Një diplomat përtej misionit të diplomatit...! Ish ambasadori i Shqipërisë në Francë, shkrimtari dhe studiuesi Luan Rama është prurësi në kulturën shqiptare i dhjetëra librave me interes shkencor dhe albanologjik.
Nëpër arkivat e Francës, të Gjermanisë e Greqisë, ai ka rendur në gjurmët e kërkimit të historisë shqiptare, duke nxjerrë në dritë botime të reja, nga ato që në kulturën shqiptare do të ishte mirë të ishin kryer qysh para një shekulli. Duke rendur në gjurmët e arvanitasve dhe të shqiptarëve, në të gjitha trojet ku ata jetojnë, Luan Rama është përpjekur të nxjerrë nga arkivat një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste.
Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, studiuesi dhe shkrimtari i njohur rrëfen sesi ka rendur në gjurmët e thesareve arkivore të zbuluara në bibliotekat Kombëtare të Francës. Dokumente, piktura, akte diplomatike,fotografi, krijimtari, folklor, libra të çmuar të dijetarëve dhe diplomatëve francezë për shqiptarët dhe arvanitasit, rrëfehen në këtë intervistë, për t’i dhënë fytyrën e vërtetë historisë së shqiptarëve gjatë shekullit të 18-19-të.
Luan Rama rrëfen zbulimet gjatë punës së tij studimore në arkivat franceze, pa mohuar edhe ato greke, por edhe për ekspeditat që ka bërë për librin e tij prej 700 faqesh “Me Arvanitët Rrugëve të Greqisë”...
Gjatë kësaj interviste, poeti shkrimtari, studiuesi dhe ish ambasadori i Shqipërisë në Francë Luan Rama shprehet se “Mua më pëlqen shumë të bëjë kërkime në bibliotekat e Francës. I njoh shumë mirë bibliotekat. Kështu që fillimisht kam bërë një libër për arvanitasit, i cili është botuar edhe në shqip edhe në greqisht, ku ka referenca mjaft të vjetra, që nga koha bizantine, koha e mesjetës, vitet ‘800, etj, koha e revolucionit grek, kështu që botën arvanitase e kam dhënë në këtë libër i cili është botuar dhe në shqip dhe në greqisht. Pastaj gjatë kërkimeve të mia, unë një ditë zbulova një botim të vjetër francez të Louis Dupré, i cili ishte piktor. Unë zbulova nga ai litografi të jashtëzakonshme të suljotëve që kishin luftuar për mbrojtjen e Korfuzit. Ka litografi të Ali Pashë Tepelenës, ka një skenë gjahu.”
Më tej Luan Rama rrëfen për Report TV se përveç shkrimeve dhe pikturave të Louis Dupré, që ka bërë dhjetëra portrete suljotësh, skena gjahu, nga jeta e përditshme, etj, dhe portretet e Ali Pashë Tepelënës dhe familjarëvë të tij.
“Gjithashtu, gjatë qëndrimit tim në Paris, para shumë vitesh kam zbuluar shumë gjëra dhe kam botuar një libër me 700 faqe me dijetarët francezë gjatë shekullit të 19-të në Shqipëri, dhe aty ka dokumente e dorëshkrime nga arkeologë, gjeologë, historianë, konsuj, fotografë, hartografë, letrarë dhe kështu të gjithë ata kanë botuar shënime dhe shumë-shumë libra deri në fund të ‘900-s. Çdo njeri prej tyre është një libër më vete, e një faqe historie e re tashmë. Kërkime bëra edhe për konsullin francez Auguste Dozon që botoi për herë të parë nga folklori shqiptar përrallat shqiptare dhe meritoi çmimin e Akademisë Franceze. Kështu unë bëra një libër, fillimisht me një kapitull, ku e përfshiva tek libri “Bujtësi i largët”, kushtuar dijetarëve francezë gjatë shekullit të 19-të dhe pastaj bëra një libër më vete në shqip. Është e gjithë jeta e tij si konsull, që më pas e përktheva dhe e bëra edhe në frëngjisht"
Me tej luan Rama rrëfen sesi pas kërkimeve ka bërë disa ekspedita në Greqi atje ku jetojnë arvanitasit. Rrëfimet e tij për ekspeditat, ku përmes librave ‘Me arvanitët udhëve të Greqisë’ dhe ‘Shqiptarët e Leon Gerome’ ai përmes një gërshetimi mes publicistikës dhe historisë sjell dëshmi të rëndësishme mbi arvanitët në Greqi.
“Kështu bëra edhe për librin “Arvanitasit...” ku ka shumë të dhëna për kontributin shqiptar që në kohën bizantine. Është një shkencëtar shumë i madh që ka zbuluar të gjitha familjet e mëdha shqiptare, që jetonin në harta, jetonin në Athinë, më Ishujt. Arkivat janë pasion më vete, dhe nganjëherë mua më vjen keq që nuk merrem me letërsinë, por gjithmonë më del diçka intriguese, e panjohur dhe dihet që librat historikë të hanë shumë kohë.”, tha Rama
Luan Rama flet edhe për familjen më të njohur të Çamërisë Dine, si ra në kontaket me pasardhësit në Francë, për librin që bëri për Dinejtë, libër i cili u bë edhe një dokumentar pak kohë më parë nga regjisori i njohur Kujtim Gjonaj.
“Familja Dino është nga ato familje të mëdha që kanë bërë histori dhe kanë mbetur në histori. Jeta dhe vepra e Abedin Pashë Dinos, ish ministër i Jashtëm i Perandorisë osmane dhe një nga krerët e Lidhjes së Prizrenit, është bërë tashmë e njohur nga disa autorë, edhe pse ende mbetet shumë për të shkruar për të. Vetëm takimet diplomatike në kohën e Kongresit të Berlinit dhe pas tij, të cilat i kam ndeshur në Bibliotekën Kombëtare franceze (BNF) janë një libër me vete, një veprimtari ku shpalosen gjithë krerët e diplomacisë europiane.”, tha Rama duke kujtuar edhe veprën dhe jetën e nipit të tij me po të njëjtin emër, Abedin Dino, që ishte aq e madhe sa “jo pak libra libra i janë kushtuar nga autorë turq e francezë si dhe një libër në shqip, të cilin e kam shkruar para disa vitesh. Në këtë libër shkruhet jo pak për Arif Dinon, vëllanë e tij, poet avangardist, piktor dhe aktor filmash, i cili vdiq shpejt dhe në Shqipëri nuk u njoh fare veprimtaria dhe trashëgimia e tij artistike.” Rama theksoi se “Ndër vëllezërit Dino ishte dhe vëllai i tyre i madh, Ali Dino, një artist karikaturist i përkorë, madje ishte dhe një politikan që luftoi për çështjen shqiptare si dhe i ati i tyre, Rasih Dino, një nga krerët politikë shqiptarë të vitit 1913, i cili shkoi në metropolet e Europës duke takuar ministrat e Jashtëm dhe duke shkruar memorandume për njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të trojeve të kërcënuara e të pushtuara shqiptare”, tha Rama ndër të tjera.