Lulzim Basha 'ringjall' Berishën-Metën e 2009-s

25 Shkurt 2021, 18:53| Përditesimi: 25 Korrik 2022, 09:48

  • Share

Subkoshiencë, riciklim, apo një vizion për rikthim në të shkuarën? Ka bërë shumë përshtypje emërtimi i koalicionit zgjedhor të PD-së me të njëjtën logo siç Berisha quajti “trenin” e tij të vitit 2009-Aleanca për Ndryshim.

12 vjet pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur Sali Berisha, paraardhësi i Lulzim Bashës, arriti së bashku me koalicionin e tij të disa partive politike 70 mandate, kreu aktual i opozitës, risjell të njëjtën ofertë politike.

E cila brenda në menu, ka jo vetëm emërtimin tëpkë me vitin 2009, por edhe “garniturën” postzgjedhore LSI, ku Ilir Meta, edhe pse është në Presidencë, shikohet si njeriu me të cilin Lulzim Basha do të bëjë Qeverinë e re.

Ndryshimi është se nëse atëherë, PD ishte në Qeveri, kësaj here është në opozitë, madje prej 8 vitesh. Dikush mund të thotë se nuk është Berisha, po Basha.

Realisht kjo nuk duket se qëndron aq shumë, pasi në formë, koalicioni që PD ka rreth vetes, ka të njëjtin emër, në përmbajtje si thelb ka LSI-në si aleate kyçe, por pas zgjedhjeve. Në atë kohë të fshehtë, sot të hapur.

Risia e vetme e “Aleancës së sotme për Ndryshim” është se ka Dulen, Ndokën dhe Dukën, që 12 vjet më parë ishin në krahë të ndryshme.

Dulja dhe Duka ishin në aleancë me Edi Ramën, kurse Ndoka ishte në një koalicion centrist, që arriti në fund të marrë 27 mijë vota e pak në shkallë kombëtare.

Në fakt, gjithçka pritej që Basha do ta bënte koalicionin me këta emra që i kishte prej kohësh si bashkëpunëtorë, më shumë se aleatë, njerëz që kanë mbështetur lëvizjet e tij brenda PD-së.

Po ta krahasosh me vitin 2009 gjërat janë mjaft më ndryshe; edhe pse Basha del me të njëjtin emër të aleancës.

E vërtetë është në fakt se si 12 vjet më pare, strumbullarët e kësaj aleance janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët duan që ta mundin Edi Ramën. Kjo është e njëjta panoramë.

Por ndryshe nga 2009-a, PD-ja nuk ka Jozefina Topallin si kreu i listës së Shkodrës, por e ka kundërshtare.

Nuk kanë Paulin Sterkajn kandidat për deputet në Malësi të Madhe, e kanë kundërshtar.

Në Lezhë, njësoj si në vitin 2009, PD-ja ka sërish Mark Markun, por nuk ka Edi Palokën e Aldo Bumçin.

Në Kukës, PD-ja është në një listë me LSI-në dhe nuk ka Flamur Nokën si flamur elektoral.

Në Dibër nuk është Jemin Gjana, por Xhelal Mziu-lëvizje paralele.

Në Durrës, në vitin 2009, PD pati si flamur Ferdinand Xhaferrin, sot ka Edi Palokën, megjithëse Xhaferrin e ka si kryetar për Qarkun.

Në Elbasan, në 2009 ishte Lulzim Basha, sot ka njeriun më të afërt të tij, Gazmend Bardhin, ndërkohë ka rikthyer “njohjen e vjetër”, Dash Sulën.

Në Fier, një qark me shumë mandate dhe që pati një përplasje të fortë në 2009, ishte Sokol Olldashi që drejtonte listën e PD-së, sot është Enkelejd Alibeaj.

Në Korçë, ishte Ridvan Bode atëherë, sot është Edmond Spaho.

Në Vlorë Astrit Patozi, sot është Bujar Leskaj, që në atë kohë ishte idhtar i Bamir Topit.

Natyrisht që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe rrjedhur që nga 2009-a, kur PD vinte me një logjikë prej mandatit të pare, ku pati edhe arritje, por edhe probleme; arritje siç ishte arrestimi i bandave të rëndësishme në vend, ndërtimi i Rrugës së Kombit, por kishte edhe humbjen e rëndë në zgjedhjet vendore të 2007-s, sikurse edhe katastrofën e tmerrshme e Gërdecit, e cila rezultoi se ishte një aferë që kondicionoi më pas sjelljen e Sali Berishës ndaj institucioneve për të mbrojtur të birin Shkëlzenin, por edhe Fatmir Mediun e Lulzim Bashën, ndaj të cilëve pati akuza nga Prokuroria e kohës.

Por ajo që ndikoi më shumë për PD-në, ishte anëtarësimi në NATO, që është një gur kilometrik i rëndësishëm i vendit, e ku PD realisht nuk është se ndikoi me ndonjë reformë suplementare, thjesht ndodhi një proces gjeopolitik në kohën kur qeveriste ajo.

Megjithatë, kanë rrjedhur shumë ujëra prej atëherë; PD ka pësuar një disfatë si ajo e 2013-s, edhe si pasojë e qeverisjes së 2009-2013-s, ku partneri kryesor i PD-së ishte Ilir Meta, e që më pas shkoj me Ramën.

Por thelbi nuk është lëvizja politike sesa logjika e rinovimit, risisë, ndryshimit.

Sot PD e Lulzim Bashës ka aq mungesë fantazie sa edhe nuk nxjerr dot një logo e emër të ri të koalicionit, por kërkon në magazinë dhe nxjerr nga kutitë e vjetra të kartonit, emrin e vjetër të aleancës që solli Sali Berishën me Ilir Metën në pushtet.

Të jetë thjesht një mungesë fantazie? Nuk duket tamam ashtu, por ngjan më shumë një logjikë e imponuar e vullnetit të një aleance, që realisht është thelbi edhe i këtyre zgjedhjeve.

Vërtetë Lulzim Basha kandidon për kryeministër, por protagonistët realë të “Aleancës për Ndryshim” janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Ndaj dhe duket se kjo gje nuk ngjit kollaj e provokon siklete e dorëheqje andej- këndej.

Duket si relike e një kohë të shkuar. Që duan ta shesin për të ardhme…

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?