Fushata i ka kushtuar shumë shtrenjtë Lulzim Bashës, jo vetëm në sasinë e parave që ka paguar për konsulentët izraelitë. Kostoja më e lartë u duk në përfundimin e fushatës që nxorri në pah fytyrën e vërtetë të Lulzim Bashës. Pudra e përdorur me kujdes për muaj me rradhë më në fund u shkund. Buzëqeshja është venitur dhe tani mund të njohim Lulin e vërtetë.
Luli tentoi ta shiste veten si europian, i shkolluar jashtë, djalë i qytetëruar e me edukatë. Por shikoni si i censuron dhe sulmon me propagandë cilindo që tenton të thotë publikisht se fajin për humbjen e PD e ka Luli.
Luli pretendoi se ishte tolerant dhe se arroganca nuk ishte aspak tipar i tij, por shikoni si nuk i qas as brenda oborrit të selisë demokratët e zhgënjyer që protestojnë kundër tij.
Luli thoshte se mandatet për një Kryeministër që fiton duhet të jenë të limituara, por shikoni si tenton të qendrojë i mbërthyer fort pas PD-së, duke rrefuzuar të japë dorëheqjen, edhe pse për veten e vet ka humbur plotë 5 pale zgjedhje rresht.
Luli pretendonte se ishte e reja, e ardhmja, por në zgjedhjet e ardhshme do të jetë kryetari i partise i dënuar më gjatë për të ndejtur në opozitë, plotë 12 vjet rekord.
Dhe me një rekord punesh që plotë 2 herë rresht kanë marrë verdiktin negativ të shqiptarëve, Luli i plakur nuk ka më asgjë çfarë tu ofrojë votuesve të këtij vendi.
E vërteta është e thjeshtë: Luli Partinë Demokratike e sheh thjesht dhe vetëm si një biznes që e bën atë dhe familjen e tij të pasur. Fale PS-së biznesi i kunatit do të vazhdojë të ketë klientë. Oligarkët do të vazhdojnë të paguajnë haracin e përmuajshëm. Luli do të mund të vazhdojë të kalojë përmes zonës VIP në Rinas sa herë do të udhëtojë për në Hollandë. Dhe mbi të gjitha, teksa këto do të ndodhin, Luli nuk do të ketë asnjë përgjegjësi, nuk do të duhet të mbajë asnjë premtim, nuk do e vrasë mendjen për asnjë problem. E ku ka më mirë se kaq për një individ si Luli, që nuk ka asnjë ambicie më shumë se sa të jetojë në luks duke mos punuar. Kjo është e vërteta. Dhe këtë e di jo vetëm Luli, por e di edhe Partia Demokratike, edhe gazetarët, edhe “oligarkët”, tashmë edhe shqiptarët.