Foto nga takimi

Sociale

Shqiptarët shkojnë në Britani me gomone ose kamion, Rrumbullaku takohet me ambasadorin britanik në Shqipëri: Do luftojmë emigracionin e paligjshëm

22 Shtator 2022, 17:50| Përditesimi: 22 Shtator 2022, 18:04

  • Share

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku priti në takim ambasadorin britanik në Shqipëri Alastair King-Smith. Teksa shumë shqiptarë po gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për të hyrë në Britani në mënyrë ilegale, në fokus të takimit ishte  lufta e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm.

Gjithashtu u fol për thellimin e bashkëpunimit shumë të mirë të deritanishëm, dakordësinë për vijimësinë e projekteve dhe marrëveshjeve të nënshkruara më parë, ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta, shkëmbimin në kohë reale të informacioneve, duke vendosur kontakte të drejtpërdrejta mes strukturave homologe.

Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e dhënë nga agjencitë ligjzbatuese britanike, për struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit, në drejtim të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe logjistike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e njohu ambasadorin me prioritetet e Policisë së Shtetit, duke u ndalur në tri shtylla kryesore, reforma ligjore, arsimore dhe ajo strukturore. 

Reformimi i Akademisë së Sigurisë, ndryshimi i metodologjisë së punës, ndryshimi i praktikës së vendimmarrjes së deritanishme, në menaxhimin e burimeve njerezore, për emërimet apo transferimet në detyrë, ishin disa nga çështjet që u trajtuan gjatë takimit. 

Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se është me rëndësi bërja e disa ndryshimeve në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, sidomos në nenet që parashikojnë masa ndëshkimore, ndaj shkeljeve disiplinore, duke qenë se është prioritet ndëshkimi dhe largimi nga organizata e Policisë i punonjësve që janë të përfshirë në paligjshmëri.

Po ashtu, është me rëndësi ndryshimi strukturor i Policisë së Shtetit, për të forcuar më shumë  strukturat që merren me krimin e organizuar, me qëllim bërjen sa më efikase të organizatës së Policisë.

Drejtori e ka siguruar ambasadorin se lufta ndaj krimit të organizuar, migracionit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe ndaj krimeve ndërkufitare, janë prioritete të Policisë së Shtetit, të cilat mund të përmbushen më së miri kur Policia e Shtetit gëzon mbështetjen dhe besimin e partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

Drejtori i Përgjithshëm garantoi ambasadorin se të gjitha nismat, projektet dhe marrëveshjet e nisura më parë do të vijojnë të realizohen plotësisht.

Ambasadori Alastair King-Smith e uroi Drejtorin e Përgjithshëm, për misionin e vështirë që ka marrë për drejtimin e organizatës së Policisë së Shtetit. Ai theksoi se Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm për Britaninë e Madhe. Ambasadori i shprehu Drejtorit të Përgjithshëm, mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe, për të luftuar bashkërisht krimin e organizuar dhe terrorizmin, për nevojat që ka aktualisht Policia e Shtetit, si dhe për të përfunduar projektin për rikonstruktimin e DVKM Tiranë, që vjen pas rikonstruktimit të Komisariatit të Policisë Rinas, investimit në Njësinë e Pasagjerëve dhe projektit për aeroportin e Kukësit.

Ambasadori i shprehu Drejtorit të Përgjithshëm, gatishmërinë e tij për të ndihmuar Policinë e Shtetit, për sulmin kibernetik dhe ftoi një ekip ekspertësh për krimin ekonomik dhe kriptomonedhat, për një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar.

Komento

Komente

  • goni: 22/09/2022 19:13

    po toni nga tirana the geni nga shkodra që të kanë ty për mburojë dhe sjellin qindra mijëra pound çdo muaj në Shqipëri! Jeni të gjithë të korruptuar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?