Pas mbledhjes së qeverisë mbi masat që vendi ynë ndërmerr për virusin Corona nga dita e sotme deri në datë 3 prill, ministrja e Kulturës, Elva Margariti për “ReportTV” flet edhe për masat që do të ndërmerren sa u përket pezullimit të aktiviteteve kulturore që ishin programuar.
“Po e evidentojmë se cilat do të jenë ato aktivitete që duhet që të ndërpriten deri në datë tre prill, koncertet apo aktivitete që kanë një numër të madh pjesëmarrësish nuk është e drejtë që të vazhdohen. Do të rishikojmë gjithashtu edhe disa aktivitete të tjera, siç mund të jetë prezenca e të moshuarve në sallat e leximit në Bibliotekën Kombëtare”.
Institucionet e kulturës nuk do të mbyllen për administratën, ndërsa do të shtohen masat e higjienës prej tyre.
“Nuk ka pse të ecim në këtë parim, por mjaftojnë rregullat e thjeshta të higjienës personale të mos kontaktit të vazhdueshëm të dorezave apo të tavolinave të dizefektuara, derisa nuk kemi raste që shfaqin simptoma s’ka pse të përhapim panik. Duhet që të krijojmë një komunikim për mos përhapjen e panikut. Nuk e shikoj të gjykueshme që të ndërpritet puna në administratë”, thotë Margariti.
Kostoja financiare edhe në këtë fushë, mesa duket nuk do të rëndojë vetëm në shitjen e biletave.
“Do të bëjmë një parashikim të përafërt të dëmit që do të shkaktohet, kemi kosto jo vetëm nga biletat, por edhe kontratat që duhet respektuar. Por edhe këtë hap duhet që ta ndërmarrim”.
Margariti si koordinatore e projektimit të rindërtimit flet edhe për masat që do të ndërmerren në këtë drejtim.
“E vetmja gjë që do të ndryshojë, është që planet që do të prezantoheshin përmes dëgjesave publike për momentin nuk do të zhvillohet. Planet e detyruara vendore në bazë të 26 zonave të miratuara, një pjesë është miratuar, sot miratohet një pjesë tjetër e madhe, grupi i dytë. Puna do të vazhdojë, si në hartimin e projekteve edhe në procedurat e fondeve. Kemi miratuar të gjithë procedurën për prokurimin e banesave kolektive, nuk ka pse tërë ndërpritet në asnjë moment. Do të hyjë thjeshtë një prioritet, së bashku me prioritetin e corona virusit, që do të vazhdojnë normalisht, si detyrime të qeverisë”.
Ministrja e Kulturës në fund ka edhe një mesazh sensibilizues edhe mbështetjen që në këto momente duhet të japin artistët.
“Nuk duhet të panikosemi. Artistët duhet që të japin mesazhe pozitive tek çdokush në këto momente, t’u qëndrojnë pranë njerëzve, për të mos përhapur panik”, thotë Margariti.
Në vendin tonë deri më tani numri i të evidentuarve që janë prekur nga virusi Corona është 2 persona.