Kryetari i PD, Lulzim Basha

Opinion

Lorenc Vangjeli: Të gjithë armiqtë e Bashës, pa përjashtuar as Lulin

23 Nëntor 2021, 13:39| Përditesimi: 23 Nëntor 2021, 13:41

  • Share

Nuk është trekëndësh, por është rreth. Gjeometria politike, të cilën e solli në Tiranë kryetari i PD-së Lulzim Basha, nuk ka tre kulme, por është qark i mbyllur. Nuk ka tre personazhe në kënde dhe një të katërt që i vështron, por një prej tyre është në qendër dhe tre të tjerët i vijnë rrotull. Ky është shpjegimi i thjeshtuar për atë që po ndodh në këtë vjeshtë kaotike në Tiranë, ku alkimia e pushtetit dhe pushteti si lojë, i ka shndërruar miqësitë e interesit të çastit në armiqësi të thella dhe armiqësitë e vjetra i ka bërë kasafortë të interesave të pandryshueshme.

Në qendër të këtij rrethi vicioz është Edi Rama: në perimetrin e këtij rrethi, vijnë qark edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta. Në dukje të gjithë kundër të gjithëve. Në thelb, të tre opozitarët bashkohen në bindjen e pandryshueshme: secili nga ta e akuzon tjetrin si peng të kryeministrit. Duke krijuar kështu situatën më absurde të mundshme dhe portretin më të dhembshëm të vetë opozitës në veçanti, por dhe të gjithë shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Duke nisur me Bashën. Kryetari legal i PD-së legale është armiqësor edhe me Berishën, edhe me Metën, edhe me Ramën. Berisha është armiqësor me Bashën dhe Ramën, por hesht për Metën. Meta është armiqësor me Bashën dhe Ramën, por e shmang Berishën. Basha është gjithashtu armik me të gjitha mundësitë fantastike që fati i afroi në vite Lulzimit. Kurse Rama hesht për të tre sepse vetëm ai është përfituesi real i kësaj armiqësie të kryqëzuar. Ky portret i ri i opozitës, kjo sjellje në perimetrin e rrethit me ramën në qendër, e nxjerr qeverisjen e tij nga fokusi si problem thelbësor i një shoqërie normale dhe e bën të ndjekë me duar në gjoks tollovinë opozitare.

Një politikan shpesh vlen sa shumica e armiqve të tij! Nëse një aksiomë e tillë është e verifikuar për kryeministrin, tek Lulzim Basha, kjo aksiomë është përjashtimi që përforcon rregullin. Sepse Basha, duke nisur që nga maja e fuqisë së tij që e arriti në mesnatën e 25 prillit kur u mendua se opozita fitoi zgjedhjet, tani në vjeshtë po tkurret pak nga pak si dunë rëre. Për ta mbyllur këtë cikël në nivelin më të ulët në javët e para të dimrit. Arsyet janë të shumta, por ato kryesisht janë produkt direkt i veprimeve dhe mosveprimeve të tij. I veprimeve të gabuara dhe akteve të kryer në kohën, vendin dhe mënyrën e gabuar. Ato janë rrjedhojë e asaj që minimalisht ka filluar që në pranverën e 2017-ës. Jo thjesht me marrëveshjen e tij me Ramën, por kryesisht nga pavendosmëria e tij për të kuptuar dhe ndarë tek politikani që synon majën, një të vërtetë elementare: ndarjen e plotë të axhendës politike të grupit që përfaqëson me axhendën vetjake ekonomike. Ndryshe nga gjithë të pasurit normalë, që përveç milionit të parë, janë të gatshëm të shpjegojnë qindarkat e çdo milioni tjetër që kanë fituar, Basha ka treguar vetëm milionin e tij të parë dhe ka heshtur për gjithë dhjetra milionët hipotetikë që i numërojnë në xhepa kritikët e tij.

E sotmja në kaos e PD-së është rrjedhojë e dilemës që ka nisur më shumë se katër vjet më parë, kur Basha hezitonte të gjente nëse i leverdiste të ishte kryeministër i Shqipërisë në vend të Ramës apo mik dhe ministër i tij. Në funksion të kësaj pavendosmërie ai shkëmbeu “friendly fire” me Metën dhe mesazhe bashkëpunimi me Ramën, për të këmbyer vendet menjëherë pas zgjedhjeve të humbura. Në mënyrën më të gabuar të mundshme, me Ramën ndau aleancën në fushatë, kurse me Metën u bë aleat në opozitë, ndërsa fotografinë e Berishës e mbante pas çdo veprimi dhe mosveprimi të tij. Kjo mungesë e koherencës, qoftë dhe në raport me tre politikanët e tjerë në vend dhe raportet e mosbesimit të thellë që ai ndërton për çudi me shumicën e bashkëpunëtorëve të tij, janë nga shkaqet thelbësorë të rrugës së tij me zigzage, që cilindo udhëkryeq të ndjekë, si destinacion final mbërrin gjithmonë opozitën. Edhe lobimi fatkeq në SHBA në 2017-ën, ku ai ishte fajtor pa faj, edhe djegia e mandateve, edhe refuzimi i zgjedhjeve lokale, edhe bojkoti i zgjatur i reformës zgjedhore, edhe mungesa e forcës për të imponuar një listë referendare kundër Ramës në zgjedhjet e 2021-shit, janë armiqtë realë të Bashës, shumë më shumë sesa Berisha, Meta dhe Rama të marrë së bashku.

Sot, nën këshillën më të keqe të mundshme dhe natyrisht, në ditën e tij më të errët politike, ai dhe partia e tij kanë nisur një tjetër betejë. Kursi i përplasjet së PD-së legale me Presidentin e Republikës, do të ishte kura e fundit për t’u marrë. Nuk ka pikën e interesit politik që të shtojë edhe një seri të kryqëzuar sulmesh që mund ta kishte kursyer. Nuk ka pikën e rëndësisë se kush ka të drejtë mes tyre, por është thelbësor fakti që armiqësia me të gjithë, nuk tregon forcë si në rastin e Edi Ramës, por marrëzi. Lulzim Basha arriti në tetë vjet të bëja partinë e tij më të vogël, në rastin më të mirë, të ndarë në dy pjesë armiqësore me njëra-tjetrën. Më shumë se kaq, ai ka bërë edhe vetë opozitën më të vogël se secila pjesë e ndarë e partisë së tij. Si rezultat, Edi Rama duket gabimisht shumë më i fortë sesa shuma e armiqve të Bashës, pa përjashtuar as vetë Lulin.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?