Gishtat kanë gjuhën e tyre. Veç e veç apo së bashku ata japin kumte të ndryshme në vende të ndryshme. Në shqipen e hershme, për shembull, gishti i madh i dorës, i ngritur lart me një hark të vogël nga jashtë, është ftesa për të vizituar nga maja e tij një qytet të mrekullueshëm si Stambolli, kurse në anglisht tregon edhe dakortësi apo një punë të bërë mirë. Në Greqi, fjala vjen, gishti tregues është një shenjë që kujton kolaboracionistët e kohës së luftës së Dytë Botërore sepse dikur drejtimi i tij tek një person apo banesë, tregonte adresën se ku do të duhej të godisnin nazistët. Gishti i mesit i ngritur lart, me pëllëmbën e kthyer nga vetja, është një shenjë fyese amerikane që e sheh seksin me tjetrin jo si bekim konsensual, por si ndëshkim për dikë që e pëson.
Gishti i parafundit, pothuaj në mënyrë universale i blatohet unazës, kurse gishti i vogël shpesh i kushtohet higjenës “fast” të hundës. Dy gishta bashkë, treguesi dhe i mesit të ngritur lart, janë simbol i lirisë, të pesë gishtat lart janë simboli i tifozerisë katalanase kur Barcelona poshtëroi Realin e Madridit me Pesë me Zeron e famshme, të dhjetë gishtat e ngritur lart në të njëjtën kohë, kujtojnë një të shkuar të dhembshme socialiste, kur dhjetë votat diferencë të Ramës së tyre nuk mjaftuan që bashkia e Tiranës të mos i jepej si prikë me pahir ish-Bashës së ish-demokratëve të 2011-ës.
Në Tiranën e kësaj fushate elektorale vazhdojnë të ngrihen dy gishta lart. Berisha si gjithmonë i pari, Rama që i është bashkuar kësaj shenjë për diversion më vonë dhe shumë me pas edhe Meta, e përdorin simbolin e lirisë për motive të ndryshme. Kësaj tresheje me dy gishta ju bashkua dhe Belind Këlliçi me një poster ekstravagant dhe shumë të diskutuar. Me dy gishta përpjetë në stilin amerikan që ai pretendon t’ja tregojë korrupsionit. Diçka që e kërcënon korrupsionin me një “F… You”! në shqip. Mr. Bean ka një pjesë ikonike në një nga filmat e tij që dëshmon diferencat kulturore mes kombeve të ndryshme. Si britanik ai nuk kuptonte se çfarë do të thoshte për amerikanët gishti i mesit i ngritur lart. Dhe sipas mendjes së tij, ai vazhdonte t’i përshëndeste.
Reagimet në Tiranë për posterin, në përgjithësi anashkaluan thelbin duke u marrë me formën. Në thelb ai poster është një pasaportë elektorale. Vulgar, fyes, tërësisht pa shije dhe një mall budalla importi që në ambientin shqiptar është i neveritshëm estetikisht dhe një gjetje e rëndomtë politike, posteri synon të tregojë një luftëtar të vendosur, por në fakt ka shenjuar një hokatar pa vend. Autorët e këtij kompozimi, me të gjitha gjasat të huaj, kanë dashur të provokojnë dhe në këtë pikë e kanë arritur qëllimin. Bënë zhurmë dhe për Belon tani flasin më shumë sesa përpara posterit. E njohin më shumë sesa më parë. Në këtë kuptim, autorët i kanë hallall paratë që marrin. Por në kuptimin e dobisë elektorale, posteri është bumerang fatkeq, si një gjetje fatkeqe dhe dembele, që godet pikërisht Belon dhe i varfëron votën. Dhe në këtë pikë, autorët e tij duhet të dëmshpërblejnë kandidatin për kryetar bashkie.
Eshtë shumë e vështirë të njihesh në Tiranë edhe nëse interpreton për ditë të tëra muzikë klasike në piano poshtë dritareve të Bibliotekës Kombëtare. Por është shumë e lehtë të bëhesh personazh kryeqyteti nëse për një ditë të vetme, zhvishesh lakuriq duke hipur mbi piano diku poshtë dritareve të Bibliotekës Kombëtare. Këtë tentuan të bëjnë me Belindin: ta hipin lakuriq mbi piano duke e bërë njëkohësisht viktimë të një keqkuptimi fatal në mes të fushatës. Gjetja inteligjente e grupit të tij të PR-it, do të ishte e mjaftueshme ta groposte elektoralisht nëse do të kishte garë dhe një shoqëri normale në Tiranë, por nuk është ky rasti. Posteri mund të shërbejë nesër si alibi për të shpjeguar diferencën e parashkruar në shifra.
Gishtat kanë gjuhë lokale dhe ndërkombëtare. Kësaj here, diferenca kulturale mes shoqërisë shqiptare dhe autorëve të posterit, e solli Belon në rolin e Mr. Bean-it. Belo, për këtë gafë që nuk është e vetja dhe për të mos i ngjarë Mr. Bean-it edhe më tej, i mbetet vetëm të ulë mençurisht gishtat poshtë dhe të ngrejë krahët lart duke thënë: Më falni! Me siguri në këtë mënyrë kundërshtarët e tij do të mërziteshin. Ata nuk duan të kenë njerëz të mençur përballë. Sepse në politikë, njerëzit e mençur tanimë numërohen me gishta.
hajt lenco se i dime qendrimet e tua, nujehere me meten, njenere me ramen, tani me veliaj. kete pune kje ti
Përgjigju