Ukraina raportoi bombardime intensive ruse në vijën e parë të luftës, të martën, ndërsa të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmin e fundjavës në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili shkaktoi shqetësimin ndërkombëtar për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.
Luftime të ashpra u raportuan në qytetet e vijës së parë, pranë qytetit lindor të Donetskut, ku zyrtarët ukrainas thanë se trupat ruse nisen një valë sulmesh në përpjekje për të marrë kontrollin e rajonit të industrializuar të Donbasit.
"Situata në rajon është e tensionuar - bombardimet janë të vazhdueshme në të gjithë vijën e frontit... Armiku po përdor shumë sulme ajrore, po ashtu" tha guvernatori rajonal i Donetsk, Pavlo Kyrylenko, për televizionin ukrainas, duke shtuar se megjithatë, Donetsku po mbahet nga ukrainasit.
Raporti i përditshëm i fushëbetejës nga shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha se qytetet në veri, lindje dhe juglindje të Kharkiv-it ishin nën zjarr nga tanke, artileri dhe raketa.
Në juglindje, ura kryesore Antonovskyi mbi lumin Dnipro në rajonin Kherson u shënjestrua sërish nga forcat ukrainase, në përpjekje për të ndërprerë linjat ruse të furnizimit, pasi Rusia e përdor atë urë si vendkalim.
Rusia këmbëngul se po zhvillon një "operacion special ushtarak" në Ukrainë për ta çliruar atë nga nacionalistët dhe për të mbrojtur komunitetet rusishtfolëse. Ukraina dhe Perëndimi i përshkruajnë veprimet e Rusisë që prej 24 shkurtit si një luftë agresioni të paprovokuar.
Konflikti ka zhvendosur miliona, ka vrarë mijëra civilë dhe ka lënë qytete, qyteza dhe fshatra në gërmadha.
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë/SHBA autorizon ndihmën më të madhe për sigurinë në Ukrainë deri tani! Ukraina: Goditëm bazën ushtarake ajrore ruse në Krime
D.GJ/ReportTv.al