Edhe në debatin e mbrëmshëm të Edi Ramës me dy gazetarë që janë pranë Berishës, u hap një temë, që herë pas here del në diskutime prej vitesh. Temë, që Sali Berisha dhe enturazhi i tij e ka pasur dhe e ka si kal beteje për qeverisjen e tij.
Bëhet fjalë për rrugët e rëndësishme që u ndërtuan gjatë qeverisjes së tij. Ku ndër më kryesoret janë Rruga e Kombit, rruga e Elbasanit, rruga e Vjosës, me një fjalë Levan-Tepelenë, dhe autostrada Levan-Vlorë.
E për këtë diskutim, thuhet shpesh me pezm, me një frustrim që është kthyer në një mani persekutimi, sipas të cilës “edhe pse ndërtoi rrugët shqiptarët nuk votuan Berishën.
Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë praktik.
Sali Berisha e nisi ndërtimin e Rrugës së Kombit, edhe pse financimi i saj ndikoi rëndë në buxhet, me një ide të qartë në vitin 2006, në atë që PD më në fund ta thyente tabunë elektorale, ku nuk arrinte dot të fitonte zgjedhjet si parti e parë.
E për këtë, së bashku me kompaninë që e këshilloi në fushatën e vitit 2005, atë të Damir Faliçit, e më pas me Podesta-n e famshme të SHBA, hartuan strategjinë e njeriut që ndërton rrugë. E kështu në një pjesë të madhe në vend, u hapën shumë kantiere infrastrukturore. Edhe pse shumica e tyre nuk mbulohej dot përnjëherë me buxhet, por fakt është se nisën. Ndërkaq, një set i madh rrugësh rurale, që u ndërmorrën nga Fondi i Zhvillimit me drejtues Benet Becin, arritën të përfundonin.
“Rruga”, u kthye në ideologjinë politike të Sali Berishës në qeverisje, por siç ndodh shpesh me këtë formacion politik, asnjëherë nuk u përdor me karar dhe u keqpërdor si strategji komunikimi.
Madje u arrit deri aty, ku shkrimtarë të lidhur me PD-në, shkruan libra për rrugët, si p.sh për atë të Kukësit, ku kryqëzohej Edi Rama si armik i saj.
Përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, tre muaj para tyre, një sondazh i rëndësishëm që u bë nga kompania prestigjoze amerikane Zogby, nxori PS-në në krye. Por dy javë para zgjedhjeve, po Zogby, nxori një tjetër perceptim. Ku palët ose ishin aty aty, ose PD-ja e Sali Berishës ishte në krye. Por çfarë kishte ndodhur? PD-ja po korrte efektin e strategjisë së rrugëve. Berisha së bashku me Erdoganin e Hashim Thaçin hapi tunelin e Thirrës, përuroi nisjen e punës së tunelit të Elbasanit, rrugës së Vjosës dhe atë të Vlorës.
E kështu në zgjedhjet e qershorit 2009, Partia Demokratike ka marrë rezultatin më të mirë elektoral që nga viti 1992. Ku për herë të parë ishte si parti kokë më kokë me PS-në, e si koalicion arriti të marrë 4 deputetë më shumë se Edi Rama. E më pas siç dihet lidhi aleancë me Ilir Metën, duke marrë kështu mandatin e dytë qeverisës.
E pikërisht kjo ndodhi një vit pas një katastrofe të përmasave të mëdha siç ishte Gërdeci. Çdo parti do të kishte kosto të rëndë me këtë ngjarje, aq më shumë Partia Demokratike. Por, siç bënë të ditur sondazhet ishte pikërisht politika infrastrukturore që i dha pikë Sali Berishës.
Por ç’ndodhi më pas? Ndodhi ajo që dihet. Rrugët e rëndësishme nuk u mbyllën kurrë. Edhe pse u bë tuneli i Elbasanit, rruga deri në Bradashesh, e një pjesë e Unazës së Madhe, për të shkuar deri në tunel nga TEG ishte një odise më vete, në një segment ku pati një rritje eksponenciale të lëvizjes. E ku pati vazhdimisht aksidente, madje edhe në ditën e inagurimit me pompozitet të tunelit.
Po ashtu u ndërtua rruga nga Levani në Vlorë, gjë që gjithashtu rriti lëvizjen, por për të shkuar nga Fieri në Levan ishte një torturë që zgjaste më shumë se një orë nga trafiku i rënduar. Kështu nuk u mbyll edhe rruga e Kombit etj. Shumë përkrahës të Berishës, sidomos ata që janë nga Dibra, thonë se edhe rruga e Arbrit u nis nga Berisha, e madje ish-zv.ministri i financave shkruante në rrjete këto ditë se edhe tenderimet e disa loteve ishin bërë nga ajo qeveri.
Ishte kjo logjikë e punëve publike, që përveç të tjerave penalizoi më pas PD-në në zgjedhjet e 2013-s. E ku në fushatë u luftua pikërisht me rrugët. Rama, nuk e shmangu këtë argument, por përdori aksiomën “rrugë të lënë rrugëve”. Të cilat më pas u përfunduan gjatë qeverive të PS-së. Për të cilat natyrisht që është debatuar e debatohet mbi kohën e fondet, pasi cilësia nuk ka qenë argument përgjithësisht. E ndërkaq, pikërisht rrugët, kanë qenë edhe luftë e madhe politike, për të ndaluar kryerjen e projekteve të mëdha, siç ndodhi me Unazën e Madhe për shembull.
Edhe mbrëmë Sejamini, i tha Ramës që asnjë investim i bërë nga ai nuk është relevant, por kanë qenë rrugët e kryer nga Berisha që i kanë dhënë vendit frutet për zhvillim. Por për këtë, si PD e si Berisha e mori dy herë vlerësimin e publikut. Në zgjedhjet parlamentare të 2009-s dhe në ato vendore të 2011, madje edhe rezultati j 2013-s ishte inerci e këtij opinion. Natyrisht do të kishte qenë më i gjatë edhe më i pasur rezultati nëse të gjitha rrugët që nisen të ishin bitisur deri në fund, apo në shumicë dhe me cilësi. Vijimi sot i këtij argumenti, duket më shumë një hipotezë arkeologjike, sesa një argument politik. Tema