Carlo Ancelotti është i përzgjedhuri dhe duket se do të jetë ai që do të marrë drejtimin e Italisë. Çështja e trajnerit tek Italia ka muaj që është e nxehtë dhe në orët e fundit Carlo Ancelotti duket sikur ka parakaluar Roberto Mancinin.
Disa orë më parë ka pasur një takim sekret në Romë mes Ancelotti-t dhe drejtuesve të Federatës të përcaktuar për të zgjedhur trajnerin e ri Fabbricini dhe Costacurta ku Federata i ka ofruar Ancelotti-t postin e trajnerit.
Ky është takimi i dytë i Ancelotti-t me drejtues të FIGC dhe ky është një sinjal i qartë se Federata italiane ka zgjedhur ish-trajnerin e Real Madrid, Milanit, Chelseat dhe Bayernit për të ringritur të kaltërit. Në takimin e parë vetë Ancelotti kishte shumë dyshime ndërsa pas këtij takimi palët duket sikur kanë rënë dakord në shumë aspekte dhe mungon vetëm marrëveshja në aspektin financiar.
Vendimtare do të jenë ditët në vijim por Federata italiane dëshiron që trajneri i ri në këtë rast Carlo Ancelotti të jetë në pankinë që në 28 maj në miqësoren ndaj Arabisë Saudite.