Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në prag rifreskimi sepse më shumë se gjysmës së anëtarëve të saj ju përfundon mandati në mes të tetorit. 4 anëtarë, dy të zgjedhur nga opozita dhe dy nga mazhoranca mbyllin mandatet e tyre në pritje të vendimeve politike për rikonfirmimin apo zëvendësim.
Mandati i mbaron Vera Shtjefnit dhe Hysen Osmanit, të propozuar nga Partia Demokratike si parti opozitare, ndërsa në fund të mandatit është edhe Bledar Skënderi i zgjedhur nga PS e Gëzim Veleshnja i propozuar nga LSI në vitin 2015, kur partia e Ilir Metës ishte pjesë e mazhorancës.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj përmes një letre ka njoftuar për këto vakanca Komisionin e Ligjeve duke i kërkuar të nisë procedurat e zëvendësimit. Partitë janë të përgatitura për debatin që do të zhvillohet në komision, debat nga i cili pritet që Lëvizja Socialiste për Integrim të ngelet pa anëtar në KQZ pas ikjes së Veleshnjës. Burime nga Partia Socialiste i thanë Report TV se mandati i Veleshnjës i takon mazhorancës, pasi kur u zgjodh në vitin 2015 si propozim i LSI, partia asokohe e drejtuar nga Ilir Meta ishte në koalicion me PS.
Në këto kushte, burime pranë Partisë Socialiste thanë se do të jetë kjo parti që do të propozojë pasuesin e Veleshnjës, duke e lënë kështu partinë e dytë opozitare pa asnjë përfaqësues në tryezën e vendimeve zgjedhore, pak muaj përpara zgjedhjeve.
Kjo përllogaritje vjen si lexim i Kodit Zgjedhor i cili përcakton se 3 anëtarë i takojnë mazhorancës, dhe tre opozitës. Në kushtet kur PS është e vetme në mazhorancë, asaj i takojnë tre anëtare, ndërsa PD, LSI dhe PR duhet të ndajnë me vullnet politik të brendshëm 3 anëtarët e tyre.
Opozita veç Osmanit e Shtjefnit që ju përfundon mandati, anëtar të tretë ka përfaqësuesin e PR-së. De facto përfaqësues i PR është Klement Zguri, por de juro PR-ja përfaqësohet nga Denar Biba pas rikompozimit të KQZ nga marrëveshja e 17 majit Rama-Basha.
Ndërkohë, LSI nuk mund të shkëmbejë kokë më kokë anëtarin e saj me të PR-së, pasi një anëtari të KQZ mandati nuk mund t’i ndërpritet pa ndonjë shkelje kushtetuese, e vetëm për balanca politike.
Kështu, LSI ngelet në mëshirë të PD për t’i dhënë një përfaqësues në KQZ (mes vakancave të Shtjefnit e Osmanit), vendim i cili kërkon bujari të madhe nga ana e selisë blu. Ky debat mund të rivendosë në pikëpyetje edhe fatin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri. Ai është de fakto përfaqësues i opozitës që prej marrëveshjes së 17 majit mes Bashës e Ramës, por Kodi Zgjedhor ja jep drejtimin e KQZ-së mazhorancës. Zhvendosja e debatit ditët e ardhshme në tryezën e Komisionit të Ligjeve do të qartësojë si pozicionin e PS ndaj kreut të KQZ, ashtu edhe atë të PD-së ndaj LSI-së.
Pas lajmit të publikuar në Report Tv se LSI rrezikon të ngelet pa anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkak se anëtarit të LSI në KQZ, Gëzim Veleshnja i mbaron mandati, ka reaguar dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Mazhoranca pritet ta zëvëndësojë Veleshnjën me një anëtar nga radhët e saj, por sipas Vasilit, LSI do të zbatojë kodin Zgjedhor për anëtarin e saj.
“Do të zbatojmë 100 % Kodin Zgjedhor”,-ka thënë Vasili për Report Tv.
po ky klement zguri qe si mbaron mandati kurr. ka qe ne 90 aty!!!
Përgjigju