Flamuri ukrainas dhe shqiptar

Lorenc Vangjeli: Një trekëndësh mrekullie, fëmijët shqiptarë për Ukrainën, Ms. Dana dhe Shën Agustini

3 Mars 2022, 22:38| Përditesimi: 3 Mars 2022, 22:42

  • Share

Një postim në Facebook i Ministrës së Arsimit tronditi botën e patriotëve dhe puritanëve të internetit. Ato ishin disa piktura fëmijësh të mitur që luteshin për paqen në Ukrainë, që dëshmonin sesi kishte mbërritur edhe në botën e tyre të vogël klithma e luftës dhe sesi ata afronin atë solidaritet të miturish me moshatarët e tyre që fati, me portretin e Putinit dhe muskujt e Rusisë, po i ndëshkonte me raketa. Një diell si glob që ndriçon prindin me automatik e flamur në një dorë dhe fëmijën në krahun tjetër, flamuri shqiptar dhe ai ukrainas të stilizuar si dy duar që zgjaten drejt njëra-tjetrës, pëllumba me ngjyrat kombëtare ukrainase apo edhe mbishkrime fëminore që i drejtohen zotit Putin: dëgjoji lutjet tona! Këto ishin pikturat e “firmosura” nga Adea, Kevin, Mila, Luna, Arbi, Kataleya, Arli, Nikol, Zeljo, Klensi dhe Rian, nën sloganin: Fëmijët shqiptarë luftojnë për paqen! Bashkë me të edhe hashtagu EdukojmëFëmijëtMePaqeDheDashuri.

Në një shkollë ndërkombëtare, Miss Dana, një libaneze e hirshme nga Bejruti, Liban, që me siguri ka pasur shumë takime me luftën në jetën e saj, ju drejtohet nxënësve të saj: Dear 4B Family. Dhe ju tregon për një listë me sende të ndryshme që mund të jenë të dobishme në Ukrainë. Një listë që nis që me furçat e dhëmbëve, batanijet, jastëkët e deri tek fashot mjekësore apo bateritë. Eshtë kjo një inisiativë që ka përfshirë dhe shkolla të tjera në Tiranë dhe gjetkë dhe ka shkundur indiferencën e shumëkujt duke bërë një efekt të papritur në botën kapriçioze shqiptare: ka relativizuar ankesat e përhershme për të përditshmen dhe i ka dhënë një sistem krahasimi krejt tjetër. Cinikët dhe miopët kanë tashmë një mundësi për të kuptuar se çfarë është vërtet e liga. Çfarë është realisht e liga e vërtetë që sjell lufta e vërtetë.

Eshtë e pamundur që fëmijët të mbeten jashtë këtij karuseli të çmendur dhembjeje. Fëmijët që qajnë në Ukrainë janë binjakët e kosovarëve të vegjël të çerek shekulli më parë. Janë gjithashtu vëllezër binjakë me ca fëmijë rusë që tronditën botën kur u xhirruan mbas hekurave të qelive mbasi i kishte arrestuar policia në protestat antiluftë në Moskë dhe gjetkë. Nëse këta fëmijë të tre kombeve të ndryshme do t’i linin bashkë, edhe nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit do të merreshin vesh për mrekulli. Sepse ende nuk kanë mësuar gjuhën e konfliktit të të rriturve. Një konflikt që derdhet me lumenj vreri e tmerri, urrejtjeje dhe ligësie në rrjetet sociale në Shqipëri. Shumë nga ata që ju vërsulën postimit të ministres së arsimit janë politikanët “fastfood” të anonimatit dhe i goditën indirekt piktorët e vegjël duke mallkuar direkt ministren. Herë duke e goditur me heshtën e patriotizmit, mësoju fëmiujëve dashurinë për Shqipërinë në fillim se Ukraina është larg; herë duke e prerë me shpatën e moralistëve, mos i përdorni fëmijët për politikë; herë duke e grushtuar me bisturi psikologësh, mos i përfshini fëmijët në çështje gjeopolitike; dhe herë tjetër duke e ekzekutuar me breshërinë e të pakënaqurve të përhershëm, shih të mbarosh Sami Frashërin se shkollat e tjera i kemi larg!

Problemet në Shqipëri janë të pafundme, por Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë se sot, edhe pse është pafundësisht më keq sesa do të duhej të ishte nëse do të ishte qeverisur mençurisht dhe ndershmërisht, së paku në tre dekadat e fundit. Arsimi gjithashtu ka probleme të pafundme, por për të arritur tek e vërteta që asnjëherë nuk është e vetme dhe e pandryshueshme, duhet zbuluar sistemi i duhur i krahasimit. Nëse fëmijët shqiptarë kuptojnë dhembjen që shkaktojnë raketat ruse mbi Kiev, ata do të mësojnë të mos këpusin lule në Tiranë dhe t’i hedhin mbeturinat në kosh. Nëse e bëjnë sot një gjë të tillë, nesër me siguri do të ndëshkojnë vendosmërisht gjyshërit dhe prindërit e tyre që janë sjellë me Shqipërinë më keq se pushtuesit më të ligj të saj. Do të kuptojnë se marrëzia e pashtershme kolektive në këtë vend ka pasur portretin e zotit Putin, ashtu siç e shohin atë sot fëmijët ukrainas. Sikur edhe kaq të kishin kuptuar të rriturit nga leksioni i pafajshëm i fëmijëve piktorë, do t’ja vlente të ulnin kokën. Nga turpi. Dhe më tej akoma, nëse Shën Agustini do të kishte Facebook, i lemerisur nga kjo sjellje shqiposh, me siguri do të shkruante frazën epike që ka shekuj që ja citojnë në mënyra të ndryshme, por pa ja ndryshuar thelbin: “Nuk kam njohur pisllëk më të madh se mes puritanësh”! Një thelb që vlen edhe për moralistët, për të mençurit e anonimatit dhe gojët e liga, të gatshme të mallkojnë gjithkënd dhe gjithçka, si një revansh për dështimet e tyre vetjake.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?