Marrëveshja për emigrantët me Italinë, ‘The Times’ zbulon projektin e bazës në Lezhë

17 Dhjetor 2023, 17:14| Përditesimi: 18 Dhjetor 2023, 07:30

  • Share

Edhe pse gjykata Kushtetuese pezulloi votimin në Kuvend, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve ka ngjallur interesin e mediave britanike. Qeveria e kryeministrit Rishi Sunak po përballet me sfida pasi plani i saj për të dërguar në Ruandë emigrantët që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britani, u shfuqizua nga gjykata e lartë.

Gazeta “The Times” ka dërguar një gazetar në Lezhë, ku ka parë nga afër vendin ku parashikohet ngritja e qendrës pritëse të emigrantëve në portin e Shëngjinit. Sipas gazetës britanike, plani i qendrës përfshin 4 godina, të rrethuara me perimetër sigurie.

Pjesë e qendrës janë dhomat e intervistimit për oficerët italianë të emigracionit, ku një zonë është dedikuar për agjencinë europiane të emigracionit Frontex, ndërkohë që media britanike thotë se ky detaj, ekspozon praninë e Bashkimit Europian në këtë projekt.

Marrëveshja mes dy vendeve, parashikonte ngritjen e strukturave pritëse në Shëngjin dhe atyre akomoduese në Gjadër, me shpenzimet e palës italiane. Qeveria e Romës, do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, si kostot e kujdesit shëndetësor, si dhe largimin e emigrantëve nga Shqipëria.

Drafti ishte duke u votuar në parlament por u hoq nga axhenda pas pezullimit nga gjykata Kushtetuese e cila ka caktuar 18 janarin si datë për seancën e parë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes.

1702836968_planimetria.jpg

Planimetria për bazën e emigrantëve në Lezhë

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?