Konferenca “Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë luftës së ftohtë” e organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë ka vijuar edicionin e saj të dytë me një tematikë të veçantë, që fokusohet në marrëdhëniet e Italisë dhe Shqipërisë në periudhën e diktaturës Komuniste. Ndërsa në edicionin e parë të mbajtur një vit më parë, u trajtuan marrëdhëniet e të dyja vendeve në fokusin e politikave dhe marrëdhënieve të trazuara të shteteve të Europës, menjëherë pas luftës së Dytë Botërore, në edicionin e dytë çështjet janë shtruar në një analizë të gjerë dhe shkencore, “të pastruar” nga ideologjia komuniste. Këtë e ka bërë të mundur hapja e arkivave dhe dalja në dritë e disa dokumenteve sekrete, ku ngjarjet që ulin dhe rrisin intensitetin e marrëdhënieve italo-shqiptare zhvillohen në një kohë kur shteti shqiptar nisi të udhëhiqej nga modeli sovjetik dhe kur Kina në vitet ’70 ishte bërë më e afërt se shteti fqinj Italia.
Ambasadori italian Alberto Cutillo që ka çelur konferencën, është shprehur se;
Është koha që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë komuniste të shihen nën një dritë krejt të re. Ka qenë kaq afër dhe kaq larg Italia për Shqipërinë komuniste, ndërsa historianët e të dyja vendeve përmes dokumenteve kanë nisur të zbulojnë një tregim tjetër për marrëdhëniet mes tyre gjatë luftës së ftohtë. Arkivat e Luftës së Ftohtë janë hapur dhe mundësia që iu ofrojnë studiuesve është e pafundme.
Alberto Cutillo
Nën moderimin e Dr. Paolo Rago-s kumtesat e mbajtura nga Luca Riccardi, Universiteti i Cassinos, Nicola Pedrazzi,Romë, Nevila Nika dhe Valentina Duka, Tiranë, dhe Luca Micheletta, Romë, e të tjerë është folur për probleme që lidhen me dialogun për stabilitetin dhe sigurinë në detin Adriatik dhe thellimin e marrëdhënieve mes popujve në dobi të progresit të përbashkët dhe sesi u bënë Italia e Shqipëria viktimat ideologjike që u vendosën pas perdes së hekurt.
Prof, Luca Riccardi nga Universiteti i Cassinos është shprehur ndër të tjera se:
Shqipëria dhe Italia janë dy popuj që pas disa dekadave të vështira paraardhëse, dalëngadalë filluan të zbulojnë se janë edhe më afër nga sa mendonin. Pra, nuk janë vetëm dallimet ideologjike. Edhe nën këto dallime ka një afërsi kulturore prej ajri të Adriatikut
Luca Riccardi
Profesor Riccardi ka theksuar se diplomatët italianë dalin se nuk paskan qenë dhe aq të izoluar për të parë realitetin brutal të komunizmit në Shqipëri. Ai ka kujtuar se një pjesë e tyre frekuentonin katedralen katolike, deri atëherë kur ishte e hapur. Sipas dokumenteve Riccardi ka zbuluar se ka pasur një përshkallëzim në përndjekjeve fetare në Shqipërinë e tri feve.
Më të privilegjuarit ishin bektashinjtë për shkak se ishin patriotë, pastaj vinin ortodoksit që vlerësoheshin se kishin punuar për Pavarësisnë e Shqipërisë dhe më të persekuturit ishin katolikët, sepse ata cilësoheshin si shërbëtorë të fashizmit, edhe për faktin se në Shqipëri kishte pasur shumë priftërinj italianë dhe kisha katolike udhëhiqej nga Vatikani. Enver Hoxha donte të shquhej në botën komuniste, të ishte realizuesi i një komunizmi të plotë, efektiv dhe origjinal që kishin dashur Marksi dhe Lenini, prandaj duhej aksioni ndaj fesë që ata e cilësonin opium për popullin.
Luca Riccardi
Ndërsa Dr. Nicola Pedrazzi në fjalën e tij ka trajtuar ndërhyrjet e Kinës në qeverinë shqiptare për të ulur intensitetin e marrëdhënieve diplomatike të Italisë me Shqipërinë.
Nga këndvështrimi i studimit tim janë vite të një konflikti të madh ideologjik, edhe për partinë komuniste italiane, ku lindin grupe komuniste filo-kineze që shohin tek Shqipëria tokën që kishte kurajën të kryejë një revolucion, një tokë komuniste që ia kishte dalë mbanë, një tokë të së ardhmes. Këto grupe fillojnë të vizitojnë Shqipërinë për të njohur komunizmin shqiptar. Pra, bëhet fjalë për një përvojë ideologjike
Nicola Pedrazzi
Prof. Valentina Duka në kumtesën e saj ka hedhur dritë në qëndrimin dyfytyrësh të qeverisë shqiptare me Italinë, që madje fliste për dy politika italiane kundrejt Shqipërisë.
Njëra në dukje miqërore dhe predispozuese për fuqizim të marrëdhënieve politike, ekonomike, akademike dhe kulturore dhe tjetra armiqësore, penguese që sipas diplomatëve shqiptarë të vendosur në Romë dukej në çdo hap të punës së tyre. Në informacionet që ata i dërgonin Tiranës, ankoheshin për zvarritje në dhënie vizash për specialistët shqiptarë që do të shkonin në Itali sipas marrëveshjeve të aprovuara, në shtyrje pa shpjegim në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja bashkëpunimi tekniko-akademik, shtyrje pa arsye të nënshkrimit të marrëveshjes në fushën tregtare, e cila u realizua më në fund në vitin 1964 (duke sjellë një gjallërim të marrëdhënieve të kliringut, por jo në fushën e kredisë kapitaliste), si dhe trajtimi si diplomatë të kategorisë së dytë të diplomatëve shqiptarë. Ambasada shqiptare gjithashtu ishte e pakënaqur edhe nga niveli i përfaqësimit të qeverisë italiane në ceremonitë që organizonte Ambasada shqiptare për festën e çlirimit
Valentina Duka
Prof. Nevila Nika është shprehur se “Një ndarje që i ndodh Shqipërisë është Lufta e Ftohtë, nga një e majtë europiane më njerëzore në një të majtë të egër krejtësisht lindore”. Përmes këtyre konferencave krahas studimeve italiane për Shqipërinë e periudhës fashiste dhe emigracionin e madh të viteve nëntëdhjetë, po mbushet edhe një boshllëk historiografik. Nga prof. Luca Micheleta u theksua se “Versione të ndryshme të komunizmit në vende të ndryshme të Ballkanit kanë krijuar modele të dogmatizuara të historisë”. Ai kujtoi se pavarësisht marrëdhënieve që krijonin shtetet komuniste me Shqipërinë, interesi i tyre ishte ta përdornin këtë vend si pikë strategjike për interesat e tyre.
Fillimi i viteve ’50 të shekullit XX e ndau Evropën dhe botën të ndarë në dy kampe të ndryshëm ideologjikë, kulturorë dhe diplomatikë. Dihet se gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të përballeshin asnjëherë ushtarakisht njëra me tjetrën, por vendet e treta do të shërbenin si mish për top ndaj luftës së heshtur
Luca Micheleta
Gjatë kësaj konference, historianët shqiptarë e ata italianë gjatë kërkimeve të tyre kanë hedhur dritë në rrëfimin e marrëdhënieve të vërteta, duke shmangur tentativën e leximit të imponuar të historisë të fshehur pas perdes së ashtuquajturës Lufta e Ftohtë.