E kuptoj gjithnjë e më shumë se pas viteve ’90 ka munguar vullneti për të ndërtuar një të Djathtë të mirë strukturuar në ide, filozofi, program qeverisës, model qeverisës dhe mbi të gjitha si model shoqëror. Tashmë nuk ka dyshime se terreni i Djathtës në Shqipëri ka mbetur vetëm në nivel individësh të cilët e lidhen përkatësinë e tyre politike për shkak të kaluarës e sidomos me faktin se familjarët e tyre ishin të djathtë dhe si të tillë me ardhjen e Regjimit, ata u sulmuan, dhunuan dhe u denigruan nga të gjitha të drejtat elementare si vota, mendimi i liri, të jetuar të lirë, të shprehurit lirshëm, nga e drejta e votës së tyre, nga e drejta e profesionit e sikur të mos mungonin këto, shpesh u privuan edhe nga e drejta për të jetuar duke u eliminuar sikur të mos ishin qenie njerëzore në mesin e natës në pyje apo buzë lumenjve dhe kanaleve.
Në fakt, e Djathta nuk pati ndonjë sukses konkret identifikues pas viteve ’90 e kjo lidhet me faktin, se ata që dikur ishin fëmijët e zotërinjve të Shqipërisë, të internuar, të burgosur dhe të trajtuar si kafshë dhe jo njerëz, pas viteve ’90 e deri në ditët e sotme nuk patëm asnjë lloj rientegrimi qoftë për të rikuperuar statusin e tyre sociale të rrëmbyer padrejtësisht, por shumë prej tyre nuk fituan përsëri të drejtën e pronës si pasojë edhe Ligjit 750 e nuk mundën as të rikuperonin statusin e tyre në këndvështrimin arsimor, sepse pas rënies së Regjimit dolën pa gjë dhe u përballën më politikanë të tranzicionin që i lanë pa gjë duke menduar vetëm për familjarët e tyre me të njëjtën mendësi të Bllokut si në kohën e Regjimit. Çdo ditë shikojmë tashmë nipa e fëmijësh deputetësh e politikanësh që arsimohet në universitetet më të mira private të Londrës dhe SHBA-ve edhe pse formalisht të ardhurat e tyre nuk ua mundësojnë një gjë të tillë.
Dështimit i artikulimit dhe rimodelimit të të Djathtës si model shoqëror, partiak apo edhe qeverisje ndodhi edhe për faktin, se pushtetin pas viteve ’90 e morën pikërisht ata që kishin qenë në pushtet ose që kishin pasur privilegje të pushtetit dhe për këtë të fundit ishin shpërblyer me karrierë apo edhe opsione të tjera. Shumë të përndjekur në ngjarjet e viteve ’90 nuk mund të ishin as fizikisht në rrugët e Tiranës apo të ishin banorë të kësaj të fundit, sepse atyre u ishte ndaluar transferimi në qytetet e mëdha. Pra, shumë të përndjekur nuk mund të ishin as fizikisht në ngjarjet e viteve ’90 në Tiranë e kjo i bëri ata të ishin shumë larg sferës për pushtet apo për privilegje.
Klasa politike shqiptare aktuale, për fatin e keq të shqiptarëve është ajo, e njëjta që ishte pikërisht në fillimin e viteve ’90! Kjo klasë politike në shumicën e rasteve është trashëgimtare e Regjimit me lidhje direkte gjaku dhe në disa raste të tjera një derivat i të kaluarës autoritare.
Përfaqësues e të Djathtës duhet të duken ose duhet të dukeshin nga vendimet dhe aksionet politike të ndërmarra ku padyshim bëjnë pjesë edhe marrëveshjet politike. Këto të fundit nuk duhet të kenë eskluzivitet privilegjet e protagonistëve që negociojnë dhe janë palë në firmosje. Këto marrëveshje nuk duhet të kenë në finalitet ashtu siç po ndodh në fakt marrjen e mbajtjen e një mandati ose përpjekjet për të siguruar një mandat në optikën e ngushtë të një rroge të mirë, të disa privilegjeve apo edhe në këndvështrimin e shterpë të pasjes një imunitet për tu ndjerë i paprekshëm në rrethana e situata të ndryshme politike e pse jo edhe në qasje ndaj drejtësisë.
Marrëveshjet duhet të jenë negociata e tentativë për të mbrojtur interesat e saj çfarë përfaqëson dhe nëse kjo e fundit është sjellje e sinqertë dhe jo vetëm një mënyrë për të mashtruar apo për të tradhtuar mbështetësit. Marrëveshja e fundit në fakt nuk ka asgjë të Djathtë e asgjë demokratike! Pse? Të djathtët shqiptarët ose shumica e shqiptarëve u ngritën kundër Regjimit edhe si akt për të fituar sovranitetin e tyre që u ishte rrëmbyer, keqpërdorur në emrin e tyre. Ne patëm një Regjim që deputetët i delegonte duke prezantuar vetëm një listë dhe një subjekt! Shqiptarët formalisht shkonin në votime për të konfirmuar atë që kishte vendosur Partia! Po sot pas kësaj marrëveshje a ka ndonjë dallim të madh me Regjimin përsa u përket zgjedhjes së deputetëve? Jo! Sepse, përsëri do të kemi listën e mbyllur të Partisë, të blinduar nga kryetari dhe zgjedhësit thjeshtë duhet të konfirmojnë atë listë në shenjë besnikërie dhe devotshmërie ndaj liderit dhe Partisë! Pra, situata është përsëri e njëjtë dhe tashmë mund të themi se jemi në kushtet e një diktature të re. Ku dallon kjo diktaturë nga ajo që patëm para viteve ’90? Ndryshimi është i thjeshtë: Para viteve ’90 kishim vetëm një Parti që diktonte e impononte çfarë të donte në emër të popullit e ndërsa sot kemi dy parti që diktojnë dhe imponojnë çfarë të duna në emër të qytetarëve! Pra, në thelb nuk ndryshon asgjë, përveç konceptit të shumësit se kemi më shumë se një parti dhe kalimit nga terminologjia popull thuajse demode në terminologjinë votues apo qytetarë. Vazhdojë të theksojë se Djathta është një gjë serioze e domosdoshme për shoqërinë dhe politikën dhe ajo duhet të ringrihet në lartësinë e merituar! Mundësia e bërjes së kësaj është shkëputja nga e kaluara edhe nga ajo e protagonistëve të viteve ’90 që vazhdojnë të bëjnë gjithçka për të qëndruar.