Krenar. Sfidues. I pushtetshëm. Gjysëm i përulur në tavolinën e Kuvendit, Sali Berisha nuk kishte qenë kurrë më lart se gishti i tij kërcënues që i drejtonte pakicës socialiste poshtë tij. Në krah të tyre, demokratët e shumicës, që edhe pse nuk kuptonin se për cfarë bëhej fjalë, ishin të ekzaltuar nga tonet triumfaliste të kreut të tyre. “Mos i kruani brirët me Bechtel-in!”, paralajmëronte ish-kryeministri që atëherë kishte për kufi të ambicjeve të tij, vetëm kufirin shtetëror të vendit.
Reflektivë dhe mohues si të gjitha opozitat shqiptare, të projektuar të shihnin vetëm zi aty ku qeveria i betohej të bardhës, socialistët nuk e gjenin dot se cili ishte kumti i fshehtë i atyre fjalëve. Për ta ishte një betejë kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të parave publike, njëlloj sic mendonin edhe burokratët e KLSH-së dhe akuza publike. Të parët që kishin zbuluar se procedurat e tenderimit dhe cmimet e faturuara ishin të gabuara dhe e dyta, që e donte fajtor Lulzim Bashën, atë kohë ministër transporti.
Në një vend si Shqipëria ku ngjarjet janë një dramë e përhershme të cilës i ndryshojnë aktet, por jo aktorët, vijimi i historisë ishte parashkruar si hesap takati më shumë sesa cështje fati. Ish-ministri i Berishës, që Saliu njëherë e bëri pasardhës të vetes në parti dhe pastaj u bë vetë pasardhësi i tij, i akuzuar për procedurën e tenderit të rrugës së Kombit, as nuk mbërriti në gjyq për shkak të procedurave. Herë duke u mbrojtur se ajo ishte punë e Saliut dhe herë duke u mburrur se ishte arkitekt i rrugës, me shumë gjasa as Lulzim Basha nuk e kuptonte se cdo të thoshte të ruante brirët e tij nga e kruajtura e gabuar. Kompania e madhe amerikane që më pas do të ndërtonte edhe segmentin tjetër që lidhte dy gjysmat e kombit shqiptar, shkonte vërtet shumë përtej asaj që mund të mendonin ca pak socialistë naivë e të ndershëm në atë kohë apo edhe burokratët e KLSH-së dhe prokurorët e akuzës publike të së njëjtës kohë.
Paralajmërimi i dikurshëm i Berishës ishte monumental. Një aksiomë aq e vërtetë sa edhe vetë Berisha, pikërisht me kumtin e fshehtë të asaj fraze do të donte të shpjegonte dhe përmbysjen spektakolare që i bëri fati në harkun e pak viteve: nga zeniti i politikës në zallishtet më të humbura të saj. Nga kreu i një partie që dukej se ishte e destinuar të rrinte pafundësisht gjatë në pushtet, në një parti që është totalisht nën pushtetin e pasigurisë së të nesërmes.
Në të gjitha rrethanat, qoftë dhe për koincidencë edhe pse nuk është aspak e tillë, në atë kohë, Shqipëria morri njëra pas tjetrës tre lajme të shkëlqyer: ardhja e presidentit Xhorxh Bush në Tiranë që rikonfirmoi aleancën strategjike të vendit me SHBA-në dhe mbi të gjitha, Pavarësinë e Kosovës dhe garancitë për hyrjen nën ombrellën e NATO-s. Nëse suksesi në polikë, ka ekuivalent në para, paratë e shpenzuara për llogari të Bechtel-it në këmbim të Rrugës së Kombit, janë absolutisht paratë më mirë të shpenzuara ndonjëherë nga vetë shqiptarët. Dhe këtë, është mirë ta kuptojnë edhe ata socialistët e djeshëm naivë, që besonin ndershmërisht se Bechtel-i i kishte dhënë rryshfet Berishës për të fituar të drejtën e ndërtimit të rrugës. Natyrisht, pa llogaritur ndonjë kostum për ish-kryeministrin dhe ndonjë kravatë turke për ish-ministrin e tij nga Enka turke që ishte nënkontraktore.
Pothuaj një dekadë e gjysëm më parë, frazën e ish-kryeministrit të atëhershëm, më pak nga të gjithë e ka kuptuar kryetari i sotëm i PD-së. Me një betejë të hapur prej më shumë se një viti me Departamentin Amerikan të Shtetit pas shpalljes së tij Non Grata, Sali Berisha po vazhdon të kruajë brirët e karrierës së tij 30 vjecare pikërisht aty ku nuk duhet. Njëlloj si Enver Hoxha para tij, ai dhe shpura që e ndjek, i kanë shtuar edhe britanikët armiqësisë me amerikanët. Madje britanikwt janw edhe me drastikw ndaj Berishws. Nwse amerikanwt sanksionuan “pensionistin” Berisha, ata shpallwn Non Grata kryetarin e PD-sw Berisha, qw wshtw njw akt shumw mw politik.
Yshtja për të sulmuar anglo-amerikanët me gjuhën komuniste të Hoxhës i bën ata qesharakë në thelb përballë vetes, por një problem real për shoqërinë perëndimore shqiptare. Një problem shumëplanësh. Duke nisur nga më i dukshmi: Përballë salinjve në hall, edhe nën peshën e tre mandateve të njëpasnjëshëm qeverisës, Edi Rama ngjan me një adoleshent të pafajshëm. Përballë njërit si armik i Perëndimit në Tiranë, tjetri ngjan si zgjedhja e vetme nga Tirana për Perëndimin. Njëri me teritalin kinez të Enver Hoxhës, tjetrit ekstavagant me xhinse të grisura dhe atlete; në këto rrethana, shqiptarët kanë pak për të zgjedhur.
Në PD alternativat nuk janë më të mira. Ose të djegin veten për hallin e Doktorit, ose ta lejonë Doktorin që të bëjë betejën e jetës: të mundë egoizmin proverbial të Sali Berishës dhe të tërhiqet së paku nga podiumi.
I mposhtur, i sfiduar, i zhveshur nga pushteti real, Sali Berisha, kryetar i PD-së së sotme, duhet të dëgjojë këshillën e ish-kryeministrit të fundit të PD-së se djeshme: Mos i kruaj brirët…! Sepse si në lojën e famshme italiane të fatit, Gratta e Vinci, e kruara e gabuar, garanton vetëm humbje pa dinjitet. Dhe në këtë botë që nuk udhëhiqet gjithmonë me domosdo nga e mira, vetëm e liga nuk ka kurrë fund!