë mënyrë sjelljeje, po e vrasin atë si alternativë për të ardhur në pushtet. E vetmja mënyrë për të garantuar triumf, kalon mes shndërrimit të opozitës në një formacion politik normal, tek kohezioni i saj dhe tejkalimi i radhëve të militantëve me afrimin e qytetarëve indiferentë. Asaj shtresës gri që ndjen se politika mban erë dhe që nuk pranon që oferta për të ardhmen e vendit, të vijë nga e shkuara e stërprovuar dhe e padëshirueshme nga bota anglosaksone, SHBA e Britani e Madhe. Tre krizat e njëpasnjëshme të vendit, tre mandatet e njëpasnjëshëm të së majtës, zgjedhjet e gabuara, korrupsioni kapilar dhe perceptimi i shtuar publik mbi të apo sidomos, shpërndarja gjithmonë e më e padrejtë e të ardhurave që burojnë nga prona publike, shpopullimi sot dhe degradimi mjedisor nesër, kanë krijuar një situatë të rëndë pakënaqësie në vend. Baruti është i derdhur kudo nëpër Shqipëri, por Berisha kryesisht, është njeriu që e lag atë. Nuk është ashtu siç besojnë shumë nga ata që e ndjekin pas verbërisht: vërtet Berisha mund të mbushë sheshe me militantë të gatshëm për gjithcka, por ai përzë shume më shumë sesa fton. Dhe për këtë arsye ka për të mbetur sërish pakicë. Për këtë arsye ai do të vazhdojë të jetë Artan Lamja numër dy i Ramës; është drejtori i hipotekës politike që ruan pushtetin e tij. Dy burrat e fortë të politikës nuk kanë nevojë për marrëveshje me shkrim për bashkëpunimin mes tyre: më shumë se nevoja për njëri-tjetrin, ata i bashkon urrejtja përvëluese për Edi Ramën, të cilin veç e veç dhe të dy bashkë, në rrethana të tjera e kanë pasur ose rival të mundur, ose bashkëpunëtor të frustruar. Sot kanë ndryshuar pikërisht rrethanat sepse Edi Rama e ka më të lehtë t’i mundë të dy bashkë sesa vec e vec. Për Berishën, spiralja e izolimit ndërkombëtar nuk ka mbaruar dhe me shumë gjasë, ai si individ do të pësojë të njëjtën shtrëngesë padëshirueshmërie edhe në BE, kurse partia e tij, do të izolohet shumë më thellë, edhe pse kjo nuk do t’i japë asnjë shans më shumë rivalëve të tij dembelë, Basha e Alibeaj. Me Metën historia mund të ketë një kah tjetër në raport me ndërkombëtarët: ndëshkimi i Sali Berishës mund të jetë shansi i tij për të vërtetuar se rrufeja nuk qëllon dy herë në opozitë.

Thuajse çdo opozitë për shumë vite e konsideron muajin shtator si “kohë ndryshimesh”, por koha ka treguar se asgjë nuk ndodh. Përse politika në vend apo opozitat nuk ngjisin për të nxitur frymë qytetare në protesta për padrejtësitë që bëhen? A mund të vijnë ndryshimet me “gusht pushimesh”, “mitingje të sforcuara”, apo “deklarata të përditshme” në media?

Opozita nuk është stinore apo sezonale. Në këtë stinë, opozita do të radikalizohet. Ajo do të jetë më e vërtetë, por sërish do të jetë në mungesë të shndërrimit të saj në alternativë qeverisëse. Mitingjet dhe protestat që do të përshkallëzohen edhe si mjet presioni dhe force, do ta vënë në vështirësi Ramën dhe do ta nxisin atë të bëjë hapa drejt rishpikjes së vetvetes. Duke nisur me bërjen më politike të qeverisjes. Një teknicien, qoftë ky edhe gjeni nga ai i llojit të munguar në Shqipëri, si rregull nuk është ofertë e mirë në qeverisje: ai nuk mban përgjegjësi përveçse morale dhe nuk ka lidhje me votuesin, çka do ta bënte shumë më mirë, gjithashtu si rregull, një njeri politik. Vendi padyshim që ka probleme ngjethëse; amoku i shpopullimit, pabarazia ekstreme dhe gjithmonë në rritje mes të pasurve shumë më të pasur se më parë dhe të varfërve më pak të varfër se dje, mjedisi, por dhe perceptimi për korrupsion të pa ndëshkuar nga një administratë thelbësisht armiqësore me qytetarin, janë thembrat ku çalon Akili nga Tiranë. Por më shumë se këto, debati në Tiranë vazhdon të quajë më të rëndësishëm fatin e Ramës, Berishës e Metës sesa atë të qytetarëve të tyre. Zgjedhjet janë të shumta, por në thelb ato duhet të jenë politike. Dhe sado që të duket utopi, ato mund të kenë shans të tejkalohen vetëm nëse do të ketë paqe e bashkëluftim ndaj tyre. Mund të bëhet sherr për gjithçka, por jo për zgjidhjet që ndikojnë në jetën e të gjithëve. Këtu duhet të ndryshojnë të dy palët. Rama nga njëra anë që mendon se i vetëm mund të bëjë gjithçka dhe opozita nga ana tjetër që vetëm nxin gjithcka. E bashkë me ta, edhe ajo pakicë tarallake që mendon se rokada e emrave është e vetmja zgjidhje. Nuk ka futbollist më të zotin se ai që e sheh fushën nga karrigia e klubit. Duke pirë birra e duke ngrënë patatina, kushdo mund të kërcejë më lart se Ronaldo, mund të driblojë më mirë se Mesi apo të jetë më i shpejtë se Mbappe. E tillë është mënyra reflektive e të bërit opozitë në Shqipëri. Që vetëm mohon dhe paragjykon, por nuk di të pohojë, që është gati të thotë fjalën e fundit në fillim dhe nuk rresht  së përdoruri vetëm sopatën e hanxharin edhe aty ku duhet ndërhyrë me bisturi.

Qeveria gjithsesi është nën akuzë publike kryesisht nga opozita për korrupsion, por nga ana tjetër edhe SPAK ka disa dosje të nxehta teksa po verifikohen zyrtarë të nivelit të lartë, ministra, ish-ministra dhe kryetarë bashkishë. Si lëkundet mazhoranca qeverisëse nga reagimi i opozitës duke mbledhur militantët e saj, apo të pakënaqurit, apo nga sistemi i drejtësisë?

Koha kur paralajmërohej se një aktor i ri po shfaqet në Tiranë, tashmë duket e largët. Dhe në Tiranë kanë nisur t’i bëjnë llogaritë edhe me këtë lojtar të ri që të gjithë e mallkojnë, por të gjithë e kanë frikë, shpresojnë t’u shkatërrojë kundërshtarin dhe i ndruhen kur e mendojnë edhe si faktor elektoral. Por drejtësia mund të krijojë frymën, por ajo nuk mund të jetë arbitri që vendos se kush qeveris.

Rama nga ana tjetër ka vendosur që të heshtë këto kohë, duke tentuar të “injorojë” akuzat e Metës dhe Berishës. Është një strategji e Ramës për të relativizuar deklaratat e kundërshtarëve politik apo në nisjen e sesionit të ri Parlamentar do kundërpërgjigjet me dy çështje: “non gratat” e Berishës dhe dyshimet se Meta mund të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?

Deri në vitin 2013 socialistët ankoheshin se axhendën e tyre përgjithësisht e bënte Berisha. Kryeministri i asaj kohe ishte dy-tre hapa përpara dhe kundërshtarët e tij vetëm se i shkonin pas. E njëjta situatë është edhe sot, kur Shqipëria e ka bërë edhe më të fortë natyrën e saj si republikë kryeministrore. Në këtë muaj pushimesh, Rama ngjan si një pasagjer që pret në stacionin e unazës, i bindur se dy autobuzët opozitarë, Berisha dhe Meta do t’i ndalojnë se s’bën përpara këmbëve në shtator. Ai di atë që e dinë po aq mirë edhe Berisha dhe Meta: radikalizimi i intereson qeverisjeve. Ai është një valvul që shfryn presionin dhe ngop me ajër militantët. Paqja sociale është ajo që nxjerr më në pah defektet e qeverisjeve. Por kjo e vërtetë e thjeshtë, në Tiranën e paduruar ballkanike, ku politikan i fortë dhe i mençur është vetëm robi me helmetë në kokë, helm në gjuhë dhe kopace në dorë, nuk ka gjasë të funksionojë. Dhe as që duan ta bëjë të funksionojë!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?