Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Macron: Të përmbushet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

9 Prill, 07:16| Përditesimi: 9 Prill, 07:19

  • Share

Presidenti francez Emmanuel Macron, tha të hënën se vendi i tij synon të sigurohet që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, do të përmbushet. Ky normalizim, tha ai. “është një zotim për qëndrueshmërinë e rajonit dhe të kontinentit tonë”.

Presidenti Macron i bëri këto komente në një konferencë shtypi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para një takimi në Paris ku të hënën në mbrëmje do të diskutojnë rreth mbrojtjes dhe sigurisë evropiane, marrëdhënieve dypalëshe në këto fusha si dhe procesin e normalizimit Kosovë – Serbi, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

“Ndërsa agresioni rus në Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, ne kemi hyrë në një epokë të re që është ajo e ribashkimit të vazhdueshëm të Evropës sonë. Integrimi i Serbisë është në interesin tonë të përbashkët. Nuk është një proces i imponuar, është zgjedhje sovrane e Serbisë. Është zgjedhja për të ecur lirisht drejt një modeli që na lejon të mbrojmë më mirë sovranitetin tonë së bashku dhe jam i bindur se Serbia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në forcimin e autonomisë strategjike të Bashkimit Evropian”, tha presidenti francez, duke theksuar se Serbia duhet “të harmonizojë qëndrimet e saj me BE-në”.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në BE, është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit mbi Kosovën.

Presidenti Macron tha se është thelbësore që përgjegjësit për sulmin në Banjskë që ndodhi vjeshtën e kaluar, të vihen para drejtësisë. Me 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, duke vrarë një oficer policie.

Kosova akuzoi Serbinë për organizmin e sulmit, të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më”, tha presidenti Macron, duke theksuar se duhen më shumë veprime “për të tejkaluar tensionet e krijuara nga vendimet e marra së fundi nga Kosova lidhur me transferet financiare, veçanërisht pasi autoritetet e Kosovës po bëjnë përparim, në përputhje me zotimet e marra për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe por edhe me aspiratat e tyre për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Presidenti serb Vuçiç, tha se çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm është një nga temat e diskutimeve në Paris. Ditë më parë ai urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup punues për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse me marrëveshjen e vitit të kaluar palët zotohen të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ai shprehu mospajtimin me presidentin Macron i cili tha se të dyja palët kanë bërë hapa për zbatimin e marrëveshjes, duke akuzuar Prishtinën për mosrespektim të saj.

“Ata organizuan zgjedhje ku dolën vetëm 3.4 për qind e votuesve. Prandaj jam dakord me dëshirën tuaj për riorganizimin e zgjedhjeve të reja, por ato janë duke mos i lënë të ndodhin ende. Nga ana tjetër kryen shpronësime në veriun e Kosovës për të vendosur policët e tyre, ushtarët e tyre, ndonëse nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Sot ende nuk kemi përgjigje se pse disa njerëzit qëlluan fëmijët tanë vetëm sepse mbanin një pemë tradicionale të Krishtlindjes. Sot flasim vetëm për incidentin në Banjskë, por askush nuk e trajton çështjen e mbijetesës së popullit serb në veri të Kosovës", tha presidenti serb.

Para takimit presidenti serb tha se do të diskutojë një gamë çështjesh me presidentin Macron, përfshirë inteligjencën artificiale, energjinë bërthamore dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me synimin për të blerë 12 avionë luftarakë francez, Rafale.

Të dy presidentët diskutuan edhe për situatën në Bosnjë dhe shqetësimet perëndimore me veprimet e udhëheqësit të Republikës Serbe, Milorad Dodik i cili është zotuar të vazhdojë të dobësojë vendin e dërmuar nga lufta deri në copëtimin e tij.

Më herët të hënën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i cili priti në Bruksel udhëheqësin e presidencës boshnjake Denis Beciroviç, shprehu shqetësimin e tij për veprimtaritë ndarëse të Milorad Dodikut, duke i cilësuar ato "të pamatura dhe të rrezikshme".

Një politikan pro rus, Milorad Dodik, i cili më parë ka bërë thirrje për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?