Foto ilustruese

Lorenc Vangjeli: Në Ballkan, edhe kur shkëmbehen dhurata, ka frikë, paranojë dhe mosbesim

16 Qershor 2022, 16:57| Përditesimi: 16 Qershor 2022, 17:05

  • Share

Nisma e “Ballkanit të Hapur” ka shënuar disa takime, marrëveshje, por pak përparime përsa i përket përbërjes, duke qenë gjysmak, pasi tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosje Hercegovina ende nuk janë përfshirë në këtë proces. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vijojnë ti bëjnë thirrje shteteve të tjera të jenë pjesëmarrëse, por të tre liderët përkatës ende nuk po bindin palën tjetër. Përse ndodh ky mosbesim?

Në Ballkan ka mosbesim e frikë edhe kur shkëmbehen dhurata. Edhe pse gadishulli kapriçioz është djep i civilizimit perëndimor, Perëndimi si koncept bashkëjetese në diversitet, fqinjësie përtej kombësisë dhe vetë komuniteti mbi kufinjtë e etnitetit, vazhdon të jetë një krijesë e palindur ende plotësisht. Armiqësitë e vjetra të trashëguara nga e shkuara, armiqësitë e reja që i projektohen të nesërmes me arrogancën që kanë të fortët e përkohshëm të kësaj pjese të botës, e bëjnë Ballkanin ekzotik, por por jo etik në politikëbërje. Feudalë të vegjël në politikë, në vende edhe më të vegjël sesa koka e gjilpërës me kokë në hartën e botës, drejtuesit e këtyre vendeve, në vite e kanë menduar veten si qendër të të gjithë botës. Këta janë ata që e mbajnë Ballkanin e mbyllur sepse hapja e tij, herët e vonë do të mbyllte kohën e tyre. Nëse shihet jo me ndonjë vëmendje të psaçme, kuptohet lehtë se dallimet janë mes drejtuesve të vendeve, diferenca që nuk kanë nisur dje, por që nuk do të mbyllen as nesër.

Qytetarët ballkanas kanë një marrëdhënie krejt tjetër me njëri-tjetrin. Nuk ka asnjë problem që një shqiptar të kërcejë valle greke në një dasmë në Shkup, që një kosovar të blejë mallra serbe dhe një kroat të ketë fëmijë nga nënë bosjnjake, pavarësisht retorikës luftarake që përdor një pakicë e zhurmshme në të gjitha këto vende. Shembja e Ish-Jugosllavisë, ky lajm i mirë edhe për vetë sllavët e jugut, luftërat e tmerrshme që shoqëruan abortimin e asaj krijesë artificiale, janë ende pjesë e kujtesës dhe kanë ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm në të sotmen e trazuar. Sllovenia në fillim, pastaj Kroacia dhe kulmimi i tragjedisë, në rend kohor në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovën martire, janë stacione gjaku që duan kohën e tyre që të kalojë, por pa u harruar. Por përtej harresës, përtej ndëshkimit të genoicidistëve, bashkëjetesa është udha e vetme dhe me një sens nëse këto vende do të duan të nesërme më të mirë për popujt e tyre. Jo kushdo e kupton këtë dhe zakonisht politika jeton më mirë në kushtrime alarmi sesa në ushtrime paqeje. Në luftë edhe idiotët janë të dobishëm, kurse paqja është instrument vetëm i të mençurve. Paqja është zeje e vështirë, është më e vështirë se kufta. Dhe kur, sa për të marrë një shembull, Gjermania dhe Franca, mundën të ndërtojnë ura komunikimi mbi lumejtë e gjakut që kanë derdhur, atëherë Ballkani do të duhej ta bëjë me dosmosdo.

Në Shqipëri, por edhe Kosovë apo Malin e Zi, druhen se kjo nismë pa një mbikëqyrje ndërkombëtarë, të BE-së apo Berlinit zyrtar, nuk do të ketë sukses dhe për më tepër favorizon Serbinë, sidomos në aspektin ekonomik. A janë me bazë këto dyshime? Kujtojmë që Serbia është prodhuesja më e madhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu protagonizmi politik i dyshes Rama-Vuçiç është i dukshëm në këtë drejtim.

Është ende e paqartë, së paku jo për opinionin e gjerë se cila është fatura ekonomike që duhet të paguajë çdo vend dhe cili është përfitimi konkret që sjell procesi. Serbia, autore e katër luftërave të fundit evropiane në Ballkan shihet me dyshim, shpesh jo të pabazë dhe gjithshtu, edhe me paranojën, që shpesh shoqëron të sotmen e rajonit. Eshtë një histori shumë komplekse, e cila në fund derivon në një pikë: nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë në rajon sa kohë një gjë e tillë nuk realizohet mes shqiptarëve dhe serbëve. Sa më shpejt ta kuptojnë serbët, që ata të parët duhet të ngrihen mbi frymëzime arkaike nacionaliste, aq më mirë do të jetë për të gjithë dhe për ta gjithashtu. Binomi drejtues i kësaj nisme, nëse mund të quhen të tillë Rama dhe Vuçiç, janë treguar më të shkathët se të tjerët; ata e dinë se vëmendja mbi rajon nga Brukseli dhe Uahsingtoni zgjat vetëm pak çaste dhe lajm është bashkëpunimi dhe jo armiqësia. Për të kujtuar edhe njëherë mençurinë e grekëve të vjetër: “Kërko dhe gjej arsye edhe tek armiku më i egër sepse edhe ai do të bëjë të njëjtën gjë me ty!”, kjo është ajo çka po bëjnë ata të dy. Dhe në këtë drejtim, pavarësisht motiveve jo gjithmonë paralelë, Rama dhe Vuçiç po përpiqen të gjejnë arsye tek njëri-tjetri.

Duke u përfshirë në gjeopolitikë. Nëse vihet në zbatim projekti i “Samitit të Berlinit” që në ide është thuajse identik i ngjashëm me “Ballkanin e Hapur”, a do binden tre shtetet e tjera për tu bërë në bllok të gjashtë vendet? Gjithnjë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare?

Ballkani ende ka nevojë të jetë një hapësirë evropiane. Dhe për këtë shkak, për shkak të mosbesimit të thellë dhe paranojave afatgjata që shoqërojnë marrëdhëniet reciproke të vendeve mes tyre, garancitë euroatlantike janë një domosdoshmëri. E thënë ndryshe, Ballkani e ka tmerrësisht të vështirë të jetojë vetëm.

Së fundmi kancelari gjerman Olaf Scholz vitoi disa shtete të Ballkanit, por në asnjë moment nuk përmendi “Ballkanin e Hapur”, duke lënë të kuptohet se është ende në fuqi “Samiti i Berlinit”, i nisur nga ish-kancelarja Angela Merkel. Gjithashtu ai e bëri të qartë se Serbia duhet të njohë Kosovën për të vijuar më tej procesin e integrimit. Nëse gjashtë vendet bëhen bashkë në idenë e “Ballkanit të Hapur”, apo edhe më ndryshim emri “Samiti i Berlinit”, a do jetë më e mundëshme edhe zgjidhja e problemeve politike dhe etnike sidomos ndërmjet Serbisë dhe Kosovës?

Ky është një proces që duhet të ishte mbyllur dje. Fraza monumentale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti: “Të ndihmojmë Serbinë që të çlirohet nga Kosova!”, është një e vërtetë e epërme që sa më shpejt të kuptohet në Beograd, aq më mirë do të jetë për vetë Beogradin. Kosova është një realitet gjeopolitik që vetëm ata që ngrysen me makthe dhe flenë gjumë me mite shpesh të rreme, ata që festojnë humbjet dhe sillen si viktima, nuk duan ta pranojnë. Ndaj, në këtë kuptim, lufta e fundit në Ballkan, e pesta në 30 vjetët e fundit, po ndodh prej vitesh pikërisht në Beograd. Një luftë mes nacionalizmit brutal, arkaik dhe zhurmëmadh dhe racionalitetit të heshtur, që është ende një shumicë në rritje, por më e heshtur. Gjermania, Franca, Britania e Madhe apo edhe vetë Shtetet e Bashkuara, kanë në linjën e tyre të mendimit politik se diplomacia e mençur është më e fortë se ushtria. Dhe forcën e ushtrive të tyre, ende e kujtojnë në Ballkan të gjithë ata që trashëguan luftën si pronë tek e sotmja dhe të gjithë ata që mendojnë se trashëgojnë marrëzitë e së shkuarës. Vetëm budallenjtë dhe naivët kuptojnë nga gabimet e tyre, të mençurit mësojnë nga gabimet e të tjerëve.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?