Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se vetëm ditën e djeshme, me dyfishimin e personeleve mjekësore në pikat kufitare, janë vlerësuar dhe kontrolluar 4500 udhëtarë në total, të ardhur nga jashtë, veçanërisht nga Italia, ku koronavirusi ka shënuar viktimat e para. Pas kontrolleve, udhëtarëve që vijnë nga zona me risk u merren edhe adresat e qëndrimit për të paktën dy javë, ku kontaktojnë vazhdimisht me mjekët dhe qëndrojnë në vëzhgimin e tyre, brenda kohës 2 javore që koronavirusi mund të shfaqet tekrastet e dyshuara.
Manasterliu tha se ministria ka protokollin kombëtar të punës për të përballuar situatën, sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH-së. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, janë ata që trajnojnë bluzat e bardha në të gjitha shërbimet shëndetësore. Ministrja bëri të ditur, se strukturat e kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë janë vendosur në gjendje gatishmërie.
"Sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH, janë përkthyer në protokolle kombëtare të punës sonë. Në të gjithë protokollin që ne zbatojmë, jemi duke ndjekur situatën. Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar. Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti. Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin", tha Manastirliu.
Ministrja tha se gjithçka është nën monitorimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe sa i përket gatishmërisë së sistemeve - tha Manastirliu - vendi ynë ka marë vlerësim.
Lajmi kryesor:
Rasti i dyshuar rezultoi negativ, Manastirliu: Asnjë i infektuar me koronavirus në Shqipëri! Jo koha për mbyllje të shkollave e kufijve me Italinë (VIDEO)
G.M.//ReportTv.al