TIRANË - Qeveria pritet të depozitojë në Kuvend një nismë ligjore për qartësimin dhe ashpërsimin e dënimit për këdo që përfshihet në ndërtime të paligjshme. Nisma do të ndërmerret pas pasojave të tërmetit shkatërrimtar të së martës, i cili la pas 51 viktima, mbi 600 të plagosur dhe një kosto financiare ende të pallogaritshme.
Ndërtesat e pasigurta, me shtesa nga më të çuditshmet dhe të rrezikshmet, jashtë lejes dhe jashtë çdo standardi sigurie, me mbikëqyrje abuzive, janë identifikuar si shkaku kryesor i humbjes së jetëve njerëzore.
Po çfarë parashikon legjislacioni penal aktual për ndërtimet e paligjshme, për rrjedhojë të pasigurta për të përballur një tërmet si ai i së martës?
Në Kodin Penal, i cili përmban 335 nene, ka vetëm një paragraf të shkurtër për ndëshkimin e përgjegjësve për pasojat e rënda që kanë sjellë ndërtimet e tyre, në shkelje të lejet dhe kritereve të sigurisë, si dhe një nen për dënimin e mbikëqyrësve të punimeve.
Më konkretisht, paragrafi i fundit i nenit 199/a të Kodit Penal parashikon që ndërtimi i paligjshëm ‘kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.
Ndërkaq, i gjithë kapitulli XI, për veprat penale të që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve, përmbajnë katër nene dhe fokusohen tek shpërdorimi dhe pushtimi i tokës, dhe jo tek humbjet njerëzore nga kjo veprimtari e paligjshme.
Neni 199/b i këtij kapitulli parashikon që dënimin deri ne 3 vjet të personit që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të paligjshëm. Edhe ky parashikim u krijon mundësi shkelësve t’i shpëtojnë ndëshkimit, pasi nuk ka një kufi minimal ndëshkimi, por vetëm një kufi maksimal me tre vjet.
Ndryshimet e fundit të miratuara nga Kuvendi në Kodin Penal kanë hyrë në fuqi vetëm në muaj më parë, por në këtë paketë nuk përfshihej çështja e ndërtimeve të paligjshme, e cila doli në pah pas tërmetit.