Kreu i PD-së Lulzim Basha

Opinion

Lorenc Vangjeli: Lulzim Basha ka të drejtë

19 Shtator 2021, 14:41| Përditesimi: 19 Shtator 2021, 17:21

  • Share

Në katër zgjedhje të njëpasnjëshme, të përgjithshme dhe lokale, Lulzim Basha ka bërë çdo gjë të mundshme për të humbur dhe ka realizuar me përpikmëri çdo gabim të mundshëm. Përtej ndeshjes personale të humbur në ide, vizion apo qoftë dhe staturë e talent politik ndaj Edi Ramës, Lulzim Basha ka mposhtur edhe vetë rrethanat që dukej se e diktonin atë si produkt, por jo si zgjedhje për postin e kryeministrit. Megjithatë, çdo betejë të humbur politike, me hir apo me pahir, me zgjedhje apo me detyrim, për llogari të hajrit të pritshëm apo për pamundësi të pritjes së diçkaje tjetër, demokratët ja kanë falur dhe e kanë lejuar të rifillojë sërish. Madje, aty ku marrëzia është gjithmonë zgjuar, ja kanë cilësuar fitore edhe një pjesë të humbjeve dhe duartrokitur si sukses edhe ca nga dështimet më spektakolare. Për paradoks, i vetmi akt politik i paqortueshëm që ai ka bërë, largimi i Doktor Berishës nga grupi parlamentar, po shndërrohet në një arsye për ndarje të PD-së në dy linja armiqësore dhe në shpërthimin e një histerie urrejtjeje kundër tij. Sot, njëra palë në PD apo pranë PD-së është më e zemëruar me Bashën sesa me Ramën. Dhe arsyeja se pse po ndodh kështu, është pikërisht njeriu që udhëheq këtë linjë urrejtjeje në PD, pikërisht ai që e konsideron vetë Ramën, më të lig se AntiKrishtin.

Sali Berisha po bën një betejë të gabuar, në kohën e gabuar dhe me mjetet e gabuara kundër njeriut të gabuar. Ai e di më mirë se kushdo një gjë të tillë, por ndjek me ngulm bindjen se mbas tij duhet të vijë vetëm qameti. Në të gjitha rrethanat, kjo nuk është një betejë politike dhe këtu qëndron gënjeshtra më e madhe e kësaj drame që po luhet në PD, por që ndikon në mënyrë marramendëse gjithë shoqërinë shqiptare. Berisha nuk ka asnjë argument politik në favor. Ai luan dhe do të luajë deri në fund me argumente njerëzore: “Unë e morra dhe e solla në Tiranë. E bëra ministër dhe kryetar bashkie. I trashëgova partinë dhe e mbrojta ndaj të gjithëve dhe si shpërblim Basha më përzuri!”.

Edhe pse të gjitha këto kujtime të Doktorit janë të dhembshme, edhe pse brenga e tij është njerëzore dhe e kuptueshme, pretendimet e tij nuk janë politikë. Politika edhe pse ka emocione, nuk kushtëzohet dhe nuk duhet të ndikohet nga emocionet. Për më shumë, përzjerrja e gjysëm të vërtetave zakonisht prodhojnë gënjeshtrën më të madhe. Edhe nëse vetë Doktori e fsheh, për përkrahësit e tij duhet të jetë e qartë se beteja është për orientimin gjeopolitik të opozitës zyrtare të vendit. Basha ka zgjedhur bregun Lindor të Atlantikut, Berisha po zgjedh Lindjen e Evropës. Këtu verifikohet që Basha ka të drejtë dhe që Berisha, sovranistët e ringjallur dhe neokomunistët e vjetër të Tiranës, herët a vonë do të rikuptojnë se çdo frymëzim antiamerikan në këtë vend, është fatmirësisht i destinuar të dështojë dhe të mbetet minorancë tronditëse. Një minorancë e mjaftë sa për të rikujtuar xënxën dhe ngutin e pakuptueshëm në vite të shumë njerëzve publikë në Shqipëri, që janë të gatshëm të djegin çdo jorgan për hir të pleshtave vetjakë, që janë të gatshëm të humbasin njërin sy, me kusht që kundërshtari t’i plasin të dy sytë, që frymëzohen nga urrejtja dhe urrejnë dashurinë!

Ka plot arsye pse Berisha i ka hyrë udhës së humbjes së luftës edhe nëse fiton beteja të pjesshme. Dhe ato nuk vijnë vetëm nga SHBA-ja, por kryesisht nga mënyra sesi ai është sjellë me pushtetin e tij në Tiranë. Ai ka heshtur kur Basha bëri dje me të tjerët, me Topallin, Imamin, Patozin, Bregun e deri me Nishanin dhe doktor Kosovën, fiks atë që i bëri atij. Në fakt duhet shënuar se edhe atëherë Basha, ndryshe nga sa thonë kritikët e tij dhe më ndryshe akoma sesa e justifikojnë duartrokitësit e tij, morri dhe ushtroi përgjegjësi: me të drejtën e postit, i konsideroi ata bashkëpërgjegjës për gjithë çfarë kishte shkuar keq në dy mandatet e njëpasnjëshëm të Berishës. Çka në thelb ishte njohje e përgjegjësive të vetë Berishës dhe parathënie e fatit të atij vetë.

Gjithë çfarë po ndodh këto ditë është prova ulëritëse e egoizmit të pabesueshëm të Berishës, e sedrës dhe karakterit të tij cinik dhe hakmarrës, që e shtyn të jetë i gatshëm të vrasë edhe vetë PD-në, me kusht që gërmadha e saj të zerë Bashën brenda.

Në këto ditë inkandeshente askush nuk e ka pyetur Doktorin nëse qoftë dhe një tërheqje me stil, do të ishte më e dobishme për të gjithë. Nëse Doktori do të dilte të pranonte vetëngrirjen e tij nga prania në grup, gjithçka do të ishte më e lehtë për të tërë. Ky do të ishte akt logjik për të gjithë, por jo për Doktorin. Mjeshtrat e simetrisë përmendin Gramoz Ruçin e socialistëve që zgjodhi të ikë, i mbuluar nga lavdia dhe lëvdatat, në vend që të rrezikonte dhe ai duke ndenjur më tej. Berisha nuk mund të ngrihej dot deri në lartësinë e modestisë së Ruçit, ai nuk mundte të vepronte në mënyrë normale, sepse ai është anormal në politikë. Berisha nuk e ka dashuruar pushtetin, por e ka përdhunuar sa herë që i ka ulërirë instikti. Në këtë kuptim, përballë tij Basha është shumë më i dlirë, i virgjër dhe i pafajshëm: ai vetëm e ka përdorur pushtetin! Ndaj, në morinë e gabimeve dhe mëkateve që i numërojnë miqtë dhe kundërshtarët, së paku kësaj here, e ka përdorur pushtetin e tij në mënyrën e duhur, të dobishme dhe të drejtë.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?