Foto ilustruese

Lorenc VangjelI: Vija e kuqe për shqiptarët

9 Qershor 2023, 14:35| Përditesimi: 9 Qershor 2023, 14:37

  • Share

Për fatin e madh të gjithë shqiptarëve, Kosova ishte “vija e kuqe” e durimit amerikan. Ndryshe do të kishte luftë! Presidenti i përmbysjes së komunizmit, Xhorxh Bush, Ati, kushtëzonte me përdorimin e forcës cdo aventurë të Miloshevicit me paralajmërimin e famshëm të Krishtlindjeve të 1992-shit. “Shkelni në Kosovë dhe do të keni luftë”! E drejta morale, forca dhe fati bënë që një dekadë e gjysëm më pas, një tjetër president amerikan, Xhorxh Bushi, Biri, të paralajmëronte dhe të jetësonte pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në Shqipërinë dhe në Kosovën e sotme moderne, ka vetëm një vijë të kuqe: të mos kapërcehet në asnjë rast e për asnjë arsye gjykimi amerikan. Edhe kur logjika, e drejta apo edhe morali sovranist do të dukej se diktojnë të kundërtën. Në këtë cep të globit amerikanët kanë të drejtë edhe nëse një pjese të shqiptarëve mund t’ju duket se e kanë gabim. Sepse pjesa vlen gjithmonë më pak se e tëra. Sepse finishi ka shumë më shumë peshë sesa rrugët që mund të ndiqen. Sepse fati i kombit është pafund më i rëndësishëm sesa ai i individëve, qofshin këta në pushtet apo alternativa pushteti.

Në një botë ku drejtësia është ende vetëm aspiratë, logjika, e drejta dhe morali nuk mund të fitojnë pa peshën e forcës dhe forcën që peshon së paku në ekuilibër.

Me të gjitha gjasat, kriza e veriut të Kosovës me serbët shkaktarë e jo shqiptarët, do të ketë një zgjidhje më të mirë sesa ajo qe shohin pesimistët, por ajo është gjithashtu një argument i rëndë më shumë kundër optimistëve që i marrin për të mirëqena e të pandryshueshme “dashuritë” gjeopolitike. Të tilla janë vetëm interesat. Ish-jugosllavia e dikurshme, e cilësuar si gruaja e Lindjes dhe dashnorja e Perëndimit, pati fatin ta provojë këtë të vërtetë me cmimin e luftës. Mjafton ky shembull për t’u kuptuar qartë në Tiranë dhe në Prishtinë, se Shqipëria e Kosova nuk do të arrijnë kurrë të rriten pa pranuar më parë sesa vende të vegjël janë përballë botës; se ato nuk mund të përdorin dot kurrë instrumente mendjemadhësie pa pranuar përmasën modeste të tyre; se nuk mund të garantojnë dot kurrë sovranitetin “ideal” pa pranuar transferimin e pjesshëm të tij në Perëndim.

Demokracia, qoftë kjo edhe në versionin ballkanik të saj, e sheh si një ushtrim normal faktin që Edi Ramën, kryeministër të Shqipërisë, nuk e duan apo e urrejnë gati gjysma e shqiptarëve. Eshtë gjithashtu normale që Albin Kurtin, kryeministër të Kosovës e duan dhe e idhujtarizojnë gati gjysma e qytetarëve të Kosovës. Problemi është tek fakti që nëse të dy ata, por dhe gjithë qytetarët përballë tyre, e shohin si të përjetshëm këtë raport. Vetëm përkohshmëria është e përjetshme dhe të dy, si Rama, si Kurti, janë të përkohshëm në detyrat e tyre, të cilat kanë para së gjithash, vetëm një funksion themelor: të përmbushin aspiratën e përjetshme të shqiptarëve si komb! Dhe këtu, Rama në mos epërsi, ka vijimësi të pandërprerë. Dhe këtu Kurti, në mos disavantazh, ka levizje zigzage.

Albin Kurti është vënë nën një rrebesh kritikash nga politika zyrtare në Uashington, Berlin, Paris e Bruksel. Ai duket se po humbet statusin e interlokutorit mes interesit të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Besueshmëria e tij është vënë në pikpyetje, njëlloj si e një lojtari që vë një bast shumë të lartë për një përfitim minimal. Që shemb gjithë murin e shtëpisë kur i duhet vetëm t’i ndryshojë ngjyrën bojës së murit. Por ndoshta, më të rrezikshme se kritikat ndaj tij në anglisht, janë lavdet hipokrite që i bëjnë në shqip. Kurti duhet realisht të ketë frikë nga dashuria dhe adhurimi që i vjen nga Tirana, kryesisht si dhuratë qelepir për shkak të urrejtjes dhe përcmimit që kanë lëvdonjësit e tij me Ramën. Edhe pse tentojnë ta bindin për të kundërtën, ai nuk është i përzgjedhuri final, nuk është Odiseu i vetëm i caktuar për të bërë histori, por si Odisea i mocëm, ai duhet të mësojë të mos dëgjojë sirenat që i këndojnë veshit të tij për interesat e tyre. Eksporti kontrabandë i halleve politike të Tiranës drejt Prishtinës është sabotimi më i rëndë që mund t’i bëhet gjithë shqiptarëve, por edhe anasjelltas, me drejtim nga Prishtina në Tiranë, sic edhe ka ndodhur.

Ka dhe një detaj më shumë për gjithë këtë lesh ballkanik që po tirret në këto ditë dramatike. Për gjithë sovranistët e ringjallur hipokritë, Ukraina është shembulli fatal që ju do ballafaquar edhe kur një pjesë e tyre besojnë me naivitet vetëm tek e drejta dhe legjitimiteti i Republikës së Kosovës në këtë konflikt të ngrirë me Serbinë. Edhe Ukraina ka të drejtë në konfliktin me Rusinë dhe ka legjitimitetin e plotë për t’u mbrojtur. Por ato janë totalisht të pamjaftushme si armë lufte, nëse reagimi i saj nuk do të mbështetej nga forca e SHBA-së dhe Perëndimit. Vetëm një ekuilibër i ri force do t’i jepte legjitimitet të drejtës së saj sovrane si komb përballë Rusisë si agresore.

Kanë kaluar tre dekada nga paralajmërimi amerikan për vijën e kuqe në Ballkan. Ka po kaq vjet që, njëherë njëri dhe më pas edhe tjetri, dy shtetet shqiptare në Ballkan i kanë vënë vetes një vijë të kuqe e të pakapërcyeshme: njehësimin e interesave tona jetike me atë pjesë te interesit amerikan për rajonin. Sado i largët të duket krahasimi i këtyre dy vijave të ndryshme të kuqe, skajet e tij përfshijnë luftën e dikurshme kundër diktatorit nacionalkomunist dhe rrezikun e një beteje të mundshme të humbur për paqen të drejtuesit të Republikës së Kosovës. Që në këtë rast do të ishte vetëm pak më shumë se një disfatë personale. Sepse askush nuk ka forcën dhe mundësinë që ta detyrojë Kosovën të kalojë përtej vijës së saj të kuqe! Sepse është koha që të thyhet mallkimi që i ka ndjekur shqiptarët në shekuj: cfarë fitojnë me gjak dhe sakrificë të epërme në luftë e me luftë, e humbasin nga marrëzia e lakmia në paqe pa gjetur paqe as me veten!

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?