Ka nisur një fushatë denigruese ndaj deputetëve të opozitës, të cilët po pranojnë të marrin mandatet që u takojnë ligjërisht në Kuvend. Me ritmin e nisur, LSI thuajse mund ta riplotësojë Grupin Parlamentar, ndërsa PD duket se po ashtu mund ta kalojë gjysmën.
Ky nuk është ndonjë bilanc që vlen për qeverinë. Nuk vlen as për të konsideruar të zgjidhur krizën politike në të cilën ka marrë zvarrë Sali Berisha ,opozitën. Por vlen shumë për të kuptuar, se si opozita e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, kanë gjashtë vite që nuk japin llogari askund për atë që bëjnë, duke fajësuar për çdo humbje kundërshtarin. Njësoj siç sillen me humbjet në zgjedhje, ata po sillen dhe me humbjen e integritetit të listës së tyre në raport me Kuvendin.
Gjëja e parë që po bëjnë, është që po denigrojnë kandidatët si injorantë, trafikantë, të dënuar, budallenj , etj epitete, dhe i thonë këto në kontekstin, sikur këta ua ka zgjedhur Edi Rama.
Së pari, nuk besoj se janë kështu shumica. Disa prej tyre që njoh janë njerëz normal, dhe ndonjëherë mbi nivelin e atyre idiotëve që Basha nxjerr në mitingje. Por nëse do ishte e vërtetë kjo që thotë Basha në ofensivën e tij kundër tyre, kjo është një arsye që ai të iki nga drejtimi i PD-së, dhe jo të konsiderojë veten, si viktimë të listës së tij. Ky rast tregon më së miri, se si ky njeri nuk pranon kurrë të marrë përgjegjësi për çfarëdo gjëje që bën, përfshi dhe listen, që e ka mbrojtur me aq fanatizëm këto dy vjet.
Së dyti, ka një pafytyrësi në trajtimin që u bën disa kryetarëve apo individëve të partive të vogla, apo ish- deputetëve të partive të tjera, të futur në listat e Partisë Demokratike, duke i quajtur dhe ata tradhtarë. Për të gjithë ata që kanë harruar, pika më e fortë e Lulzim Bashës ndaj kundërshtarëve brenda partisë në kohën e çadrës, ishin pikërisht kryetarët e partive të vogla dhe individë të shquar të këtyre partive, që erreshin e gdhiheshin me të në çadër. Duke mbajtur në krah një listë me mbi 10 kryetarë partish të vogla, përfshi dhe partitë joparlamentare, Lulzim Basha fuqizoi veten dhe flaku nga Partia Demokratike, gjithë kundërshtarët e vet, duke bërë aleancë me partitë e koalicionit.
Ai i garantoi të gjithë aleatët se do t’i fuste në listat e PD, vetëm që ata të mos e tradhtonin tek çadra, që ishte projekti i tij politik. Dhe ata nuk e tradhtuan. Kur Lulzim Basha bëri listat në mesnatë, bazuar tek kontributet në llogarinë e Kunatit, natyrisht që i la shumicën e individëve dhe partive jashtë parlamentare në fund të listave, duke i tallur ata dhe duke i konsideruar mbushës topi. Ata i duheshin vetëm si fasadë në çadër, për të mos thënë që ishte braktisur nga emrat e njohur të partisë së vet. Sapo mbaroi punë me çadrën dhe bëri pazar me Edi Ramën, Lulzim Basha i flaku ata dhe me një cinizëm të pashoq, i ka futur në lista përtej numrit maksimal që ka Parlamenti për një qark. Fjala vjen, nëse në Tiranë, Lulzim Basha duhet të paraqiste 34 kandidatë, ka paraqitur 50, duke u tallur me këta aleatë, disa prej të cilëve janë pas numrit 34 në listë. Kështu ka bërë dhe në qarqe të tjera. Ndërkohë votat e partisë së tyre, aq pak sa janë, kanë shkuar për Lulzim Bashën. Fasada e tyre në krah të tij në çadër, ishte një lëvizje makiaveliste për të eleminuar me fytyrat e tyre, emrat e njohur në PD.
Tani çfarë morali u kërkon këtyre kryetarëve apo indivdëve që ka futur në lista? I përdori, i gënjeu, i poshtëroi dhe tani u thotë: “Mos më shisni, siç u shita”. Së fundmi, ka dhe një keqkuptim të madh për rolin e atyre që po hyjnë në parlament. Ata nuk po hyjnë për të vazhduar rrugën e Lulzim Bashës. Lulzim Basha e ka marrë vendimin e tij politik bashkë me Kryemadhin dhe është e qartë se e duan ekipin e tyre jashtë Parlamentit. Kjo është kauza e tyre politike. Ata që hyjnë në Parlament, janë bilanci i besueshmërisë që Basha ka tek radhët e veta, dhe jo ndonjë akt tradhtie.
Fakti që opozitës po i plotësohet lista në Kuvend, me një ritëm që e dëshpëron atë, do të thotë se aksioni politik i Luzlim Bashës, nuk ngjalli besim tek vet opozita. Pas kësaj, është e qartë që ata nuk kanë më punë me Luzlim Bashën, por mund të ritakohen me një PD të re, pasi Lulzim Basha të marrë përgjegjësi për këtë masakër që po i bën asaj. Ndaj, nëse është dikush për t’u denigruar për këtë që ndodh, nuk janë ata, por Lulzim Basha. Ai provoi dhe me këtë akt, se nuk e besojnë as ata që kanë kaluar nga duart e kunatit të vet, dhe jo ta besojnë të tjerët në rrugë. Kur të zgjidhet kjo papërgjegjësi e Bashës ndaj PD, mund të flitet për përgjegjësitë e tjerëve ndaj saj.