Foto nga lufta

Lufta në Ukrainë, me sytë e Gogolit apo të Tolstoit?

13 Qershor 2023, 15:35| Përditesimi: 13 Qershor 2023, 15:39

  • Share

Përjetoj një si ndjenjë faji sa herë qëndroj të lexoj ndonjë analizë për luftën në Ukrainë. Faj mbase është fjalë e fortë e nuk e përcjell plotësisht atë që ndjej. Gjithsesi nuk ndihem mirë. Mbaj mend se javët e para të agresionit rus përpija çdo gjë që fliste për luftën. Pastaj, me kalimin e kohës dhe pa e vënë re, kërshëria filloi të topitej.

Këtë shndërrim e solla në mend edhe dje paradite kur qëndrova të lexoja një shkrim për dëmtimin e digës në Kakhovka, botuar në The Guardian nga Jonathan Freedland.

Më bëri përshtypje qasja e autorit për t’i parë dëmet nga shpërthimi i digës si shtjellë gjigante që nis në Kakhovka dhe rrjedh nëpër Ukrainë e Rusi, për të arritur në Afrikën Veriore madje edhe në Washington. Rrjedhë e shtjellë globale.

Si pasojë e dëmtimit të digës, përshkruante artikulli, shpërthyen sasi të mëdha uji që përmbytën sipërfaqe të mëdha toke si dhe qendra të banuara. Evakuimet e detyruara mund të krijojnë një katastrofë humanitare.

Po rrjedha e pasojave vazhdon edhe më tej e më larg, sipas gazetarit. Kryqi i Kuq ankohet se vërshimi ka përmbytur fushat e identifikuara të minave, shumë prej tyre i ka shkulur dhe i ka kthyer në bomba lundruese, të gatshme të vrasin e të shkatërrojnë në befasi këdo e çfarëdo që ndeshet me to.

Autoritetet ukrainase paralajmëruan se shtjella e krijuar nga shkatërrimi i digës mban me vete ujëra të zeza, naftë, kimikate, madje edhe antraks nga vendvarrimet e kafshëve.  Ky material toksik, thoshte në mesjave Zhelensky, përbën një bombë mjedisore të shkatërrimit në masë, që rrezikon të helmojë lumenjtë dhe, së shpejti, edhe pellgun ujor të Detit të Zi.

Por rrjedhat e përmbytjes, të para jo si masa uji, po si pasoja  shkatërruese, me gjasë mund të marrin shtrirje ndërkontinentale.

Si rezultat i përmbytjes, por edhe i thatësirës që do pasojë zbrazjen e rezervuarit, thoshte artikulli,  fushat e Ukrainës jugore mund të mbeten pa prodhim deri vitin e ardhshëm, gjë që do rrisë zinë e bukës në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme, se Ukraina është furnizuesja kryesore me drithë e këtij rajoni. Kjo mund të ketë një ndikim në furnizimet me ushqime dhe në çmimet e tyre, me një efekt të gjerë inflacionar edhe  më tej, dmth në ekonominë globale.

Lufta për Ukrainën nis e errësohet edhe nga një fakt tjetër, thoshte gazetari, tani një front i ri është hapur shumë milje larg - në partinë republikane në SHBA, garuesit më të mëdhenj të së cilës duket se, nëse fitojnë në presidencialet e 2024, mund ta braktisin Ukrainën në fatin e saj.

Është zvogëluar e bërë një bota, mendova kur përfundova leximin, një digë e shpërthyer në Ukrainë mund të shkaktojë dhjetra mijëra vdekje nga uria në Afrikë, kurse zgjedhja e një presidenti populist e të përhënur si Trump në Washington, mund t’i bëjë të zymta e pa shpresë perspektivat e një lufte që deri tani është ushqyer bollshëm me shpërngulje, shkatërrime e gjak. Dhe e keqja e të këqijave qëndron në faktin se kjo ndërvarësi globale  vështire se mund të drejtohet nga njerëz, sado të fuqishëm të jenë.

Kjo dilema ‘i kontrollon apo s’i kontrollon dot njeriu rrjedhat e ngjarjeve të rëndësishme historike’ më solli ndër mend ‘Taras Bulbën’ e Gogolit dhe ‘Luftën e paqen’ të Tolstoit.

Gogoli ruan qasje romantike për luftën, me frymë të theksuar mitike përshkruan Taras Bulbën dhe të tijtë në përleshje heroike me pushtuesit për të mbrojtur jetën, nderin dhe identitetin etnik. Heronjtë më shumë se nga realiteti historik vijnë nga legjenda dhe folklori.

Tolstoi plazmon të gjitha aspektet e luftës, si ato dramatike e tragjike dhe ato sublime e heroike, por anon dukshëm nga imazhi i diçkaje kaotike, irracionale e shkatërruese. Lufta në sytë e tij nuk formësohet nga gjenia e strategëve por nga një mori faktorësh kompleksë dhe të ndërlidhur ku nuk përjashtohet rastësia, fati dhe veprimet e pësimet në grup të individëve.

Si Gogoli dhe Tolstoi vijnë nga historia, por qëndrimet e tyre ndaj luftës duket se mbeten dy modele që formësojnë edhe pasqyrimin e sotëm mediatik të ndeshjes së përgjakshme mes agresorëve rusë dhe popullit ukrainas. Dy modele që të nxisin të mendosh për një luftë që duket se do zgjasë dhe që jo rrallë do rastisë të dalë jashtë kontrollit dhe synimeve të palëve.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?