Të enjten në mbrëmje, Gazmend Bardhi e kërcënoi me burg. Të premten paradite, Enkelejd Alibeaj premtoi kallëzim penal për të. Gjykatësi Agron Zhukri u vu nën zjarrin e kryqëzuar nga ajo që ka mbetur nga PD-ja, për shkak të zjarrit që ndezi në një anë të bregut të Lanës.
Arsyeja, që sipas tyre e bën gjykatësin kandidat për në qeli, është vendimi për njohjen ligjore të vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 dhjetor. Domethënë, e thënë me fjalë të tjera, çfarë u brohorit në stadiumin Air Albania, tashmë ka edhe kostumin juridik që do të pasqyrohet në regjistrin e partive politike, që depozitohet po në këtë gjykatë.
Në një vështrim të parë, mbasi ky vendim të marrë formë të prerë, do të rreshtë diskutimi që përdorte deri dje si derë të blinduar statutin e partisë për të mbajtur jashtë kontestatorët e saj. Ka pak shanse që Apeli ku premton se do të ankohet kryetari dezhurn i PD-së Alibeaj, të marrë një vendim tjetër.
Mbas tij, 8 janari i dhunshëm i Berishës tashmë do të ripërsëritet, por në formë të ndryshme. Berisha morri në dorëzim çelësin e partisë që ai kishte dhënë me qera që në vitin e largët 2013 dhe që ai ju rikthye në oborr me tapinë e vjetër në xhep. Por kjo është vetëm dukja. Leximi në këtë formë i vendimit të gjykatës është tmerrësisht sipërfaqësor dhe është vetëm dukja.
Thelbi është krejt tjetër. Ai është ngushtësisht politik. Njëlloj si në 19 shkurtin e 2019-ës me djegien e mandateve, tmerrësisht njëlloj si aëherë, por me mjete të ndryshme, gykatësi ka firmosur mandatin e katërt të Edi Ramës.
Opozita përballë tij mund të jetë gjithçka, por jo një aternativë për pushtetin e tij në Shqipëri. Dhe këtë e dinë të gjithë aktrët kryesorë në lojë. E di Lulzim Basha, që të vetmen fitore që pret është konfirmimi i humbjes së Berishës në zgjedhje, duke nisur që me ato lokalet e vitit të ardhshëm. E di edhe vetë Berisha që flamuri që ngriti mbi Bashën, është edhe e vetmja fitore që mund të realizojë.
Berisha mund të mposhtë Bashën, por do të mundet dorë për dorë nga Rama, qoftë edhe pse shqiptarët e kanë të pamundur të pranojnë në shumicë që oferta për të ardhmen, t’u vijë nga e shkuara e tyre.
Edi Rama pati fatin që duke mos zgjedhur kundërshtarët, të kishte kundërshtarët e duhur. Secili nga ta, duke nisur që me Fatos Nanon e duke vazhduar me Ilir Metën, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, i kanë shërbyer në mënyrën më perfekte, duke qenë aleatët e tij që e ngjitën në pushtet dhe e mbajtën në pushtet. Në labirintin e ngatërruar të interesave vetjake, të zilive dhe xhelozive, të miqësive të përkohshme dhe armiqësive të përhershme, të betejave të stimuluara apo kundërshtive të imponuara, secili nga ta veç e veç dhe të gjithë bashkë, i dhanë Shqipërisë një kryeministër, që përjashto aksidentet, nuk ka më asnjë pengesë tjeër veç vetes për një mandat të katërt.
Natyrisht ministrja e Ramës që permend Zeusin në një filmim të hershëm, nuk ka pasur ndërmend këtë ndeshje të kundërtash mes armiqve të kryeministrit, kur tha se edhe falë “…opozitës ai mund të bëhet monark”.
Pavarësisht kësaj, Rama sot është edhe monarku, edhe oligarku i vetëm në Shqipëri, që mund t’i nënshtrojë vullnetit të tij, vullnetin e gjithkujt në politikë. Rama është individi i vetëm që mund të ushtrojë pushtet, të bashkojë përfundimisht në duart e tij dy pushtete, ekzekutivin dhe legjislativin, sa kohë që alternativa e tij e copëzuar dhe e frustruar, do t’i nënshtrohet vullnetit dhe fatit të në individi tjetër si Berisha.
Të gjithë aktorët e tjerë, përfshi edhe vetë ish-kryeministrin apo presidentin që mezi pret të bëhet “ish”, që vazhdojnë të konsiderojnë, fjala vjen, transferimin e një pjese të sovranitetit të vendit në NATO si fitore të jashtëzakonshme dhe “refuzojnë të falin” sovranitetin e PD-së tek vendi drejtues i NATO-s, do të kuptojnë shpejt se pushteti mbi pakicën, quhet vetëm opozitë.
I vetmi kërcënim për Ramën vjen nga pushteti i tretë në vend, që ka hyrë në lojë si rrjedhojë e vullnetit politik të dy pushteteve të tjera kushtetuese. Vetëm nëse drejtësia shkakton aksidente domethënëse e fatale në rrugëtimin e Ramës, ai mund të jetë i ndërdyshur në mandatin e katërt.
Por edhe ajo, drejtësia, të paktën teorikisht, e ka të pamundur të korrigjojë politikën. Ajo vetëm të gjykojë mbi fakte dhe fate të veçantë individësh nga politika, por jo t’i këmbejë asaj drejtimin. Kësaj here, për shkak të rrethanave të veçanta, drejtësia shërbeu për të ndryshuar një rrjedhë politike në një parti të vetme, por duke kushtëzuar politikën për të paktën disa vjet.
Kështu që, kur Alibeaj dhe Bardhi akuzojnë gjykatësin me burg për vendimin e dhënë, ata duhet të kuptojnë se ai vendim kyçi juridikisht shanset e PD-së për të ardhur në pushtet. Bëri atë që Berisha e di mirë, por jua mban sekret demokratëve. Fitoi ai vetë për llogari të Edi Ramës, por humbën të gjithë.
Edhe ata që prisnin që të humbiste Rama.
Padishau Rama,me Lali Erin etj,i ka bërë si Ali(Ram)Baba me 40 Hajdutët..!..Nuk e voton më as unë e askush prej atyre që e kanë votuar!.. vetëm Kulla,beton...e vish Toka Pronarësh të pa'njeri..e jepja Gazrave si në Dhërmi,e Xhaçkave,etj..që ndërtojnë në emër të investimeve Strategjike të Edvin MegaloHajdutit Megaloman Makjavelist!!!
Përgjigju