Qyteti i Mariupol

Rusia: Mbyllet faza e parë e operacionit, tani fokusohemi të çlirimi i plotë i Donbasit! Biden në Poloni: Demokracia në botë, në rrezik! Franca: Mision humanitar në Mariupol me Turqinë e Greqinë

25 Mars 2022, 01:02| Përditesimi: 25 Mars 2022, 21:50

  • Share

Pas 30 ditësh luftë, Ukraina ka arritur të rimarrë disa qytete në lindje të Kievit, që deri tani ishin të pushtuara nga Rusia. Pas 30 ditësh bombardimesh, qindra viktima dhe mijëra të larguar nga vendi, ky është një lajm shprese që vjen nga Kievi i shkatërruar.

Ndërkohë në Mariupolin e rrënuar nga sulmet, mbi 100 mijë njerëz janë të bllokuar nëpër bunkerë në pamundësi për t'u evakuuar, duke  luftuar me vdekjen, pasi ushqimet dhe ujë po i mbaron. Një tjetër shqetësim ka ngritur edhe kryebashkiaku i qytetit, duke thënë se rreth 300 dyshohet të jetë numri i viktimave që kanë humbur jetën nga sulmi mbi tetarin e Mariupol më 16 mars.

Presidenti ukrainas Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të miratojnë sanksione energjetike kundër Moskës, pasi sipas po vonohen me sanksionet ndaj Rusisë. 

Moska nga ana tjetër është akuzuar nga Ukraina se ka larguar me forcë qindra e mijëra civilë nga qytetet e shkatërruara në drejtim të Rusisë, për t'i bërë presion Kievit që të heqë dorë. Lyudmyla Denisova, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Ukrainës, tha se 402,000 njerëz, përfshirë 84,000 fëmijë, ishin marrë kundër vullnetit të tyre në Rusi, ku disa mund të përdoren si "peng" për t'i bërë presion Kievit për t'u dorëzuar.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka shpjeguar sot se do të fokusohet në "çlirimin e plotë" të Donbasit dhe se "objektivat kryesore të fazës së parë" të pushtimit "janë përfunduar". Moska e bëri të qartë se kishte shqyrtuar dy opsione për "operacionin special": një të kufizuar në territoret e republikave të vetëshpallura të Donbass, tjetra në të gjithë territorin ukrainas.

Ministria saktësoi se Rusia se tani do të fokusohet në "çlirimin" e plotë të Donbasit, duke mos përjashtuar mundësinë e kryerjes së bastisjeve në qytetet e Ukrainës.

Ndërkohë Rusia mund të pranojë Bitcoin nga disa vende si pagesë për furnizimet me naftë dhe gaz.

Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se vendimi për t'u tërhequr nga gazi rus është shumë i vështirë, por i duhur. Ai bëri me dije se SHBA do të furnizojë Europën me 50 miliardë metra kub gaz në vit deri në 2030 deri sa Europa të shkëpusë varësinë ndaj gazit rus.

Një tragjedi është regjistruar mëngjesin e sotëm në Kharkiv ku u bombardua një poliklinikë. Si pasojë e sulmit rusë humbën jetën 4 persona dhe u plagën 7 të tjerë.

Presidenti amerikan, Joe Biden arriti në Rzeszow të Polonisë, 100 kilometra nga kufiri ukrainas. 

Gjatë orëve të para të vizitës së tij dy-ditore në Poloni, Biden do të takohet me ushtarët amerikanë të stacionuar atje, përpara se të udhëtojë në Varshavë për bisedime me udhëheqësit polakë dhe një vizitë në një qendër pritjeje për refugjatët ukrainas që kanë ikur nga lufta.

Në përditësim...

Ora 22:38
Kievi: Sot më shumë se 7300 persona u evakuuan nga vendi

Më shumë se 7300 persona u evakuuan nga Ukraina sot përmes korridoreve humanitare, më shumë se dyfishi krahasuar me 3343 që arritën të iknin dje. Kështu deklaroi një zyrtar i lartë ukrainas. Zëvendëskryeministrja e vendit Iryna Vereshchuk tha se 2,800 njerëz u larguan nga qyteti i Mariupol duke përdorur transportin privat.

Ora 21:47
Macron: Operacion humanitar me Turqinë dhe Greqinë për të evakuuar ata që duan të largohen nga Mariupol

1646938778_FranceMacronMali.jpg

"Ne do të fillojmë një operacion humanitar me Greqinë dhe Turqinë për të evakuuar të gjithë ata që duan të largohen nga Mariupol". Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron.

“Do ta bëjmë në kushtet më të mira të mundshme, ky qytet me 400 mijë banorë tani ka 150 mijë që jetojnë në kushte katastrofike. Ka pasur diskutime konkrete me kryebashkiakun e Mariupolit, e bëjmë në transparencë me autoritetet ukrainase dhe Presidentin Zelensky. Dhe më pas do të negociojmë me palën ruse. Do të kem një bisedë me Vladimir Putin brenda 48 orëve për të finalizuar detajet", tha ai.

Ora 20:54
Zyrtari perëndimor: Një kolonel rus u vra nga ushtarët e tij

Një komandant i lartë rus ka vdekur pasi është sulmuar nga ushtarët tij, tha një zyrtar perëndimor.

Oficeri komandues i Brigadës 37 të Pushkës Motorike, me gradë koloneli, u godit qëllimisht nga trupat e tij si rezultat i humbjeve të mëdha të brigadës së tij, tha zyrtari.

“Kjo thjesht jep një pasqyrë të disa prej sfidave morale që kanë forcat ruse”, tha zyrtari.

Megjithatë, disa raportimeve të tjera sugjerojnë se një kolonel, i quajtur Yuri Medvedev, ka pësuar lëndime në këmbë dhe është evakuuar për në Bjellorusi.

Deri më tani janë vrarë shtatë gjeneralë rusë. Ai raportohet se ishte komandant i Brigadës së 49-të të ushtrisë. Kremlini nuk ka komentuar ende për këto raportime, shkruan BBC.

Ora 20:41
Komanda e forcave ajrore të Ukrainës goditet nga rusët

Komanda e forcave ajrore të Ukrainës ëshët goditur nga raketat ruse. Lajmi është bërë me dije nga forcat e armatosura të Kievit.

Ora 19:42
Spotify tërhiqet nga Rusia

Spotify tha se do të tërhiqet nga Rusia për shkak të ligjeve të reja ruse që godasin kompanitë mediale apo ato online.

Për lajmet për pushtimin rus të Ukrainës, që cilësohen si “lajme të rreme”, bartin një dënim deri në 15 vjet burgim në Rusi.

Në një deklaratë për media, Spotify tha se rregullat “kufizojnë edhe më tej qasjen në informacion, eliminojnë lirinë e shprehjes dhe kriminalizojnë një sërë lajmesh dhe vënë në rrezik jetën e punëtorëve të Spotify dhe potencialisht edhe të dëgjuesve tanë”.

“Duke shqyrtuar opsionet tona dhe rrethanat aktuale, ne kemi vendosur që të pezullojmë plotësisht shërbimin tonë në Rusi”, tha kompania.

Ora 19:38
Ukraina: Qyteti i Chernihiv i izoluar, qytetarët pa ujë dhe drita

Autoritetet ukrainase pranojnë se qyteti i Chernihiv në veri të vendit është i izoluar, pa ujë dhe energji elektrike. Kryebashkiaku Vladyslav Atroshenko tha se bombardimet ruse shkatërruan një urë që lidh qytetin me Kievin, duke ndërprerë rrugën kryesore për furnizimet dhe evakuimin e të plagosurve.

Ora 17:34
Putin: Perëndimi po tenton ta bojkotojë kulturën ruse

Presidenti rus, Vladimir Putin, të premten, më 25 mars, e akuzoi Perëndimin se po tenton që ta bojkotojë kulturën ruse, përfshirë edhe punën e kompozitorëve të mëdhenj si Pyotr Tchaikovsky, Dmitry Shostakovich dhe Sergei Rachmaninov.

Gjatë një takimi me figurat e kulturës, që u transmetua në televizion, Putin e krahasoi anulimin e një sërë ngjarjesh kulturore ruse në javët e fundit, me veprimet e Gjermanisë Naziste në vitet ’30.

“Sot, ata po tentojnë ta bojkotojnë kulturën njëmijëvjeçare, popullin tonë”, tha Putin, duke cituar anulimin e ngjarjeve në disa shtete perëndimore, ku ishin përfshirë artistët rusë.

“Po flas për diskriminimin gradual kundër çdo gjëje të lidhur me Rusinë... një tendencë që po shfaqet në një numër shtetesh perëndimore”, tha ai.

 

Ora 17:25
Biden: Demokracia në botë është në rrezik

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nga Polonia ku takoi trupat ushtarake amerikane tha se demokracia në botë është në rrezik

"Ajo që është në rrezik nuk është vetëm mbrojtja e Ukrainës, por demokracia në botë", tha Joe Biden duke folur para trupave amerikane në Poloni, duke kujtuar se "ne jemi në mes të një beteje midis demokracive dhe autokracive".

Biden u takua me dhjetëra ushtarë gjatë një vizite të realizuar më 25 mars në Rzeszow, që gjendet më pak 160 kilometra larg bazës ushtarake në perëndim të Ukrainës, që u sulmua nga Rusia më 13 mars.

Mijëra trupa amerikane janë të stacionuara në Poloni si pjesë e batalioneve të NATO-s. Ky shtet po ashtu ka strehuar mbi 2 milionë refugjatë ukrainas që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Ora 17:21
Kuleba: Negociatat me Moskën janë shumë të vështira

Ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i ka quajtur bisedimet me Moskën shumë të vështira dhe premtoi të mos tërhiqet nga kërkesat e saj, më shumë se një muaj pas pushtimit të Rusisë.

"Procesi i negociatave është shumë i vështirë. Delegacioni ukrainas ka marrë një qëndrim të fortë dhe nuk heq dorë nga kërkesat e tij. Ne këmbëngulim, para së gjithash, për një armëpushim, garanci për sigurinë dhe integritetin territorial të Ukrainës," shtoi ai.

Ora 17:09
Lufta në Ukrainë, Më shumë se 1000 vdekje mes civilëve konfirmohen nga OKB  

Zyra e të drejtave të OKB-së ka thënë se janë konfirmuar se të paktën 1,081 civilë kanë vdekur dhe 1,707 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia pushtoi vendin, duke shtuar se numri i vërtetë i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.

Monitoruesit ndërkohë po punojnë për të verifikuar raportet e mëtejshme vdekjet e tjera në vendet e luftimeve intensive në rajone të ndryshme të Ukrainës , duke përfshirë Donestskun, ku ndodhet dhe qyteti i Mariupolit.

OKB-ja më herët ka thënë se shifrat reale  të viktimave  janë më të larta se numrat zyrtarë për shkak të vështirësisë në marrjen e informacionit në zonat e goditura nga lufta.

Ora 15:19
Serbia: Jemi neutral ndaj sanksione anti-ruse! Do të pezullojmë çdo stërvitje të përbashkët ushtarake me partnerët e huaj

Serbia rikonfirmoi sërish se do të qëndrojë neutrale lidhur me sanksionet anti-ruse dhe marrëdhëniet e saj me Moskës. Kjo ishte deklarata e fundit e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, në një intervistë televizive për RTV Pink të mërkurën.

“Nga njëra anë, ne nuk duhet të futemi në kurth dhe të dukemi si shërbëtor. Nga ana tjetër, ne duhet të ruajmë pavarësinë dhe vetëbesimin tonë në lidhje me vendimet që synon Moska. Rusia nuk na bombardoi në vitin 1999 (agresioni i NATO-s kundër Jugosllavisë - TASS). Mos harroni se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Rusia përkrah Kinën, thënë sinqerisht, u ngrit për territorin e Serbisë.", tha Vuçiç.

Më herë presidenti serb ka thënë se nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë. Vuçiç tha se Serbia do të pezullojë çdo stërvitje të përbashkët ushtarake me të gjithë partnerët e huaj. Ai vuri në dukje se Serbia beson se Rusia dhe Ukraina janë kombe vëllazërore, ndjen keqardhje për zhvillimet e fundit në Evropën Lindore dhe mbetet e gatshme për të ofruar ndihmë humanitare për Kievin.

Ora 15:06
Rusia për herë të parë që nga fillimi i luftës: Mbyllet faza e parë e operacionit! Tani fokusohemi të çlirimi i plotë i Donbasit

1648217361_Screenshot1.jpg

Për herë të parë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar objektivat reale të luftës së saj në Ukrainë! Ministria e Mbrojtjes ka shpjeguar sot se do të fokusohet në "çlirimin e plotë" të Donbasit dhe se "objektivat kryesore të fazës së parë" të pushtimit "janë përfunduar".

Moska e bëri të qartë se kishte shqyrtuar dy opsione për "operacionin special": një të kufizuar në territoret e republikave të vetëshpallura të Donbass, tjetra në të gjithë territorin ukrainas.

Operacionet e luftës, me shumë fronte të hapura, kanë treguar se si opsioni i ndjekur deri më tani ishte ai që përfshinte një pjesë të madhe të territorit ukrainas - nga sulmi ndaj Kievit deri në jugperëndim të vendit, ku qyteti port i Odesës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Rusia tani do të fokusohet në "çlirimin" e plotë të Donbasit, duke mos përjashtuar mundësinë e kryerjes së bastisjeve në qytetet e Ukrainës.

Ora 14:31
 Moskë: Do t'i përgjigjemi menjëherë përpjekjeve për zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë


Rusia tha se do t'i përgjigjet menjëherë në mënyrë të përshtatshme përpjekjes për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë. 

Paralajmërimi erdhi nga zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, Igor Konashenkov, në një konferencë të raportuar nga agjencia ruse Ria Novosti.

Ora 14:21
Biden mbërrin në Poloni, 100 km larg kufirit ukrainas

Presidenti amerikan, Joe Biden arriti në Rzeszow të Polonisë, 100 kilometra nga kufiri ukrainas. 

Gjatë orëve të para të vizitës së tij dy-ditore në Poloni, Biden do të takohet me ushtarët amerikanë të stacionuar atje, përpara se të udhëtojë në Varshavë për bisedime me udhëheqësit polakë dhe një vizitë në një qendër pritjeje për refugjatët ukrainas që kanë ikur nga lufta.

Ora 13:33
Lukashenko: Ne jemi në luftë nëse na sulmojnë

"Ka vetëm një mënyrë për të përfshirë Bjellorusinë në luftë, nëse fillon agresioni kundër nesh, nëse ata fillojnë të na luftojnë". Kështu deklaroi presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, sipas raporteve të agjencisë bjelloruse Belta . 

"Unë kam thënë njëzet mijë herë se ne nuk kemi plane për të luftuar në Ukrainë," kujton Lukashenko.

Ora 13:20
Rusët bombardojnë depon e karburantit, tymi 'mbyt' Kievin (VIDEO)

 

Mëngjesin e sotëm forcat ruse kanë bombarduar një depo karburanti të ushtrisë ukrainase, përmes hedhjes së raketave nga deti.

Në videon e publikuar orët e fundit në rrjetet sociale, shihet qartë tymi i zi që ka mbuluar Kievin.

Ora 13:00
Mariupol: Rusët po vrasin 150 civilë në ditë

Rusia vret mesatarisht 150 civilë çdo ditë. kështu deklaroi Sergij Orlov, nënkryetari i bashkisë së Mariupol.

"Ne ende nuk kemi armë të mjaftueshme për të mbrojtur sa më shumë qytetet nga sulmet e rënda ruse", tha ai.

Ai e cilësoi situatën në qytet të tmerrshme.,

"Janë 25 ditë bllokadë totale, pa asnjë lidhje, madje nuk mund të transferohet as barna, uji, ushqimi. 150 mijë-200 mijë qytetarë janë ende në qytet të bllokuar. Në dhjetë ditët e fundit kemi evakuuar rreth 60 mijë qytetarë drejt Zaporizhzhia dhe qytete të tjera”, tha ai.

Ora 12:50
I shpëtoi luftës bashkë me vajzën, sportistja fiton maratonën në Jerusalem, në duar mban flamurin ukrainas

Sportistja ukrainase Valentyna Veretska arriti të fitonte maratonën e Jerusalemit, ku edhe ndodhet për momentin së bashku me vajzën e saj 11-vjeçare. Veretska vrapoi për 2 orë 45 minuta dhe 54 sekonda. 

31-vjeçarja, i shpëtoi pushtimit rus së bashku me vajzën e saj duke kaluar në Poloni përpara se të udhëtonte për në Izrael. 

Sipas organizatorëve të garës, i saj është ende në Ukrainë duke i shërbyer në ushtri.

Veretska ishte një nga rreth 40 ukrainasit që hynë në garën në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, duke vrapuar në shi të papërshtatshëm dhe të ftohtë.

Izraeli ka dërguar mbështetje humanitare në Ukrainë, por deri më tani ka refuzuar të ofrojë ndihmë ushtarake ose t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Siç shihet edhe nga fotoja e publikuar nga momenti kur gruaja fiton garën, në duart e saj mban flamurin ukrainas dhe atë të Jerusalemit.

Ora 12:37
Moska akuzon djalin e Biden: Ka laboratorë kimikë, prodhon armë biologjike për Ukrainën

Rusia thotë se djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter, mund të jetë i përfshirë në drejtimin e laboratorëve të zhvillimit të armëve biologjike në Ukrainë. 

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e tij të përditshme, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se do të kërkojmë shpjegime.

"Sigurisht që ne do të kërkojmë shpjegime për përfshirjen dhe jo vetëm ne. Siç e dini, Kina ka kërkuar tashmë sqarime.", tha ai.

Ora 12:18
Kremlini mohon se ka përdorur bomba fosfori! Përjashtimi nga G-20: S’është fatale për Rusinë

Rusia mohon çdo shkelje të konventave ndërkombëtare për përdorimin e armëve në Ukrainë, duke mohuar se ka përdorur bomba fosfori. ‘Rusia nuk ka shkelur kurrë asnjë konventë ndërkombëtare,’ u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov në lidhje me akuzat e Kievit. Në lidhje me kërkesën për të përjashtuar Moskën nga G20, Peskov shtoi: Nuk është "dëm fatal" për Rusinë. "Formati i G20 është i rëndësishëm dhe, nëse është e mundur, ne do të marrim pjesë. Por nëse nuk është e mundur, askush nuk do të vdesë," tha ai.

Ora 12:11
Ukraina: Bombardohet aeroporti i Kharkivit

Sipas guvernatorit të Rajonit të Kharkiv, Oleh Synyehubov, "në mbrëmje, ushtria ruse qëlloi dy herë në aeroportin e Kharkiv duke përdorur raketën e shumëfishtë Mlrs", tha ai.

Ora 11:27
Mbulohet me flamuj ukrainas vila luksoze e vajzës së Vladimir Putin në Francë

Flamuj ukrainas janë vizatuar dhe kanë zbukuruar vilën luksoze të vajzës së presidentit rus, Vladimir Putin në Biarritz të Francës.

Vila është 'sekuestruar" më herët nga aktivistë francezë, ndërsa tani ajo është mbuluar nga flamuj ukrainas.

Një foto e vilës së transformuar është postuar në kanalin telegram.

 

Ora 11:15
Chernihiv i rrethuar nga forcat ruse dhe flakët e shpërthimeve

Qyteti i Chernihiv, rreth 150 km në veri të Kievit, aktualisht është "i rrethuar" nga forcat ruse. Kështu ka deklaruar në televizionin kombëtar guvernatori rajonal Viacheslav Chaus, sipas raportimeve nga Guardian .

 Qyteti, shtoi Chaus, është nën zjarret e hapura nga artileria dhe luftëtarët rusë.

Ora 11:14
Kina: NATO i hedh benzinë zjarrit

Kina hedh poshtë akuzat e NATO-s për përforcim të narrativave të rreme të Kremlinit, duke iu referuar veçanërisht vetë aleancës Atlantike dhe luftës në Ukrainë dhe akuzon NATO-n se i ka hedhur benzinë ​​zjarrit. 

Kështu ka thënë një zëdhënës i delegacionit diplomatik kinez në Bashkimin Evropian, pas komunikatës përfundimtare të liderëve të NATO-s , pas samitit në Bruksel, ku përmendet drejtpërdrejt Kina. 

"Sa i përket pretendimeve për përforcim të narrativave të rreme, ato bëhen nga ata që hedhin benzinë ​​në zjarr për të krijuar probleme. Gënjeshtrat do të mbeten gënjeshtra dhe ajo që është e rreme nuk mund të bëhet e vërtetë", thuhet në deklaratë.

Ora 10:36
Biden: Heqja dorë nga nafta ruse vendim i vëshirë, por i duhur! Do furnizojmë Europën me 50 miliardë metra kub gaz në vit

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentet e Komisionit Europian Ursula Von der Layen, presidenti I SHBA, Biden tha se Europa e ka të vështirë të heqë dorë nga furnizimi me gaz rus por ky është vendim I duhur.Ai tha se SHBA do të furnizojë Evropën me 50 miliardë metra kub gaz në vit deri në 2030 deri sa Europa të shkëpusë varësinë ndaj gazit rus.

Ora 10:34
Kryebashkiaku i Mariupol: Mund të ketë 300 të vdekur në teatër

1647702300_20220317t194140z20794064rc294t9sds7qrtrmadp3ukrainiecrisismariupolcustome7906aef01d72c103a92ab0a09e56e7f2231de85s1100c50.jpg

Rreth 300 vdekje dyshohet në sulmin rus në teatrin e Mariupol më 16 mars. Këtë e bën të ditur kryebashkiaku i qytetit duke cituar dëshmitarë. “Duam të besojmë se të gjithë u shpëtuan. Por dëshmitë e atyre që ishin brenda ndërtesës gjatë këtij sulmi terrorist thonë të kundërtën”, thuhet në një shënim nga këshilli i qytetit të Mariupolit.

Ora 10:21
Bombardohet poliklinika në Kharkiv, vriten 4 persona, lëndon 7 të tjerë

Ushtria ruse bombardoi një poliklinikë në Kharkiv, në rrethin Osnovyansky. Kjo është raportuar nga Ukrinform, duke cituar policinë e rajonit të Kharkiv. Nga ky sulm kanë humbur jetën 4 persona.

 "Okupatorët rusë vazhdojnë të vrasin civilë në Kharkiv. Pas bombardimeve të mëngjesit të infrastrukturës civile me raketahedhës, 7 civilë u plagosën, 4 prej të cilëve humbën jetën", shkruhet në shënim, ku thuhet se forcat ruse kanë qëlluar mbi poliklinikën në Osnovyansky.

Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm. Vlen të saktësohet fakti që pranë poliklinikës nuk ka asnjë objekt ushtarak.

Ora 09:48
Hungaria i vetmi vend evropian që del kundër, Orban: Sanksionet energjetike ndaj Rusisë të papranueshme, kundër interesave të popullit

"Kërkesa e bërë nga disa vende dhe nga vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me shtrirjen e sanksioneve kundër Rusisë në energji është e papranueshme dhe kundër interesave të popullit hungarez". Kështu është shprehur presidenti hungarez, Viktor Orban.

 “85% e gazit dhe më shumë se 60% e naftës në Hungari vijnë nga Rusia”, tha ai, duke theksuar se si vendosja e sanksioneve në sektorin e energjisë do të ndikojë në ngadalësim e ekonomisë hungareze.", tha ai.

Orban tha se nuk është i vetmi që ka këtë qëndrim lidhur me sanksionet ndaj Rusisë.

Në fjalimin e tij në videokonferencë në samitin e BE-së, Zelensky kritikoi Orban për pozicionin e tij në lidhje me Moskën.

Ora 09:40
Moska godet depon kryesore të karburantit të ushtrisë ukrainase

Moska goditi një depo karburanti të ushtrisë ukrainase, përmes hedhjes së raketave nga deti.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte goditur një nga depot kryesore të furnizimit jashtë Kievit me një raketë "Kalibr Igor Konashenkov.

Moska raportoi gjithashtu se 204 sisteme ukrainase të mbrojtjes ajrore, 1,587 tanke dhe automjete të tjera të blinduara, 261 dronë janë shkatërruar që nga fillimi i asaj që vazhdon ta quajë një "operacion special ushtarak" në Ukrainë më 24 shkurt.

 

Ora 09:33
'Përdorin përdhunimin si mjet lufte', prokurorja ukrainase akuzon ushtarët rusë: Abuzuan me një grua në sy të djalit

Forcat ruse përdorin përdhunimin si mjet lufte. Kështu ka deklaruar prokurorja ukrainase Iryna Venediktova, duke akuzuar ushtarët e Moskës për përdhunimin e një gruaje në një shtëpi pranë Kievit. Kështu raporton Independent.

Ushtarët, tha Venediktova, hynë në shtëpinë në Brovary, në periferi lindore të kryeqytetit, ku vranë burrin e gruas dhe më pas sulmuan seksualisht gruan e tij para syve të djalit të saj.

Kjo nuk është hera e parë që ushtarët rusë akuzohen për përdhunimin e vajzave dhe grave ukrainase.

Ora 09:28
SHBA pritet të nënshkruajë marrëveshje për gaz me Evropën

1648196944_1648032085gazi.JPG

Bashkimi Evropian pritet të bëjë të ditur një marrëveshje, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara do ta furnizojnë bllokun evropian me gaz të lëngshëm natyror, në mënyrë që të zëvendësohen importet ruse.

Shtetet e Bashkuara pritet të ofrojnë të paktën 15 miliardë metra kub të gazit të lëngshëm natyror deri në fund të vitit, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters. Kombet evropiane janë duke tentuar që të zvogëlojnë varësinë ndaj naftës dhe gazit rus, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Bashkimi Evropian është zotuar për të ndalur për dy të tretat përdorimin e gazit rus këtë vit. Duke folur të enjten në mbrëmje, kryeministri belg, Alexander de Croo, ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Evropë.

Ora 09:25
Gazi dhe nafta ruse, Moska: Mund të pranojmë edhe blerjen me bitcoin

Rusia mund të pranojë Bitcoin nga disa vende si pagesë për furnizimet me naftë dhe gaz.

Lajmi është bërë publik nga kreu i komisionit të energjisë së Dumës, Pavel Zavalny.

Disa ditë më parë Putin vuri ultimatumin që gazi dhe nafta ruse do të mund të blihen vetëm me rubla, duke përjashtuar në këtë mënyrë dollarët dhe euron.

Ora 09:20
Rezistenca ukrainase, Kiev: Po rimarrim qytetet në lindje


Forcat ukrainase kanë rimarrë qytete dhe pozicione mbrojtëse në një zonë deri në 35 kilometra në lindje të Kievit. Lajmin e ka dhënë ministria britanike e Mbrojtjes.
Forcat ukrainase, sipas inteligjencës ushtarake në Londër, do të vazhdojnë të përpiqen t'i shtyjnë forcat ruse përgjatë boshtit veriperëndimor nga Kievi në aeroportin Hostomel.
Në jug të vendit, forcat ruse po përpiqen ende të rrethojnë Mykolaiv-in me synimin për t'u nisur drejt perëndimit drejt Odesës, ndërsa përparimi i tyre po ngadalësohet nga problemet logjistike dhe rezistenca ukrainase.

Ora 09:00
I lënë kokën e derrit në derë, kërcënohet drejtori i stacionit të fundit të lirisë në Rusi: Nuk do lejoj që vendi im të bëhet nazist

Liria e shtypit në Rusi konsiderohet një "krim"!  Drejtuesi prej shumë dekadash i një stacioni radiofonik rus, Aleksei Venediktov ka thënë shpesh se nuk do të lejojë që Rusia të kthehet në një vend nazist.

Stacioni radiofonik “Ekho Moskvy”, i cili cilësohej si i fundit i pavarur në vend, tashmë ka pezulluar transmetimin për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme lidhur me qëndrimet ndaj agresionit rus.

Liria e këtij stacioni ka sjellë revolta, pasi Moskvy në derën e shtëpisë së tij gjeti të ngjitur një simbol të Ukrainës dhe një kokë derri.

 “Gruaja i hodhi ato që hodhën në derën time,  por kamerat kanë filmuar gjithçka”, deklaroi ai vetë pas ngjarjes.

Ora 08:50
Ukraina: 135 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse

Numri i fëmijëve që kanë vdekur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus rritet në 135. Kështu thuhet nga Prokuroria e Ukrainës. ‘Që nga sot, 25 mars, 135 fëmijë kanë vdekur në Ukrainë për shkak të agresionit të ushtrisë ruse. 184 fëmijë janë plagosur.’

Ora 07:54
Bombardimet në Rubizhne, vriten dy roje kufitare

Bombardimet ruse kanë përfshirë të gjithë qytetin e Rubizhne, në lindje të Ukrainës. Si pasojë e sulmeve gjatë natë, dy roje kufitare kanë mbetur të vrarë.

Kjo është raportuar nga agjencia ukrainase UNIAN, e cila citon kreun e administratës civile dhe ushtarake të Lugansk, Serhiy Haidai.

Ora 07:10
Kina: Nuk ka paralelizëm midis Tajvanit dhe Ukrainës, ajo është një çështje e brendshme e jona

Ushtria Çlirimtare Popullore (ushtria kineze) është “gati të kundërshtojë çdo provokim që destabilizon çështjen e Tajvanit dhe kërcënon interesat kineze”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kineze, Wu Qian, për agjencinë Xinhua. 

Wu foli për këtë në përgjigje të përpjekjeve për të tërhequr paralele "midis çështjes së Ukrainës dhe çështjes së Tajvanit"; dhe deklaratat e tij, shtoi agjencia, janë gjithashtu një "përgjigje" ndaj "spekulimeve" të "disa politikanëve amerikanë" mbi "kërcënimin ushtarak" të përfaqësuar nga Kina. 

Wu hodhi poshtë çdo konfrontim midis Ukrainës dhe Tajvanit: “Tajvani nuk është Ukrainë. Çështja e Tajvanit është një çështje e brendshme e Kinës që nuk toleron asnjë ndërhyrje të huaj."

Ora 06:56
Kriza nga lufta, presidenti Biden do të njoftojë rritjen e dërgesave të gazit drejt Europës

Presidenti amerikan Biden do të njoftojë sot një rritje të dërgesave të gazit natyror të lëngshëm në Evropë, një gur themeli i një nisme afatgjatë për të ndihmuar në uljen e varësisë së kontinentit pas mungesës nga gazi rus. 

Sot në mëngjes ai duhet të bisedojë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkruan La Repubblica.


 

Ora 06:45
Ukraina akuzon Moskën: Ka larguar me forcë qindra e mijëra civilë drejt Rusisë

Moska është akuzuar se ka larguar me forcë qindra e mijëra civilë nga qytetet e shkatërruara të Ukrainës në Rusi për t'i bërë presion Kievit që të heqë dorë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky i kërkoi vendit të tij të vazhdojë mbrojtjen ushtarake dhe të mos ndalojë as edhe për një minutë.

Lyudmyla Denisova, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Ukrainës, tha se 402,000 njerëz, përfshirë 84,000 fëmijë, ishin marrë kundër vullnetit të tyre në Rusi, ku disa mund të përdoren si "peng" për t'i bërë presion Kievit për t'u dorëzuar.

Kremlini dha numra pothuajse të njëjtë për ata që janë zhvendosur, por tha se donin të shkonin në Rusi. 

Rajonet lindore të Ukrainës të kontrolluara nga rebelët janë kryesisht rusisht-folëse dhe shumë njerëz atje kanë mbështetur lidhjet e ngushta me Moskën. Me fillimin e luftës në muajin e dytë, të dy palët shkëmbyen goditje të rënda në atë që është shndërruar në një luftë shkatërruese rrënimi. 

Marina e Ukrainës pretendoi se fundosi një anije të madhe ruse në afërsi të qytetit port të Berdyansk, e cila ishte përdorur për të sjellë automjete të blinduara. 

Ndërkohë, Rusia pretendoi se kishte marrë qytetin lindor të Izyumit pas luftimeve të ashpra.


 

Ora 06:34
Instituti për Studimin e Luftës: Rusia po bën avancime në Mariupol

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) thotë se forcat ruse kanë bërë përparim të qëndrueshëm në qytetin jugor të nënshtruar të Mariupolit, duke hyrë në zonën qendrore të qytetit më 24 mars, shkruan BBC.

Qyteti port, i parë si vendimtar për fushatën e Rusisë, është rrethuar nga trupat ruse që nga fillimi i marsit.

Ndërsa situata përkeqësohet në Mariupol, autoritetet lokale ukrainase janë larguar nga qyteti për të koordinuar më mirë operacionet rajonale, thotë ISW, i cila është një institut i pavarur me bazë në SHBA.

Ai tha se forcat ruse gjithashtu kanë vazhduar bombardimin e Kharkiv-it dhe kanë goditur një pikë të shpërndarjes së ndihmave humanitare, duke vrarë gjashtë dhe plagosur 15 persona, dhe kanë siguruar disa përparime të vogla në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Por gjithashtu vuri në dukje sulmin e suksesshëm të Ukrainës ndaj anijeve ruse në portin e pushtuar të Berdyansk, duke shtuar se Ukraina i detyroi trupat ruse në mbrojtjen veriperëndimore të kryeqytetit Kiev dhe duke e penguar Rusinë të rrethonte rajonin e Chernihiv.


 

Ora 06:18
BE: Ndaloni çdo përpjekje për të anashkaluar sanksionet kundër Rusisë

Këshilli Evropian fton të gjitha vendet "të bashkohen me sanksionet" kundër Rusisë. 

“Çdo përpjekje për të anashkaluar sanksionet apo për të ndihmuar Rusinë me mjete të tjera duhet të ndalet”, thuhet në deklaratën përmbyllëse të samitit, shkruan Corriere.

Ora 06:00
Lufta/ Ukraina shkatërron anijen e madhe ruse "Saratov"

Të enjten, zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë se arritën të shkatërronin një anije të madhe ruse të quajtur Saratov në qytetin port të okupuar të Berdyansk, shkruan BBC.

Një tjetër anije, Orsk, u shkatërrua gjithashtu dhe disa anije të tjera u dëmtuan, thanë zyrtarët ushtarakë.

Një konferencë e mëparshme nga ushtria e Ukrainës pohoi se Rusia mbetet e fokusuar në pushtimin e Ukrainës jugore, në një përpjekje për të krijuar një "urë tokësore" në territorin e pushtuar të Krimesë.

Ata ende po përpiqen të kapin qytetet e Popasna, Rubizhne dhe Mariupol në jug, por deri më tani nuk kanë pasur "asnjë sukses".

Në Sumy dhe Kharkiv, rusët po sulmojnë infrastrukturën civile, thuhet në raport, duke shtuar se disa forca ruse po tërhiqen pasi kanë pësuar humbje deri në 50%.

BBC nuk mund t'i verifikojë këto pretendime për momentin.


 

Ora 05:32
Inteligjenca ukrainase: Trupat ruse nuk arritën të rrethojnë Kievin

Përpjekjet e Rusisë për të rrethuar qytetin e Kievit dhe për të bllokuar Chernihiv ishin të pasuksesshme, sipas raportit të fundit të inteligjencës të publikuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, shkruan Corriere. Po ashtu edhe përpjekjet ruse për të pushtuar Popasna, Rubizhne dhe Mariupol.

Rusia "do të përpiqet të rifillojë operacionet sulmuese në drejtim të qyteteve Brovary dhe Boryspil për të bllokuar Kievin nga lindja", sipas raportit. Trupat ruse po bllokojnë gjithashtu qytetet Sumy dhe Kharkiv dhe synojnë infrastrukturën civile, thonë zyrtarët ukrainas.

Tërheqja e disa njësive ruse është për shkak të "humbjes së më shumë se 50% të personelit", thonë forcat e armatosura në Kiev, duke shtuar se Rusia vazhdon të plotësojë humbjet duke trajnuar dhe zhvendosur njësitë rezervë.


 

Ora 05:07
Alarmi i OKB-së: Civilët ukrainas po arrestohen ilegalisht në zonat e kontrolliuara nga rusët

Qytetarët ukrainas ndalohen në mënyrë arbitrare dhe u nënshtrohen zhdukjeve të detyruara në zonat e kontrolluara nga Rusia, deklaroi OKB-ja për BBC. Të paktën 36 raste të ndalimit civil janë verifikuar nga Kombet e Bashkuara. 

Familjeve të të burgosurve shpesh u mohohet çdo informacion për fatin e tyre, thotë OKB. Ndër rastet e raportuara është ai i Viktoria Roshchyna, një gazetare që punonte në zonat e pushtuara në lindje të vendit kur u rrëmbye nga burra të paidentifikuar më 15 mars dhe u lirua gjashtë ditë më vonë.


 

Ora 04:54
SHBA: 60% e raketave ruse kanë dështuar në objektivin e tyre

Shtetet e Bashkuara besojnë se në luftën në Ukrainë raketat ruse me precizion të lartë shpesh dështuan objektivat e tyre, një shkallë dështimi deri në 60% për disa raketa. 

Tre burime amerikane e raportuan këtë për Reuters dhe kjo mund të shpjegojë, shton agjencia, "përse Rusia nuk arriti, në një muaj pushtimi, ato që konsiderohen si objektiva bazë, përkatësisht neutralizimin e forcave ajrore ukrainase". 

Burimet nuk dhanë prova për të mbështetur vlerësimin. Reuters iu drejtua Ministrisë ruse të Mbrojtjes e cila nuk u përgjigj. Duke cituar të dhënat e inteligjencës, burimet shpjeguan se shkalla e gabimit ndryshon nga dita në ditë dhe varet nga lloji i raketës së lëshuar, por mund të kalojë 50%;


 

Ora 04:29
Lufta/ 2 fëmijë të tjerë të vrarë në Ukrainë nga Rusia

Të enjten, u bë e ditur se ushtria ruse vrau dy fëmijë të tjerë në rajonin e Donetsk, në Mariupol dhe Yasnaya Polyana.

"Sot mësuam se rusët vranë 2 fëmijë të tjerë në rajonin e Donetsk: një vajzë 11-vjeçare vdiq në Mariupol dhe një djalë 14-vjeçar vdiq në Yasnaya Polyana. Përveç kësaj, u bë e ditur edhe për 1 të vdekur dhe 5 të plagosur në Mariupol," tha Pavlo Kyrylenko, kreu i Administratës Shtetërore Rajonale të Donetsk, në Telegram.


 

Ora 04:12
Shkatërrimet nga lufta, BE përgatit fondin për rindërtimin e Ukrainës

Konkluzionet e Këshillit të BE-së parashikojnë krijimin e një fondi për rindërtimin e Ukrainës: "Duke pasur parasysh shkatërrimet dhe humbjet e mëdha të pësuar nga Ukraina si rezultat i agresionit ushtarak rus, Bashkimi Evropian është i përkushtuar të ofrojë mbështetje për qeverinë ukrainase për nevojat e saj të menjëhershme dhe, pasi të përfundojë sulmi rus, për rindërtimin e një Ukraine demokratike.

Për këtë qëllim, Këshilli Evropian pranon të krijojë një fond besimi solidariteti për Ukrainën dhe fton partnerët e tij ndërkombëtarë të marrin pjesë".

Ora 04:01
Këshilli Evropian: Krimet e luftës të Rusisë duhet të ndalen menjëherë

Këshilli Evropian i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë menjëherë "krimet e luftës" në Ukrainë, pas një takimi të këshillit të enjten mbrëma.

Këshilli Evropian, organi qeverisës i Bashkimit Evropian (BE), arriti në përfundimin se Rusia po drejton sulme ndaj civilëve dhe objekteve civile si spitalet, objektet mjekësore, shkollat ​​dhe strehimoret.

"Krimet e luftës duhet të ndalen menjëherë," tha këshilli në dokumentet e shpërndara në internet nga zëdhënësi i presidentit të këshillit. Ata që janë përgjegjës dhe bashkëpunëtorët e tyre do të mbajnë përgjegjësi në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Ndihma civile: Këshilli i kërkoi Rusisë të garantojë kalim të sigurt për civilët e bllokuar në zonat e luftës në një destinacion të zgjedhur prej tyre dhe të sigurojë rrugë të sigurta për ndihmën humanitare në qytetet e rrethuara si Mariupol.

Këshilli u bëri thirrje gjithashtu vendeve anëtare të shtojnë përpjekjet për të lehtësuar dhe financuar refugjatët ukrainas. Më shumë se 3.6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit muajin e kaluar, sipas vlerësimeve të OKB-së.

Sanksionet: Deklarata shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të lëvizë shpejt me sanksione të mëtejshme të koordinuara dhe "të fuqishme" ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Këshilli u bëri thirrje "të gjitha vendeve" që të rreshtohen me sanksionet dhe paralajmëroi se "çdo përpjekje për të anashkaluar sanksionet ose për të ndihmuar Rusinë me mjete të tjera duhet të ndalet".


 

Ora 03:38
Sanksionet/ Japonia do të ngrijë asetet e 25 individëve të tjerë rusë

Japonia do të ngrijë asetet e 25 individëve të tjerë rusë dhe do të ndalojë eksportet në 81 organizata ruse, ka njoftuar ministria e jashtme. 

Më herët, kryeministri Fumio Kishida tha se Japonia do të vazhdojë me hapat për t'i hequr Rusisë statusin tregtar të kombit më të favorizuar. 

Ai tha gjithashtu se vendi do të parandalojë Rusinë nga shmangia e sanksioneve financiare duke përdorur asetet dixhitale. 

Vendimi vjen pasi presidenti amerikan Joe Biden njoftoi sanksione të reja ndaj më shumë se 400 individëve dhe subjekteve që “ushqejnë makinën ruse të luftës”. 

Ora 03:31
Lufta/ Moska nis hetimet për laborator biologjik sekret në Kiev

Komiteti Hetimor rus ka hapur një hetim zyrtar për krijimin e laboratorëve sekretë biologjikë në Ukrainë me mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e armëve biologjike të shfarosjes në masë.

Këtë e tha Alexander Bastrykin, kryetar i Komitetit, në një intervistë për agjencinë Tass. “Ne kemi kërkuar dokumentet në dispozicion nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe po konstatojmë rrethanat e asaj që ndodhi në kontekstin e procedurës penale që hapëm sipas nenit për zhvillimin dhe prodhimin e armëve biologjike për viktimat masive”, tha ai. - tha Bastrykin. 

Perëndimi mohon praninë e tyre, vuri në dukje ai. “Megjithatë, ne kujtojmë deklaratat e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të cilët thanë të kundërtën kur flisnin për praninë e strukturave biologjike në Ukrainë.

Ora 03:16
Mbikëqyrësi bërthamor: Punëtorët e Çernobilit nuk mund të shkojnë në punë për shkak të bombardimeve

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), thotë se Ukraina i ka thënë se forcat ruse po bombardojnë pikat e kontrollit në qytetin Slavutych.

Qyteti me rreth 25,000 banorë është vendi ku jetojnë shumë punëtorë nga termocentrali bërthamor i Çernobilit.

Çernobili, vendi i aksidentit më të rëndë bërthamor në botë në vitin 1986, ka qenë nën kontrollin e forcave ruse për rreth një muaj.

Ukraina i ka thënë IAEA-s se bombardimet po rrezikojnë shtëpitë dhe familjet e personelit në Çernobil dhe parandalojnë rotacionin e mëtejshëm të personelit.

Rafael Grossi, kreu i IAEA, tha se ishte i shqetësuar nga zhvillimi i cili vjen vetëm pak ditë pasi stafi u lejua të kthehej në shtëpi pas gati katër javësh pa ndryshim ndërrimi.

Ai tha se IAEA do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.


 

Ora 02:26
SHBA: Rusia do të dalë nga lufta më e dobët

Rusia do të pendohet për vendimin e saj për të sulmuar Ukrainën, u tha gazetarëve në një konferencë të enjten nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikën, Colin Kahl.

"Unë mendoj me një shkallë të lartë sigurie se Rusia do të dalë nga Ukraina më e dobët se sa hyri në konflikt. Ushtarakisht më i dobët, ekonomikisht më i dobët, politikisht dhe gjeopolitikisht më i dobët dhe më i izoluar," tha ai.

Ai shtoi se rusëve po u mbarojnë raketat precize për shkak të konfliktit njëmujor.

Kahl tha gjithashtu se një vlerësim i ardhshëm i strategjisë së SHBA-së do ta shpallë Rusinë "një kërcënim akut", por shtoi se vendi nuk paraqet të njëjtën sfidë afatgjatë për SHBA-në si Kina.


 

Ora 02:10
Zelensky në Këshillin Evropian: Qytete të tëra ukrainase janë bërë hi, nuk ka mbetur asgjë

"Rusia ka shkatërruar tashmë më shumë se 230 shkolla dhe 155 kopshte. Vrau 128 fëmijë. Gjuajnë raketa në universitete. Kanë djegur lagje banimi me raketa. Qytete të tëra, fshatra tani janë vetëm hi. Nuk ka mbetur asgjë”. 

Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij në Këshillin Evropian.


 

Ora 01:57
Zelensky: Sanksionet evropiane ndaj Rusisë ishin "pak vonë", Hungaria të vendosë pozicionin e saj

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi anëtarët e Këshillit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por tha se "ishte pak vonë".

Në fjalimin e tij në Këshillin Evropian të postuar në Facebook të enjten vonë në mbrëmje, Zelensky tha se nëse sanksionet do të kishin qenë parandaluese, kishte një shans që Rusia të kishte shkuar drejt luftës.

“Ju bllokuat Nord Stream 2 . Ju jemi mirënjohës. Dhe me të drejtë. Por ishte edhe pak vonë. Sepse nëse do të kishte qenë në kohë, Rusia nuk do të kishte krijuar një krizë gazi. Të paktën kishte një shans,” i tha ai këshillit.

Zelensky tha para vendeve anëtare: "Ushtria ruse nuk e sheh se çfarë është dinjiteti. Ata nuk e dinë se çfarë është ndërgjegjja. Ata nuk e kuptojnë pse ne e vlerësojmë kaq shumë lirinë tonë. Kjo është ajo që përcakton se si do të jetojë vendi."

Ai tha se Rusia ka shkatërruar tashmë 230 shkolla, 155 kopshte dhe ka vrarë 128 fëmijë në Ukrainë. 

Në fjalimin e tij, Zelensky falënderoi shtetet anëtare për mbështetjen e tyre, por nuk e falënderoi Hungarinë, duke i bërë thirrje kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban që "të vendosë tashmë" për trajtimin e Rusisë.

“Ju hezitoni nëse do të vendosni sanksione apo jo? Dhe ju hezitoni nëse duhet t'i lini armët apo jo? Dhe ju hezitoni nëse do të bëni tregti me Rusinë apo jo? Nuk ka kohë për të hezituar. Është koha për të vendosur tashmë.” 


 

Ora 01:26
Zelensky optimist: Po i afrohemi paqes dhe fitores

"Po i afrohemi paqes, po i afrohemi fitores"! Kështu shprehet presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në mesazhin e ri drejtuar kombit, në fund të një dite intensive bisedimesh, një muaj pas fillimi i pushtimit rus. 

Zelensky, i cili sot foli me liderët e NATO-s, G7 dhe BE-së, si dhe me parlamentin suedez, presidentin lituanez, kryeministrin izraelit dhe britanik, shtoi se nëse Rusia do t'a dinte se çfarë i priste, ajo do të kishte frikë të vinte këtu në Ukrainë.


 

Ora 01:09
Lufta në Ukrainë, sulme të rënda në Irpin nga raketat ruse

Ushtria ruse po kryen sulme të rënda me raketa në Irpin, në veri të Kievit. Kështu ka deklaruar kryetari i qytetit të kontestuar, Oleksandr Markushyn, i cili raporton se është larguar nga qyteti. 

"Tani ka një betejë të madhe në Irpin midis ushtrive ukrainase dhe ruse. Është shumë e rrezikshme të jesh këtu," shtoi Markushyn, sipas të cilit 80% e Irpin kontrollohet nga ushtria ukrainase dhe rusët po sulmojnë me sistemet raketore Grad, shkruan La Repubblica.


 

Ora 00:45
Lufta/ Australia vendos sanksione të reja ndaj presidentit të Bjellorusisë

Qeveria federale australiane ka vendosur sanksione ndaj presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko dhe anëtarëve të familjes së tij, si dhe ndaj 22 rusë të akuzuar për propagandë. 

Transmetuesi kombëtar ABC raporton, duke specifikuar se Lukashenko është shtuar në listën e sanksioneve Australiane për ofrimin e mbështetjes strategjike për Rusinë dhe ushtrinë e saj gjatë pushtimit. 

Raundi më i fundit i sanksioneve nga qeveria e Kanberrës prek gjithashtu 22 persona të përshkruar si "propagandistë rusë dhe operativë dezinformues". Këto përfshijnë kryeredaktorët e medias Russia Today, Strategic Culture Foundation, InfRos dhe NewsFront.

Ora 00:18
Pushtimi nga Rusia, Ukraina dëbon diplomatë bjellorusë

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka kërkuar nga Bjellorusia që të shkurtojë në pesë numrin e diplomatëve në ambasadën e saj në Kiev.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleh Nikolenko, i tha Radios Evropa e Lirë më 24 mars, se ky vendim ishte përgjigje ndaj një vendimi të ngjashëm të ndërmarrë nga Minsku një ditë më parë.

Qeveria bjelloruse tha më 23 mars se do të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme ukrainase që gjendet në Brest, dhe urdhëroi një numër të paspecifikuar të diplomatëve ukrainas të largohen nga ambasada në Minsk, teksa Bjellorusia vazhdon t’i ndihmojë forcat e armatosura ukrainase në sulmet e tyre kundër Ukrainës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bjelloruse, Anatol Hlaz, tha se ambasadori ukrainas dhe katër punëtorë të ambasadës do të lejohen të qëndrojnë në Bjellorusi, ndërsa pjesa e tjetër e stafit do të detyrohet të largohet nga vendi.

Ai tha se ky vendim është marrë për shkak të “veprimeve të shumta jomiqësore të Ukrainës” të kryera ndër vite “me qëllim që të prishen raportet ndërshtetërore” me Bjellorusinë.

Një ditë para këtij vendimi, Shërbimi i sigurisë i Bjellorusisë tha se të paktën dhjetë punëtorë të Ambasadës ukrainase – pothuajse gjysma e stafit të këtij misioni – ishin “anëtarë të drejtorisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës” dhe pretendoi se ata ishin të përfshirë në “rekrutimin e agjentëve dhe mbledhjen e informacioneve të klasifikuara”.

Më 19 mars, Bjellorusia thirri që të ktheheshin të gjithë anëtarët e stafit të Ambasadës në Kiev, që nxiti spekulime se Bjellorusia po përgatitej që të dërgonte trupa në Ukrainë për të ndihmuar forcat e armatosura ruse.

Bjellorusia e ka ndihmuar pushtimin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke lejuar që trupat ruse të shfrytëzojnë territorin bjellorus për të nisur sulme ndaj Ukrainës./REL

Ora 00:02
Pushtimi i Ukrainës, Zelensky u kërkon liderëve të BE-së sanksione ndaj Rusisë për energjinë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të miratojnë sanksione energjetike kundër Moskës. Kjo është bërë e ditur nga burime diplomatike nga samiti e BE-së, shkruan La Repubblica.

Gjatë fjalimit të tij me videokonferencë, e cila zgjati rreth dhjetë minuta, presidenti ukrainas iu drejtua krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane duke thënë se ishte mirënjohës për mbështetjen e treguar deri më tani, duke treguar megjithatë nevojën që vendi i tij të marrë më shumë për të mbështetur Rusinë. në konflikt.


 

Ora 23:51
Boris Johnson: Ka prova se Rusia mund të përpiqet të shmangë sanksionet ndaj arit

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson thotë se ka prova se Rusia mund të përpiqet të kapërcejë sanksionet ndaj arit të tyre.

Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel, Belgjikë, të enjten, Johnson tha: "Ka prova që rusët do të përpiqen të kapërcejnë sanksionet mbi arin e tyre".

Kryeministri i Britanisë së Madhe nuk dha detaje të tjera.

"Ne po marrim hapa për t'u siguruar që nuk ka rrjedhje, asnjë shitje të shufrave në tregjet anembanë botës," shtoi Johnson.


 

Ora 23:33
Britania e Madhe: Ukraina godet objektivat ruse në zonat e pushtuara

Forcat ukrainase po godasin "objektivat me vlerë të lartë" në zonat e pushtuara nga Rusia të vendit, thotë Ministria e Mbrojtjes e Britanisë në një nga përditësimet e rregullta të inteligjencës.

Këto objektiva përfshijnë një anije zbarkimi dhe depo municionesh në portin e pushtuar të Berdyansk, thotë Ministria e Mbrojtjes, shkruan BBC.

Ministria e Mbrojtjes parashikon se ukrainasit do të vazhdojnë të synojnë logjistikën ruse, duke i privuar ata nga furnizimet e freskëta, duke reduktuar aftësinë e tyre për të ngritur sulme.


 

Ora 23:23
Mediat ukrainase: Moska dëshiron t'i japë fund luftës deri më 9 maj

Kremlini u ka bërë të ditur forcave të armatosura ruse se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë deri më 9 maj, ditën kur Rusia feston fitoren ndaj Gjermanisë naziste, shkruan La Repubblica.

Ky është informacioni i inteligjencës që shtabi i përgjithshëm i Kievit pretendon se ka marrë, sipas raportimeve nga mediat ukrainase

Ora 23:20
Lufta në Ukrainë, Kanadaja zgjeron sanksionet kundër Rusisë

Kanadaja ka vendosur sanksione ndaj anëtarëve të Këshillit Rus dhe ka filluar një proces të kufizimit të eksporteve të disa mallrave dhe shërbimeve drejt Rusisë.

Kështu u raportua nga zyra e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau.

Kanadaja po vendos sanksione ndaj 160 anëtarëve të Këshillit të Federatës Ruse për ndihmën për të shkelur sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Gjithashtu në ditët në vijim, Kanadaja do të ndalojë eksportin e mallrave dhe teknologjive të caktuara në Rusi.

Kanadaja gjithashtu do të dhurojë 50 milionë dollarë për disa organizata ndërkombëtare për të ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën dhe vendet fqinje.

Kujtojmë se në Kanada ka nisur një program i përkohshëm migrimi për ukrainasit , i cili parashikon një leje qëndrimi deri në tre vjet, të drejtën për punësim dhe arsimim.


 

G.B.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?