Ende në Greqi, ku qëndroi përpara vizitës së saj në Turqi, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock rikonfirmoi sovranitetin e Greqisë në mosmarrëveshjet për disa ishuj në Detin Egje dhe hodhi poshtë pretendimet territoriale të Turqisë. Lesbos, Kos, Rodos dhe shumë ishuj të tjerë i përkasin Greqisë, tha Baerbock dhe "askush nuk ka të drejtë ta vërë këtë në pikëpyetje."
Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë janë përkeqësuar sërish masivisht. Ankaraja bëri kohët e fundit thirrje për tërheqjen e ushtrisë greke nga këta ishujt. Turqia po mundohet t'i përforcojë këto kërkesa edhe përmes fluturimeve që po kryejnë avionët luftarakë turq mbi ishujt e banuar grekë. Greqia e justifikon vendosjen e trupave me praninë e anijeve të shumta zbarkimi në bregun perëndimor të Turqisë.
Tensionet mes dy vendeve u rritën në verën e vitit 2020 pasi Turqia dërgoi në Mesdheun lindor anije gjeologjike, të shoqëruara edhe nga anije luftarake, për të kërkuar për depozita gazi në këtë zonë potencialisht të pasur me gaz natyror .
Turqia akuzon Gjermaninë për anshmëri
Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock u bëri edhe një herë thirrje të dy vendeve, anëtare të NATO-s, që të angazhohen në dialog dhe të respektojnë sovranitetin e njëri-tjetrit. Kjo e zemëroi homologun e saj turk, Mevlut Çavusoglu. Në konferencën e përbashkët për shtyp, ai deklaroi se Gjermania e ka humbur paanshmërinë në rolin e saj si ndërmjetës dhe se Berlini duhet t'i dëgjojë të dyja palët pa paragjykime.
Edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, i dënoi gjatë takimit me ministren Baerbock eksportet gjermane të armëve në Turqi, veçanërisht eksportin e nëndetëseve. Që nga viti 2004 Gjermania i ka shitur Turqisë anije luftarake ose komponentë për nëndetëse në vlerë prej miliardash. "Me këto nëndetëse ekziston një rrezik i madh që ekuilibri i fuqive në Mesdhe të dalë jashtë ekuilibrit”, paralajmëroi Dendias dhe duke akuzuar njëkohësisht Turqinë se po kërcënon në mënyrë efektive vendin e tij me luftë./DW