Partia Demokratike ka thirrur të hënën një miting proteste në Tiranë si vijim i protestave të mëparshme që e kanë zanafillën qysh nga 16 shkurti i këtij viti. Pas daljes nga sistemi, ku tashmë kjo parti nuk përfaqësohet më në asnjë nivel pushteti, legjislativ e vendor, sigurisht që e vetmja rrugë për të qenë faktor politik do t’i mbetet rruga. Lulzim Basha ka një ide fikse në tru se vetëm qenia në rrugë do të jetë çelësi për ta risjellë PD-në në pushtet.
Ai dhe partia e tij hoqën dorë prej pushteteve që jua garanton demokracia duke besuar se PD-ja duhet të tentojë sërish atë që bëri afro 29 vjet më parë ku, e sapoformuar, nisi rrugën drejt pushtetit pikërisht nga rruga.
Nuk e di se ku e ka pasur këtë garanci Lulzim Basha që ta trajtojë Shqipërinë dhe situatën me atë të 29 viteve më parë, por mbase nuk i duhet ngrënë haku dhe le të lihet të besojë në atë që ai e gjykon si alternativën e vetme që e i ka mbetur partisë së tij për të rrëzuar Edi Ramën dhe PS-në nga pushteti.
Fundja çfarë duhet të bëjë tjetër kryetari i PD-së ku, me mos prezencën në Kuvend (aty ku luhet dhe bëhet politika e madhe, aty ku debatohet ballazi me kundërshtarin, aty ku me votën pro ose kundër jep mesazhin se si i mbron interesat e popullit, aty ku shpalos edhe vizionet në shumë fusha të jetës për t’i përcjellë drejtpërdrejt elektoratit alternativën që përfaqëson) nuk di se si të justifikohet para të vetëve të cilët i kishte garantuar se djegia e mandateve parlamentare dhe mos hyrja në zgjedhjet vendore, do të ishte një periudhë e përkohshme?!
Tashmë ai nuk ka marrë vetëm më qafë PD-në, por edhe aleatët e vetë natyral të cilët po bëjnë disa vite që nuk arrijnë dot të testojnë veten se sa vota kanë partitë e tyre në elektorat. Mori më qafë edhe aleatin e majtë, LSI, e cila çfarë nuk ka bërë për t’i siguruar ato mandate përfaqësimi në nivel qendror e vendor.
Protesta e 8 korrikut do të jetë e para për PD-në pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Tek protestat e mëparshme ajo shpërfaqi gjithë arsenalin e saj të dhunshëm për t’ia arritur qëllimit sipas skenarit të përgatitur që me këto mjete qeveria “Rama” do të binte. Mbase deri diku do ia kishte arritur sikur të mos kishte hasur në atë strategji të shkëlqyer policore për të mbrojtur institucionet.
Lulzim Basha e dinte që Edi Rama nuk do t’i përdorte armët e zjarrit për çfarëdolloj situate ekstreme të ndodhte tek godinat e kryeministrisë apo Kuvendit. Ai e dinte se nga policia e Edi Ramës nuk do dilte as edhe një fishek manovre, për shkak të kompleksit me ngjarjen e 21 janarit. Gjithashtu Lulzim Basha e dinte se luftën trup më trup apo me shkopinj gome e kishte të fituar. Huliganët e tij ishte mprehur për t’u bërë heronj vetëm me gërvishtjen e parë dhe do e kërkonin me ngulm gjakosjen si dekoratë të së nesërmes.
Ajo që ai nuk parashikoi ishte përdorimi i gazit lotsjellës nga policia. Prandaj u tërbua kundër këtij elementi parandalues të dhunës i cili nuk shkakton asnjë viktimë apo të plagosur. Prandaj e hiperbolizoi përdorimin e tij, sepse e pa që s’po ia dilte dot të realizonte atë për të cilën kishte marrë angazhim e për të cilën dogji edhe mandatet.
Kurse tek protesta e së hënës ai ka deklaruar se s’do të ketë përdorim të dhunës. Çështja është se nëse deri më 30 qershor përdorimi i dhunës kishte një motiv, ai për rrëzimin e qeverisë “Rama”, që i nxiste grupet e mbështetësve të tij, paqësore apo të dhunshëm qofshin, për të marrë pjesë, pas 30 qershorit çfarë motivi duhet të ketë një demokrat për t’i shkuar pas Lulzim Bashës?!
Çdokush e pa që me protesta të dhunshme kjo qeveri nuk u rrëzua. Fatin më të madh PD-ja dhe Lulzim Basha e kishin që ta rrëzonin atë me votë. Por strategjia që zgjodhën ishte tmerrësisht e keqe.
Le të biem dakord që djegia e mandateve, pavarësisht se ishte e gabuar, ta marrim të mirëqenë se ishte një veprim për të dhënë një mesazh të fortë politik. Partia Demokratike kishte në dorë edhe disa përgjime zgjedhore që pavarësisht se ishin keqpërdorur për shantazh politik, mbase kushedi publikimi i tyre do sillte një reflektim në popull. Duke u mjaftuar vetëm tek djegia e mandateve, Lulzim Basha kishte një periudhë 4 mujore deri në zgjedhjet e 30 qershorit që kauzën e tij për zgjedhje të lira e të ndershme ta kthente në një alternativë duke e alternuar edhe me ofrimin e një programi bindës për elektoratin, jo vetëm demokrat.
Natyrisht, le të organizonte protesta, por ato të ishin paqësore dhe me objekt të qartë: denoncimin e fenomeneve negative të qeverisjes aktuale nga njëra anë, dhe mundësitë që ofronte opozita për një qeverisje më të mirë prej saj nga ana tjetër. Sado frikë të kishte personalisht Lulzim Basha nga fuqia politike e Edi Ramës, ai duhet të transmetonte në publik besimin e tij se opozita (e bashkuar) kishte mundësinë ta mundte kryeministrin Rama, çfarëdo që ai të bënte.
Ofrimi prej kryeministrit Rama i sfidës për Lulzim Bashën që nëse opozita fitonte qoftë edhe një bashki më shumë se mazhoranca (31 nga 61) vendi të shkonte në zgjedhje parlamentare, ishte diçka që Lulzim Basha jo vetëm nuk duhet ta refuzonte, por përkundrazi, të angazhohej përpara popullit që do fiton 2/3, pra 41 bashki, në të kundërt do t’i refuzonte zgjedhjet e parakohshme. Ky është modeli që frymëzon njerëzit, votuesin, të cilët i vë përpara një situate të tillë: Doni ta rrëzojmë këtë qeveri? Më jepni 41 bashki. Po më dhatë 31 bashki zëre se keni votuar për qëndrimin e Edi Ramës në pushtet.
Lulzim Basha nuk zgjodhi këtë rrugë që edhe po të mos ia dilte, s’do e nxirrte të humbur, por zgjodhi modelin anarkik, atë model që s’ta mbështet dot as perëndimi. Partia Demokratike humbi gjithçka brenda vendit, ashtu sikurse humbi edhe mbështetjen ndërkombëtare. Më e rënda është se u izolua edhe tek ata miq tek të cilët kishte vite që investonte, por që e panë që rruga e tij ishte një model i rrezikshëm që s’mund të bëhej shembull për vatra të tilla të nxehta siç është Ballkani. Dhe ata u detyruan të dalin hapur kundër këtij modeli që deshi t’u imponojë Lulzim Basha.
Tashmë Lulzim Bashës i ka mbetur vetëm të justifikohet me një shifër 85 për qind “bojkotuesish” që e nxjerr si argument absurd për t’i dhënë kurajë vetes dhe të vetëve se ende ka shpresë. Sërish po gabon, duke i marrë shqiptarët për budallenj sikur nuk kuptojnë nga shifrat dhe pjesëmarrja historike në proceset zgjedhore.
Bën mirë që të heqë dorë nga kjo retorikë e 85 për qindëshit, sepse është në dëm të tij. E kam fjalën që po mbeti tek kjo shifër, çdokush do i bëjë atë pyetjen e thjeshtë: Kur Edi Rama ka kaq pak mbështetje në popull, përse ti, zoti kryetar i opozitës jashtë parlamentare, nuk u ndeshe me të tek kutia e votimit por i bishtnove turpshëm si një disfatist i regjur?
Bën mirë që të heqë dorë nga kjo shifër, ta pranojë realitetin dhe të mos e kthejë në lajtmotiv, sidomos me të huajt, përndryshe do fillojmë të dyshojmë fort se më këtë mbështetje kaq të madhe që paska pasur opozita dhe me këto pozita kaq të dobëta qeveria, i bie që Lulzim Basha ka bërë lojë të fshehtë me Edi Ramën, si një sabotator nga brenda PD-së, për ta nxjerrë me lezet nga tregu politik partinë e parë të pluralizmit në Shqipëri.
Nuk di të parashikoj për një kohë të gjatë se çfarë do të ndodhë brenda PD-së, por logjikisht Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen për dështimin e projektit të tij. A ishte prapa këtij projekti Sali Berisha e Ilir Meta, kjo nuk ka fare rëndësi. Sot për sot kryetar zyrtar i PD-së është Lulzim Basha dhe është ai që përgjigjet për çdo vendimmarrje finale.
Mbase ai i mbijeton këtij dështimi duke gjetur ndonjë alibi që do i bindë edhe njëherë demokratët ta pranojnë, edhe pse sot i ka lënë pa asnjë përfaqësim politik. Nëse ia del, atëherë duhet ta shfrytëzojë këtë periudhë 2 vjeçare, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të ndryshuar strategji dhe të mos përsërisë gabimet e së shkuarës. Nëse vijon me të njëjtën rrugë dhe linjë politike si deri më sot, projeksioni është i qartë: E tatëpjeta politike që ka marrë Partia Demokratike do të jetë e pakthyeshme. / Tema
Mbase ai i mbijeton këtij dështimi duke gjetur ndonjë alibi që do i bindë edhe njëherë demokratët ta pranojnë, edhe pse sot i ka lënë pa asnjë përfaqësim politik... Natyrisht qe "demokratet e rrugores" kane nivelin me te ulet te zgjuarsise,prandaj ata hane gjthcka qe u servirin bajraktaret.Bathoriste hesapi!
Përgjigju