Berisha dhe Rama

Lorenc Vangjeli: Regjistrimi i fshehtë, pse Rama e Berisha mbeten ende oferta pothuaj të vetme në Tiranë

8 Janar 2023, 22:38| Përditesimi: 9 Janar 2023, 09:15

  • Share

Nuk ka shteg më të verbër se gjykimi i historisë duke u nisur nga pasojat që ngjarjet e saj i kanë sjellë të tashmes. Nuk ka marrëzi më të madhe sesa kur ky gjykim bëhet i shkëputur nga konteksti kohor i vetë të shkuarës. Një bisedë e regjistruar e 32 vjetëve më parë, me protagonistë Edi Ramën e Sali Berishën, Azem Hajdarin dhe piktorin e madh Sali Shijaku, transmetuar në Opinion, i trazoi edhe njëherë ujërat e humorit të paqëndrueshëm shqiptar. Regjistrimi zanor i kishte të gjitha gjasat të shndërrohej në një lajm tronditës dhe i komentuar sipas zakonit, po me tone tronditëse, ku sa më i madh hamendësimi konspirativ, aq më e madhe bëhej edhe ftesa për t’u besuar si i vërtetë gjithë spektri i harbimeve të fantazisë. Si i tillë, mbas përgjumjes që jep teprimi me ushqimin dhe në përtacinë që shoqëroi ditët e gjata të pushimit të fundvitit, ky lajm u bë goja nga ku ushqehej kurioziteti absurd dhe absurditeti që tejkalon kufijtë e çdo kurioziteti. Deri në pikën kur ato pak minuta regjistrim të mbetur, gati një e treta e pothuaj një ore bisedë, u konsideruan si çelësi për të kuptuar Shqipërinë e sotme, për të dekoduar hallet e saj dhe karrierat e të tjerëve dhe mbi të gjitha, për të shpjeguar marrëdhëniet plot nerv mes dy personazheve që kanë shënjuar portretin e vendit në këto tre dekada.

Kjo bisedë, ekzistencën e të cilës nuk e kishin në kujtesë as vetë protagonistët Rama e Berisha, u mundësua për publikun nga gazetari Blendi Fevziu. Sipas aksiomës që fati ndihmon gjithmonë më të zotin, ajo u “ringjall” falë tij në rrethana të çuditshme. Një piktor shumë i njohur shqiptar, që kishte miqësi me poseduesin fundor të saj, këshilloi pikërisht Fevziun si publikues të materialit. Vetë Fevziu, mbas një kohe të gjatë verifikimesh dhe natyrisht, edhe kontaktesh me protagonistët, vendosi ta transmetojë në javën e parë të janarit të këtij viti. Ishte hera e parë që dokumentohej ky takim “misterioz” mes Ramës dhe Berishës, ndërkohë që deri në këtë moment, dihej se takimi i fundit sherrxhi mes tyre kishte ndodhur në ambientet e Qytetit Studenti, në javën e tretë të dhjetorit 1990.

Takimi ka ndodhur në 4 janar 1991, një ditë përpara botimit të gazetës RD, në studion e një piktori tiranas, me gjasë, i njohur i Shijakut dhe Ramës. Ndër të pestë, njëri prej tyre ishte një nga intelektualët antikonformistë të kryeqytetit, gojëlëshuar kundër regjimit edhe në publik, kurse tjetri, ishte një doktor shumë i njohur dhe protagonist i dorës së parë në lëvizjen antikomuniste të vendit.

I treti në takim, Azem Hajdari, drejtuesi karizmatik i lëvizjes studentore, dëgjohet gjithashtu të flasë me entuziazmin e një violine të parë në bisedë, kurse piktori i famshëm Sali Shijaku, është konkret, i kthjellët në ato që thotë dhe një i barabartë mes të barabartëve, sipas një hierarkie që deri më atëherë, kushtëzohej fort edhe nga individualiteti i secilit.

Personazhi i pestë, autori i regjistrimit të bisedës në një magnetofon me shirita, një objekt pothuaj alien në Tiranën e asaj kohe, është enigmatik. Për të, edhe ai piktor me profesion, dihet pak. Pak rëndësi kanë edhe motivet që e shtynë atë të harxhonte metrat e çmuara të shiritit të magnetofonit dhe po ashtu, nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme edhe dëshmia e arsyeve që e bënë materialin të mbërrinte në duar të tjera, që mbas 32 vjetësh, patën mirësinë ta bënin atë publike. E rëndësishme, është që ekziston ky fakt historik dhe që u zbulua. Ai është një fotografi personazhesh që pikërisht koha e kaluar, e bën edhe më të çmuar si artefakt muzeu, për të kuptuar sesi kanë qenë dhe jo me domosdo, për të shpjeguar sesi janë sot protagonistët.

Nuk kishte hierarki në bisedë. Të katër personazhet ndjeheshin e shfaqeshin të barabartë. Ata përdorin fjalët kyçe të kohës dhe përgjithësisht janë në një mendje për atë që po ndodhte në atë kohë të trazuar. Por përtej të gjithave, një gjë është shumë e dukshme. Dhe ajo përbën vlerën kulmore të materialit për të sotmen. Nga të gjithë bashkëbiseduesit, vetëm Rama e Berisha ishin më të qartë në atë që po ndodhte. Dhe secili nga ta kuptonte se në thelb, përballë idealizmit të Hajdarit dhe Shijakut, çështja shtrohej tek pushteti. Kush do ta merrte pushtetin.

“Jo mo jo, luftë për pushtet është. Çfarë është ajo? Pushteti, s’diskutohet ajo punë!”, thoshte që në atë kohë Edi Rama dhe aprovohej nga Sali Berisha. Pjesa tjetër e diskutimit, qëndrimi ndaj Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, historia e mitingjeve apo dhe e makinave të munguara, janë vetëm kontorno e menysë së kohës, që u tejkaluan shpejt dhe kanë vetëm vlerë ekzotike.

Pavarësisht sesa e thjeshtë duket sot, pohimi mbi pushtetin dhe marrjen e tij, është çelësi për të kuptuar jo vetëm distancën që këta dy personazhe kishin që në atë kohë me të tjerët, por pikërisht për shkak të kësaj qartësie, shpjegohet edhe jetëgjatësia e tyre në politikë. Dy personazhet e tjerë të rëndësishëm të kohës, Ramiz Alia dhe Fatos Nano, ishin oferta e komunistëve që po konvertoheshin në socialistë. I pari, me pothuaj gjysmë dekade pushtet në shpinë dhe me instiktin që kishte trashëguar nga partia e tij, e cila që në themelim shënjonte në program se qëllimi i saj maksimal “…ishte vendosja e pushtetit popullor” mbas luftës dhe i dyti, që maksimumin e karierës së tij e shihte si ministër i tregtisë me jashtë, si një mundësi për të udhëtuar në Perëndim. Kjo diferencë fantastike shpjegon ndër të tjera, edhe ngutin dhe ngopjen e ndryshme të palëve.

Në një vend ku të gjithë janë mbretër, ku gjithkush beson se është gjeni, kur secili është i bindur se me vetëm 24 orë mbretërim vetjak, mund të sjellë mrekullinë në këtë vend, qartësia e Ramës dhe Berishës në atë që kërkonin që në 1991-shin, shpjegon se pse ata edhe sot në 2023-shin janë të pakonkurrueshëm në karizmën e tyre për pushtet. Kjo shpjegon më së pari distancën e tyre me gjithë atë galeri personazhesh që kanë hyrë e dalë nga politika në këto vite, që kanë ushtruar pushtet të fituar dhe kanë konsumuar pushtet të dhuruar, por nuk kanë kuptuar se vetëm qëllimi i qartë e bën më të shkurtër rrugën drejt tij. Vetëm qëllimi i qartë e kohëzgjat edhe më shumë rrugëtimin mbas arritjes së qëllimit.

Gjithë debati tjetër që përpiqet të gjejë arsye të tjera e shpjegime paralele që çojnë deri në absurdin e ekzistencës së një marrëveshjeje të fshehtë mes protagonistëve, është pastaj pjesë e tallavasë ballkanike që konsumohet pafund në Tiranë, që shoqërohej kësaj radhe edhe me bakllavanë e modelit turk të ndërrimit të viteve, por pa harruar armiqësinë proverbiale që ka Tirana e debatit me të vërtetat e thjeshta.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?