Një pallat në Tiranë u bllokua me shirit të verdhë: Ndal, mos kalo, policia! Si një skenë krimi. Më pas një deputet, kapërceu dilemën e tij për ta përdorur apo jo foltoren e kuvendit për një “çështje personale” dhe tha se policia e Ramës i kishte mbyllur biznesin privat për arsye politike.
Kryeministri e refuzoi një mundësi të tillë. “Jo, biznesi, por u bllokua pallati i ndërtuar pa leje ku zhvillohej biznesi i “ballistit” të foltores”, tha Rama.
Deputeti premtoi se do të ndiqte të gjitha rrugët ligjore në kërkim të së drejtës vetjake, madje deri në Strasburg, kurse kryeministri përmendi edhe njëherë me përtesë “ballistët” politikë dhe historia u shua në heshtjen e paqes sepse betejat e përhershme të përsheshit kaotik shqiptar nuk rreshtin kurrë së krijuari arsye për luftë. Dhe kaq!
Kjo ngjarje nuk është thjesht kronikë. Në thelb ajo është ilustrimi më ulëritës i keqkuptimit fatal me parlamentarizmin në vend në veçanti dhe me politikën në përgjithësi. Ligjvënësi që e konsideron normale që të merret me biznes me mandat parlamentar në xhep dhe kryeministri që e konsideron punë të kryer kur mjaftohet vetëm me disa rreshta ndaj ngjarjes, e kanë lënë vetë ngjarjen në mes të udhës.
Deputeti Agron Shehaj ndoshta e ka lexuar, por jo kuptuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta e ndalon deputetin: “… të kryejë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe të fitojë pasuri të këtyre”. Më tej, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, i cili, tek kufizimet për deputetin, është edhe më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë kur e ndalon atë që “…të ushtrojë veprimtari private, që krijojnë të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtare të çdo forme, …”.
Deputeti, me shumë gjasë një sipërmarrës i shëndetshëm dhe i suksesshëm privat, nuk e pati problem të thotë: “biznesi im”. Pa kuptuar se foltorja ku foli ishte stoli ku hipi sipër me duar të vetëlidhura, kurse kravata që mbante në qafë, në fakt ishte litari që i shtrëngoi vetes me vullnet të plotë. Një vetëvarje tipike në degën e marrëzisë. Me vullnetin e tij dhe përtej dilemave të tjera, ai vërtetoi se ishte në kushtet e konceptit të papajtueshmërisë që lidhen direkt me mbarimin e mandatit. Duke u vetëdenoncuar në kushtet e paligjshmërisë dhe mungesës së moralit politik.
Si një keqkuptim gazmor, më shumë dramatik se komik, deputeti vetë dhe ky episod i shkëputur dëshmon se anormaliteti tashmë mbizotërues duket si gjë normale. Me dhjetëra deputetë të tjerë, në këtë sesion parlamentar e të tjerët pararendës, e shohin mandatin si një mundësi për të bërë biznes. Kryesisht ata të ardhur nga bota e sipërmarrjes, por dhe të tjerë sarafë e tregtarë – Lulzim Basha është personazhi tipik mes tyre – e lidhin qasjen me politikën si sipërmarrje private. Ata janë part-time në atë detyrë dhe përgjithësisht shërbejnë si financues të hapur e të fshehtë qoftë të partive të tyre, qoftë të individëve me pushtet brenda partive. I financojnë si të investonin në biznes, me shpresë që ky investim t’u rikthehet pas kur partia e tyre vjen në pushtet.
“Sutor, ne ultra crepidam!”. Shprehja e famshme, “Këpucar, rri tek këpuca!”, e dy mijë e treqind viteve më parë, sot kujton në shqipe të thjeshtë që secili duhet të bëjë atë që di të bëjë. Tentativa për të kullotur aty ku bari duket më jeshil, herët e a vonë sjell në apel fatin e deles. Që e ushqejnë me bar deri në momentin kur ushqen me mish fatin e kasapit.
Në Tiranë sot ka më shumë politikanë të pretenduar se votues në lista dhe secili nga ta është i bindur se mund të bëjë punën e kryeministrit, kryetarit të opozitës apo edhe zejen e ashpër të politikanit, më mirë se kushdo tjetër. Memecë lozonjarë, analfabetë funksionalë, bejlerë të veckël lokalë që mburren me vota fisi dhe lloj-lloj ngjyrash dhe fytyrash anonime e qesharake listash, firmosin CV-të vetjake duke u paguar për një zanat që e njohin po aq sa pranon cjapi të mbathurat.
Agron Shehaj që nëse e marrin seriozisht, do të duhet të lerë mandatin e deputetit – shumë të tjerë do të duhej ta ndiqnin pas – bën mirë të rikthehet në atë që di të bëjë dhe të mos lejojë më ta gënjejnë para syve e ta qeshin pas krahëve kur e bindin se me para bëhesh edhe politikan. Ai, pavarësisht disa betejave të lëvdueshme të bëra në politikë, është viktimë e kohës, e ambicies përtej mundësive dhe llogarive të gabuara. Ai është një individ i keqkuptuar edhe nga vetja bashkë me dhjetëra të tjerë në atë sallë që kanë qejf ta quajnë tempull. Sot ai tempull i përdhosur ka nevojë për skenën që vizatonte dikur dëshpërimi i Fan Nolit:
Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht’ i ëmbël u ndes dhe u bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dëboj,
Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj”.
Por kështu siç shpresonte dikur Noli, ndodh vetëm në letërsi. Në realitet, Shenjtët e kanë humbur rrugën në Tiranë dhe kamxhikun e mbajnë në dorë vetëm shejtanët. Shehajt me shokë janë vetëm ca shejtanë të vegjël çamarrokë dhe pa të keq.
O Lenci, ja ke thene po kujt ja ke thene! Ne nje vesh i hyri dhe te tjetri i doli dhe tragji komedia shqiptare vazhdon!
Përgjigju