Grida Duma dhe Jorida Tabaku

Lorenc Vangjeli: Burri që i është bërë barrë PD-së, peliçet e Gridës dhe dosja e Joridës

8 Mars 2022, 20:19| Përditesimi: 8 Mars 2022, 21:25

  • Share

Njeriu i fundit në Partinë Demokratike që nuk e ka kuptuar ende se kryetari legal i saj ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, është vetë Lulzim Basha. Por edhe kjo është çështje kohe deri sa të ndodhë realisht. Agonia e zgjatur, që herët a vonë do të përfundojë po në këtë formë, nuk i bën mirë as atyre që presin dorëzimin e çelësit të derës, as atyre që po rrinë mbas dere me shpresë se do të marrin çelësin për vete dhe as vetë njeriut që e kapërceu atë prag dere në vitin e largët 2013, si një premtim për politikë ndryshe dhe që u soll në mënyrë tmerrësisht identike me pjesën më të keqe të politikës shqiptare në vite. Asaj pjese thelbësore të saj që e sheh pushtetin jo si mjet të nevojshëm për të realizuar qëllime të mira, por si qëllim të vetëm drejt të cilit mund të shkohet edhe me mjete të liga.

Eshtë vetëm çështje kohe deri sa Lulzim Basha të paketojë pjesën e fundit të dinjitetit vetjak që i ka mbetur mbas serialit të pandalur të humbjeve dhe të largohet për të hapur garën në PD. Ndryshe, njeriu që pretendon se aktin e parë politik e ka bërë me pantallona të shkurtëra, në 20 shkurt 1991, me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, do të mbetet përjetësisht burri me pantallona të shkurtëra i politikës shqiptare, burri që i është bërë barrë PD-së dhe që do të ketë fat statuje në oborrin e SHQUP-it. Do të kujtohet si Piter Pani që nuk arriti të spikasë as në mes asaj valange qesharake me politikanë Fast Food-i, me identitet të rremë dhe rëndësi imagjinare që i japin vetes. Nga ai tip personazhi që ndryshon njëri nga tjetri vetëm nga kravata dhe spikat mbi tjetrin vetëm nga fustani.

Të sulmosh sot Lulzim Bashën është mëkat! Është njëlloj si t’i grabisësh jetimit bukën nga goja. Pikërisht bukën nga goja tentuan t’i rrëmbejnë dje kryetarit legal dhe formal të partisë, pothuaj të gjithë deputetët e grupit të tij parlamentar. Një pjesë e madhe e të cilëve, ishin emra totalisht të panjohur për publikun, një pjesë tjetër që ishte fshehur prej muajsh në xhepin e pasëm të pantallonave të shkurtra të Lulit dhe ca pak të tjerë që u dhemb opozita. Ata i binin Bashës që t’i dëgjonte Berisha. Kërkuan hapjen në mënyrë legale dhe formale të garës në PD. Është e pabesueshme sesa shpejt do të rrokullisen ngjarjet në këtë drejtim, me gjasë shoqëruar edhe me shmangien e Sali Berishës nga gara e shtyrë e 22 marsit.

Ka shumë mundësi logjike, që ideja e nevojës për një periudhë tranzitore në drejtimin e PD-së, për krijimin e një këshilli drejtues prej pesë vetësh, do të fitojë shumë më shumë terren nesër, si e vetja linjë logjike që ndihmon në rimëkëmbje; një këshill i ngritur sipas parimit latin, “I parë mes të barabartësh”, është zgjidhja e vetme mes oreksesh që janë deklaruar si uri për karrierë. Kjo mënyrë që socialistët e kanë përdorur në vitet e zymta 90-të, kur partinë e drejtonin nënkryetarët sepse kryetarin e kishin në burg politik, vlen edhe për demokratët që sot për sot, kryetari i të cilëve vazhdon ende të jetojë në një botë paralele dhe jo reale.

Që tani ka nisur të shfaqen zërat që kërkojnë të ndërtojnë identikitin e kryetarit të ardhshëm të PD-së. Dy kandidaturat e vetëshpallura jo me zë, por me ambicie, jo me akte, por me shpresa, janë përfaqësuese të dy linjave mjaft të tensionuara në PD. E para, Jorida Tabaku nënkryetare e PD-së dhe Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm nga njëra anë dhe nënkryetarja tjetër Grida Duma dhe Ervin Salianji nga ana tjetër. Në thelb, ideja nuk është e keqe: Ramën e mund vetëm një grua, për momentin! Rama mundet vetëm duke qenë ndryshe prej tij. Një portret femëror në krye të partisë, do të ishte vërtet një investim i mençur për të shmangur atë turmë të pafundme që popullon oborrin e PD-së, me burra që sillen si gra dhe gra që imitojnë burrat në sjellje, siç thonë gjithë ligësi e pa të drejtë cinikët brenda vetë PD-së për Bardhin dhe Salianjin.

Pavarësisht të gjithave, kryetari post Basha duhet të ketë një cilësi që ai vetë nuk e ka pasur që në krye të herës. Duhet të jetë i pashantazhueshëm! Basha është sjellë në vite, me akte dhe jo fjalë, si aleat i Ramës. Dhe kryeministri jo njëherë ka lënë të nënkuptohej atë që Berisha e thoshte troç: “Rama e ka blerë Lulin!”, por pa thënë se edhe ai vetë është sjellë si një aleat i jashtëzakonshëm në të gjitha fitoret e Ramës. Me një ndryshim të vetëm nga Basha: Berisha i është dhënë Ramës falas!

Kundërshtari i nesërm i Ramës nuk duhet të ketë kurrsesi ato zonat me hije që kundërshtari mund ti shantazhojë. Grida Duma, për shembull, pavarësisht se ka peliçe të shtrenjta në garderobën e saj të hijshme, krahas tyre fsheh mëkate të së shkuarës në dollap. Ka një sërë minash të mbuluara, të cilave u ka rënë anash, por që rrezikon t’i shkelë dhe t’ja shkelin që ditën që do të tentonte derën e kryetarit. Ndërkohë që Jorida Tabaku, shumë më e përkorë dhe e përmbajtur se shumica dërmuese e kolegëve të saj në politikë, kreu gabimin e jetës duke menduar se po ndërtonte triumfin e jetës.

Komisioni për inceneratorët prodhoi armiq të fuqishëm për Tabakun, jo thjesht për shkak se ajo i sulmoi, por sepse sulmi nuk ishte falas. Hesapi me pazar dhe pazari që bëri hesap për inceneratorët dhe copëza të tjera të faulleve të hershme të zonjës Tabaku, ka kohë që kanë mbushur fletët e një dosjeje politike që mund të fillojë të bëhet publike copë mbas cope. Të tjerë personazhe janë në radhë, secili duke shpresuar për veten jo sepse ndjehen superorë ndaj të tjerëve, por sepse pazari për kryetar ka rënë në një pikë të frikshme sepse në PD as Enveri nuk ka vdekur siç do të donin dhe as Ramizi nuk do të iki!

Pavarësisht të gjithave, mbas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, lajmi i mirë më së fundmi ka mbërritur edhe në PD edhe për pesimistët më të dëshpëruar të kësaj partie. Edhe në ëndrrat e Edi Ramës, PD-ja nuk mund të bëhet nesër më keq sesa është sot!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?