Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Lorenc Vangjeli: Në PD do të humbasë edhe fitimtari

1 Dhjetor 2021, 13:02| Përditesimi: 1 Dhjetor 2021, 13:04

  • Share

Në Partinë Demokratike pritet zhvillimi i dy Kuvendeve, një i Berishës më 11 dhjetor dhe tjetri i Bashës më 18 dhjetor. Kush mendoni se do të fitojë dhe kushdo që do të konfirmohet, a e shpëton PD-në nga përçarja?

Ky është rasti klasik ku cilido qoftë fitimtari, ai është humbës. Qoftë Basha i rikonfirmuar, qoftë Berisha i rikthyer, ata do të jenë humbës. Sepse në opozitën normale, beteja nuk mund të jetë brenda për brenda partisë, por në mundësitë e shtuara për të ardhur në pushtet. Kështu që humbësit janë të paradeklaruar dhe janë të dy B-të e PD-së. Humbës janë edhe demokratët idealistë që po shohin sesi partia e tyre po bëhet gjithmonë e më e vogël dhe pushteti gjithmonë e më i largët. E humbur është shoqëria shqiptare në përgjithësi që po i tretet një copëz nga historia e saj, që ka ndikuar fort në historinë e saj si PD-ja dhe po kështu, ka humbur edhe qeverisja e Edi Ramës. Me një opozitë më të dobët, më të frustruar nga kriza e saj e brendshme, qeverisja bëhet gjithashtu më e dobët dhe drejtimi i saj më autoritarist, më unitar dhe me shumë më pak shanse për t’u qortuar. Ka shumë gjasa që të ketë vetëm një kuvend. Ose më saktë, duke u nisur edhe nga shifrat, vetëm një miting partiak. Dhe meqë ustai i mitigjenve e ka zënë datën 11, mund të jetë vetëm një miting, ai i datës 11 dhjetor. Debati që bëhet për vulën dhe logon, më pas do të ketë gjithmonë e më pak kuptim. Eshtë njëlloj sikur dikush të gjejë tjetrin në shtratin e tij, në shtëpinë e tij dhe t’i thotë se çertifikatën e martesës e mban në xhep dhe nuk ja jep. Një parti politike nuk është një vendim gjykate. Një parti politike është frymë dhe moral. Edhe pse vjen si ofertë nga e shkuara, edhe pse është shenjë tmerrësisht e ligë, e dëmtuar në moral dhe me një lëvizje me moral të dyshimtë, e nesërmja e afërt së paku e PD-së, do të ketë sërish portretin e Sali Berishës. Basha i cili është sjellë gjithashtu si Berisha, madje duke e tejkaluar atë në radikalizmin e tij të paprecedent, dëshmoi se edhe kopja e përsosur humb përballë origjinalit. Në të kundërt, të gjitha momentet e lavdisë së tij vetjake në politikë, kanë qenë vetëm atëherë kur ai është treguar vetvetja. Edhe pse për të gjetur një të tillë, duhet zbritur pas në kohë të paktën dhjetë vjet, në zgjedhjet lokale për Tiranën. Basha u bë kryetar bashkie edhe pse ai u dëshmua se ishte një portret ndryshe në PD, një portret delikat në atë mozaik përgjithësisht të dhunshëm.

Mbështetësit e Bashës prisnin nga SHBA një përkrahje më të madhe, duke shpresuar edhe të bënin publike një pjesë të “dosjes Berisha”, për të cilën ata e shpallën “non grata”. Përse nuk ka ndodhur deri më tani dhe a mendoni se mund të ketë surpriza nga Uashingtoni pak ditë para 11 dhjetorit?

Nuk mund të ketë mbështetje më të madhe se ajo që kanë dhënë amerikanët në të gjithë këtë proces. Por, për të përsëritur dhe për të perifrazuar për aktin e tyre një shprehje të Heroit tonë Kombëtar, Skëndërbeut, amerikanët dhanë shpatën, por nuk mund të japin krahun. Ata afruan mjetin, por përdorimin e saj duhet ta bënin aktorët lokalë. Basha bëri veprimin e duhur me largimin e Berishës dhe me distancimin e partisë së tij nga çdo tendencë antiamerikanizmi, por e bëri në kohën e gabuar dhe në mënyrën e gabuar. Ai nga një anë e ngriti në qiell kontributin e Berishës, në anën tjetër e përjashtoi nga grupi. Basha dëshmoi se zbatoi një “urdhër” amerikan, por jo se e besonte atë. Për të gjithë ata që mendojnë se pafuqia e tyre mund të ketë aleat të vetëm amerikanët dhe se amerikanët do të fitojnë për llogari të një pale beteja qesharake lokale në Tiranë, ky është një leksion i jashtëzakonshëm. Njëlloj siç është leksion edhe për atë fashë tronditëse në shoqërinë shqiptare, që në rastin më të mirë bën betejë kundër SHBA-së duke tundur flamurin e SHBA-së. Neokomunistë dhe anarkistë dhe mes tyre, edhe një grup në rritje ngjyrash absurde me sovranistë e egocentristë, po fitojnë gjithmonë e më shumë zë publik duke kundërshtuar anglishten zyrtare të SHBA-së. Të pranosh se interesat e një vendi me peshë të papërfillshme në botë si Shqipëria, përputhen me ato të SHBA-së është një ushtrim elementar gjeopolitik. Kush bën ndryshe, në rastin më të mirë, nuk kupton dot më shumë. Fatmirësisht, kjo karikaturë e të shkuarës shqiptare e frymëzuar nga Hoxha, nuk gjen shumë kisha e xhami për t’u falur në Shqipëri.

Krahas përçarjes së partisë më të madhe opozitare, duket e sigurt edhe përçarja e “bllokut opozitar”, ku LSI ka nisur sulmet ndaj Bashës, por futja në lojë e Berishës mund të ndryshojë edhe qasje tjetër. Nëse Berisha arrin të marrë “vulën” e PD-së, a pritet që LSI me rikthimin e Metës ti bashkohet “frontit opozitar” duke pasur dyshen Berisha-Meta në drejtim?

Drama në PD nuk është mundësia për ta bërë partinë më të madhe se kryetari, por kërkesa absolute për ta bërë opozitën më të madhe se partia. Sot PD-ja legale ka marrëdhënie të këputura me LSI-në dhe me të gjithë aleatët e saj. Sot PD-ja është shumë më e vogël sesa kundërshtarët e Edi Ramës që janë shumë më shumë jashtë politikës. Kush do të mundë t’i mbledhë ata nën një flamur, mund të ketë shanse për të qenë fitues. Qoftë Basha që është një humbës serial tashmë, qoftë Berisha që iku si një i mundur tetë vjet më parë, e kanë të pamundur të afrojnë kohezion në opozitë. Rikthimi i Metës mund të bëjë një opozitë më të fortë, më të zhurmshme, por vështirë se mund ta rrisë në masën kritike për të mundur Ramën.

Deri më tani Rama ka mbajtur qëllimisht një “qëndrim neutral”, duke mos komentuar shumë zhvillimet në PD. Është komod teksa sheh përçarjen, apo po pret zhvillimet për të ndërmarrë nisma? Nëse Berisha nis të forcohet në PD, a mund të kemi një bllok Rama-Basha, kundrejt Berisha-Meta?

Për momentin Rama nuk ka nevojë për Bashën. Madje ai do të ishte edhe më shumë komod nëse atë e zëvendëson dyshja Berisha-Meta. Nuk do të fitonte absolutisht asgjë nëse strehonte në aleancë Bashën. Kështu siç po rrjedhin ujrat, Basha nuk do të arrijë me shumë gjasa as në Kuvendin e 18 dhjetorit. Ndoshta kjo do të jetë një mënyrë për të shmangur një kurs tmerrësisht të rrezikshëm përplasjeje e ndoshta edhe dhune në PD, pasojat e të cilës, do t’i vuante gjithë shoqëria shqiptare./ Gazeta "Fjala"

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ylli: 01/12/2021 14:33

    Po ne cmenyre e lexon "neutralitetin" e Rames kur gjendja ne PD eshte pasoje direkte e konspiracionit te tij me teveqelat e DASH? Apo meqe drekat dhe darkat me vere 2000 euro shishe nuk i paguan me Toma por Lluca?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?