Jorida Tabaku dhe Flamur Noka kanë shumë pak gjëra të përbashkëta mes tyre. Të numëruara me gishtat e një dore, deri dje ato fillonin me identitetin e njëjtë politik, për aq sa ai varet nga tesera e partisë, me vendin e njëjtë të punës, parlamenti shqiptar dhe ndoshta edhe me dëshirën për të ardhur apo administruar pushtet.
Por spiralja e paparashikueshme e ngjarjeve që nga shtatori i vitit të kaluar, e ka bërë diferencën mes tyre edhe më domethënëse. Të rreshtuar mbas drejtuesve të dy fraksioneve realë në PD, ata janë simboli i këtyre fraksioneve dhe deri edhe prova e fortë sesi do të shkojë prova e forcës mes palëve në PD.
Të mërkurën në mesditë ata u ndeshën të dy me dyert e mbyllura të selisë së PD-së. Jorida duke pritur që ata të çelësit t’i hapnin derën, kurse ata të çelësit ishin me shpresë që dera nuk do të lejonte Flamurin të hynte brenda.
Si përfundim, të dy deputetët patën fat të ndryshëm sepse Jorida u lejua të hyjë në seli, kurse Flamuri dha konferencë shtypi në shkallët e selisë. Qoftë dhe kjo tabloja e vetme njerëzore në “ditën e ultimatumit”, ajo shenjon ndarjen në dy klasa të njerëzve në partinë më të madhe të opozitës: në deputetë normalë dhe deputetë non grata në seli, njëra e babës së ri të demokratëve dhe tjetri bir i njerkut të përzënë nga partia. Një ndarje mes babës dhe njerkut që do të shkojë vertikalisht në të gjithë piramidën e përfaqësimit të PD-së.
Eshtë gjithmonë e më vonë për të ndryshuar dhe po bëhet gjithmonë e më e pamundur për të kuptuar, që nervat e nxehura nga ndeshja disa mujore dhe mbi të gjitha, nga mpirja në opozitën e tejzgjatur, të nisin të dallojnë disa të vërteta elementare për atë që po ndodh në PD. Shtëpia e demokratëve thjesht po mbahet peng i vullnetit të dy individëve të vetëm. I atyre dy individëve që edhe Jorida, edhe Flamuri po ju bëjnë tifozllik duke “urryer” njëri-tjetrin dhe gjithë ata që mendojnë ndryshe.
Lulzim Basha që pretendon tek legaliteti i çelësit të zyrës, ka të drejtë deri në pikën që do të refuzonte zgjedhjet e parakohshme si institucion. I ka kërkuar ato rregullisht mbas çdo humbjeje me Edi Ramën, i ka kërkuar edhe të nesërmen e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve dhe askush nuk është skandalizuar me një gjë të tillë, të cilën e ka bërë edhe vetë Edi Rama kur humbte dikur përballë Sali Berishës, siç e ka bërë dhe Doktori kur e mundnin të majtët.
E kanë bërë të gjithë së bashku sa herë kanë qenë humbës në zgjedhje, me të drejtë apo me zgjedhje të deformuara dhe kanë vazhduar ta përsërisin gjatë gjithë mandatit të kundërshtarit të tyre. Skandaloze ka qenë përgjigja që e mohonte këtë instrument në mënyrë absolute.
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë as dramë dhe as traumë, por janë mënyra ideale për të shtrydhur tension, për të reduktuar kosto dhe për të shmangur pasoja të padëshirueshme. Nëse do të kishte ndodhur të përdorej ky instrument, disa herë gjatë tranzicionin shqiptar, në momente vërtet kyçe, sot me siguri Shqipëria do të ishte ndryshe.
Padyshim më e mirë. Dhe kur zgjedhjet e parakohshme mund të aplikohen për qeverisjen e vendit, tek një parti politike as nuk duhet të vihen në dyshim, sa herë që ndryshojnë ekuilibret e brendshme, sa kohë që mandati ndërpritet me humbje ose rast pas rasti siç mund të gjykohet. Si i tillë, Basha do të fitonte më shumë nëse shpallte të hapura zgjedhje të parakohshme në parti dhe nuk mbyllte dyert. Do të ishte fitues edhe nëse do të humbiste.
Berisha po tenton dhe ja arriti të dalë nga hija së paku katër vjeçare ku e kishte futur Basha. Ndryshe nga gjithë perceptimi, ndryshe nga gjithë dukja që gënjen, Berisha shërbeu minimalisht këto katër vjet vetëm si gozhda në murin e shtëpisë ku Basha varte çdo qyrk gabimi, faturonte çdo mëkat opozitarizmi dhe e tregonte me gisht, si shkak të çdo humbjeje.
Deri në masën që Rama tallej dhe e quante djalë i mirë, por me baba të lig. Berisha kërkon çelësin e selisë. Natyrisht që Non Grata është karburanti i tij dhe rikthimi është përgjigje për ndëshkimin amerikan, por selia i duhet për të rithemeluar jo partinë, por opozitën.
Deri në mes të kësaj vere, kur ai do të shpallë bashkë me kreun e ardhshëm të LSI-së, Ilir Meta, forcën që do të dërmojë aleancën Rama-Basha, siç do të thotë vetë ai, por pa dashur të pranojë se ndonjëherë ndodh si në atë proverbin e vjetër kinez: “Mos lëviz kur ta fut armiku sepse thjesht i bën qejfin atij!” Eshtë kaq lehtësisht e parashikueshme që lëvizja e re e Berishës po i jep triumf në egon personale, por i siguron humbje në ndeshjen e madhe politike me të majtën.
Deri atëherë, pavarësisht ndryshimeve, me seli të çliruar nga pengu apo të pushtuar nga paligjshmëria, Jorida Tabaku dhe Flamur Noka do të jenë protagonistë të një beteje groteske që shpik kundërshtarë aty ku normalisht nuk mund të jenë me një qëllim të vetëm: Që të festojnë fitore mbi armikun imagjinar, fitore mbi njëri-tjetrin, pavarësisht se kush e qeveris dhe do të vazhdojë të qeverisë vendin.