“Përpiqu të gjesh arsye edhe tek armiku më i egër!”. As demokratët dje dhe as socialistët sot nuk e pranojnë atë që këshillonin dikur mençurisht latinët. Në të kundërt, do të silleshin krejt ndryshe me njëri-tjetrin. As demokratët nuk do të “firmosnin” qeverinë e tyre në hije duke bllokuar karriget e ministrave në Kuvend dhe as ministrat nuk do të braktisnin Kuvendin që i hoqën dritat dhe e lanë në errësirë. As Flamuri, Gazmendi, Albana, Ina apo Edmondi nuk do të hipnin mbi tryezë dhe as Ermonela apo Taulanti nuk zbrisnin prej tyre deri në fund të seancës. Madje as Saliu nuk do të rrinte ulur në rreshtat e para të sallës dhe as Edi nuk do ta refuzonte hyrjen në të, ashtu siç ndodhi në të enjten e Kuvendit.
Simetria e argumenteve të sherrit mes dy palëve është pothuajse e plotë dhe ndryshon vetëm në kohë. Sa për të marrë një shembull që ka të bëjë me komisionet hetimore të Kuvendit, Berisha mund të kujtojë mirë cinizmin e tij të frikshëm kur digjte materialet zgjedhore të zgjedhjeve të kontestuara të 2009-ës. Refuzimi i tij për të ngritur komisionin hetimor të kërkuar me dëshpërim nga socialistët, që i ishin drejtuar edhe grevës së urisë në Bulevard nuk ndryshon nga refuzimi socialist për të bërë të njëjtën gjë me kërkesat e tij sot. Ndryshimi megjithatë është domethënës. Nëse atëherë kutitë ishin të mbyllura nga vullneti i tij, sot pothuaj të gjithë objektet e komisioneve që kërkohet të ngrihen, janë nën sëpatën e pamëshirshme të SPAK-ut. Pa pikën e dyshimit, socialistët do të preferonin më mirë komedinë me shumë akte të hetimit publik nga kolegët e tyre deputetë sesa heshtjen e akullt përpara njerëzve të Altin Dumanit. Siç ju dukej yll Jorida tek Inceneratorët, përballë prokurorëve që firmosnin fletarreste, ashtu do t’iu dukej sërish në çdo lloj hetimi tjetër parlamentar.
Opozita ankohet se asnjë nga iniciativat e saj ligjvënëse nuk merret parasysh nga qeveria. Simetria me të shkuarën sërish nuk është e plotë pa kuptuar se në fund të fundit, kjo është demokracia dhe këto janë detyrat e ndara mes dy institucioneve sipas zgjedhjes së shqiptarëve: një palë qeveris, tjetra bën opozitën. Në një vend normal mund dhe do të duhej të ishte ndryshe. Do të duhej që kompromisi të ishte rregull dhe jo përjashtim, që dialogu të ishte zakon dhe jo dylyftim dhe që së paku në çështjet më të ndjeshme për vendin, shqipja të ishte gjuhë e përbashkët mes palëve të ndara në llogore urrejtjeje.
Në fakt e gjitha kjo është thjesht kontornoja e asaj që nuk thuhet. Parlamentarizmi, ashtu siç shprehet kushtetuta në frymë, është plagosur që në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës dhe ka dhënë përfundimisht shpirt kur trupa e deputetëve është thjesht zgjatim i vullnetit të kryetarëve të partisë. Si rrjedhim, në maxhorancë dhe në opozitë, në vend të individualiteteve, është krijuar një simbiozë matrioshkash, mavi e blu, që mbajnë pothuaj të gjitha portretin e udhëheqësve të tyre. Prej vitesh parlamenti është vetëm një zyrë noteriale për vullnetin e tyre. Një palë që pohon e tjetra që refuzon.
Në pamje të parë kjo duket zgjidhja më e mirë, por në vështrim afatgjatë ajo është në dëm edhe të përfituesit të radhës dhe mbi të gjitha në dëm të shoqërisë. Ka vetëm një formulë logjike që e do të duhej të vihej në funksion. Maxhoranca do të duhej të tentonte e para të gjente arsye tek opozita. Do të duhej të shënjonte se ajo është e frustruar nga një dekadë e plotë si minorancë dhe nga perspektiva pothuaj e qartë se e tillë do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Do të duhej të merrte shënim faktin se ajo është e lodhur nga ndarja mes vetes, nga dyshimet për sjellje prej “kuislingësh” herë të njërës pjesë dhe herë të pjesës tjetër nga interesave të Ramës.
Madje do të duhej të llogariste edhe hallet specifike të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit që variojnë që nga pamundësia e tij e plotë për të hequr pjesëzën “ish” përpara funksioneve të tij e deri tek frika se ora e llogarisë nuk harron edhe kur vonon shumë. Valvola të ndryshme që shfryjnë presionin politik nuk ka nevojë të shpiken, por thjesht të vihen në zbatim. Me të gjitha gjasat, socialistët që duket se kanë gjithçka në dorë sot, ashtu siç planifikonte që në janarin e 2019-ës dyshja Rama-Gjiknuri se mund të plotësonin çdo kërkesë të opozitës, por do të refuzonin koalicionet parazgjedhore, kanë planizuar që sot atë që do të bëjnë nesër me ligjin zgjedhor. Aty duket se do të jetë surpriza e tyre.
Dhe kur të ndodhë ajo, mund të kuptohet qartë se qeveria hije e protestës nuk ishte për refuzimin e komisioneve, por kundër humorit të socialistëve që do ta peshonin me “mirënjohje” kryetarin e grupit parlamentar Lul Basha dhe njerëzve të tij në komisionin e reformës zgjedhore. E më pas, do t’i gëzoheshin ndonjë grushti votash që duhen edhe për ndonjë kacavjerje të radhës në trupin e kushtetutës. E gjitha kjo për të lënë aty ku është aksiomën e famshme latine që lyp gjetjen e arsyeve edhe tek armiku më i egër. Një aksiomë që nuk vlen në Ballkan, ku kush është në pushtet ka gjithçka dhe kush mbetet në opozitë, nuk vlen asgjë. Edhe kur pushteti jep vetëm dhjetë minuta lavdi në errësirë, por pa votë dhe me ngut për të dalë sërish jashtë.