4 persona janë vrarë nga një 19-vjeçar afroamerikan në Memphis, Tennessee për arsye ende të paqarta. Autori paralajmëroi vrasjen live në Facebook dhe është arrestuar pak orë më vonë nga policia. Një nga viktimat është identifikuar si Ezekiel D. Kelly.
“Po shkoj dhe do ta bëj në mënyrën time, me kamera. Do ta bëj me të vërtetë, jam serioz. Mos mendoni se po bëj shaka”, janë fjalët e tij teksa shihet duke dalë nga automjeti i tij për t’u futur në një dyqan. Por duket se nuk ka qenë vetëm kjo skena e krimit.
I riu ka shtënë të paktën shtatë herë në vende të ndryshme të qytetit ndërsa forcat e policisë, përpara se ta arrestonin kishin përhapur urdhrin për banorët e disa lagjeve të mos dilnin nga banesat e tyre. Lidhur me profilin e 19-vjeçarit rezulton se në shkurt të vitit 2020, Kelly, asokohe 17 vjeç, u akuzua si i rritur për tentativë vrasjeje të shkallës së parë, përdorimin e një arme zjarri për të kryer një krim të rrezikshëm, sipas të dhënave të gjykatës.
Të dhënat tregojnë se ai u deklarua fajtor për sulm të rëndë dhe u dënua në prill 2021 me tre vite. Kelly u lirua nga burgu në mars, 11 muaj pasi u dënua, tha kryetari i bashkisë së Memphisit, Jim Strickland. Sa i takon rendit dhe sigurisë ky qytet është tronditur nga disa vrasje të profilit të lartë gjatë javëve të fundit, duke përfshirë të shtënat e një pastori gjatë një grabitjeje makinash, vrasja e një aktivisteje dhe vrasja e një gruaje që u rrëmbye.