Mbledhja e Byrosë, shtator ’82/ Shpërthimi Enverit: Ti Kadri thua le të flasë bota, por Beqiri ia futi në krevat Arif Haskos, i cili s’ishte ndarë akoma nga…

13 Mars 2022, 07:50| Përditesimi: 13 Mars 2022, 07:53

  • Share

Pjesa e tetë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”.

Mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.

Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982

Tepër sekret

MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982

SHOKU RAMIZ ALIA: Po sa muaj vazhdoi procesi? Për sa kohë përfundoi hetimi i Beqir Ballukut?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ku di unë, po nja 8 a 9 muaj, më duket.

SHOKU RAMIZ ALIA: Tani gjatë 9 muajve hetim të çështjes së Beqir Ballukut, nuk u interesove ti një çikë për këtë hetim?

SHOKU KADRI HAZBIU: Për kë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Për hetimin e Beqir Ballukut.

SHOKU KADRI HAZBIU: Vazhdimisht, vazhdimisht?

SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht këtu e kam fjalën, vazhdimisht e vazhdimisht. Ti e shikoje se deri ku po shkonte puna, që hetimi po kufizohej, për tezat e zeza a si quheshin ato, tezat e antitezat, nuk u interesove një çikë. Veprimtaria armiqësore e grupit të Beqir Ballukut ku konsiston tani?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, jo dale se nuk është ashtu. Veprimtaria armiqësore e këtij grupi konsistonte në këtë që, sipas procesit, pjesëmarrësit e këtij grupi kanë qenë të organizuar. Aty u tha edhe si mblidheshin e qysh mblidheshin e njëra tjetrën. Ja këto gjëra u zbuluan gjatë procesit.

Një ofertë marramendëse për modelin më të preferuar vjen vetëm për këtë javë !

SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë, ja i bënë ata antitezat dhe u vunë të komplotonin kundër udhëheqjes së Partisë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo vetëm kaq, po u pranua nga ana e tyre se ajo që bënë ishte puç dhe ata do ta përdornin këtë puç.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po këtë atyre u’a tha Komiteti Qendror, more Kadri.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, mo shoku Ramiz, që ua tha Komiteti Qendror, po është tjetër pastaj kur ata e deponojnë në proces këtë gjë me gojën e tyre.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Jo, thuaj këtu ndonjë gjë të re, çfarë doli në proçes?

SHOKU SIMON STEFANI: Veç asaj që u tha në Komitetin Qendror, hetuesia bëri ndonjë hetim, zbuloi ndonjë gjë të re dhe si e zbuloi këtë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Po çfarë tjetër mund të thuash ti, se kjo tani është e qartë që proçesi i puçistëve është orientuar nga Mehmet Shehu nëpërmjet Feçor Shehut. Tani puna është se çfarë përgjegjësie ke ti në këtë proçes, se Mehmet Shehu i orientoi shtrembër punimet e proçesit, kurse ti duhet të luftoje që ai të orientohej drejtë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po çfarë shtrembër, unë nuk di se çfarë është kjo shtrembër.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shtrembër me kuptimin që thashë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë këto orientime dhashë, që të bëjmë këtë, të pyesim për atë, të pyesim për këtë dhe hetuesit vinin më thoshin që për këtë Beqiri nuk dha përgjigje, për këtë tjetrën gjithashtu nuk dha përgjigje. Në disa raste kam vajtur e kam pyetur edhe vetë si Beqirin edhe tradhtarët e tjerë në prezencë të hetuesve dhe kam thënë që për këtë çështje të thellohen më tej hetimet. Ja, këtë kam bërë unë, nuk kam shkuar dot më tutje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Me leje, shoku Kadri! Ne pranojmë dhe ti vetë je dakord, se bashkë kemi biseduar që gjyqi i puçistëve është manipuluar nëpërmjet Feçor Shehut. Këtë e pohon edhe Fiqiret Shehu. Domethënë prapa teje është krijuar një linjë tjetër që vepronte. Po si vepronte kjo, tani del qartë. Armiqtë e arrestuar të kastës janë orientuar të mos thoshin më shumë nga ç’dinte Plenumi i Komitetit Qendror. Unë po lexoj procesin dhe shikoj që kjo linjë ka funksionuar. Pra, në qoftë se ti pretendon që e ke ndjekur mirë hetuesinë, kjo do të ta kishte vrarë një çikë veshin, ndonjë gjë duhet të kishe kuptuar. Në këtë kuptim them unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po si mos të ndiqje ti hetuesinë? Ja këtë punë po e ndjek edhe unë që këtej, bisedoj me Hekuranin se çfarë duhet të bëj dhe çfarë taktikash duhet të ndjekë me armiqtë që kemi futur kohët e fundit në burg.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, shoku Enver, kështu keni bërë edhe mua ju, e vërteta kështu është. Tani unë sa kam mundur…!

SHOKU ENVER HOXHA: Po unë, me aq sa kam ditur, kam folur, të tëra mendimet e mia janë të shkruara dhe gjithçka kemi thënë, i kemi para shtruar këtu, në Komitetin Qendror.

SHOKU KADRI HAZBIU: More po çfarë kishte unë kam raportuar disa herë sipas shkallës së rëndësisë deri ku ishte arritur, kam marrë ndihmë edhe nga shoku Enver, në shumë raste më ka ndihmuar edhe shoku Hysni, që të pyetet filan i burgosur për këtë, të pyetet për atë. Pastaj kam ardhur kam marrë materiale këtu, i kam sistemuar ato, u kam dhënë porosi hetuesve se si ta ndërtonin mënyrën e pyetjeve. Ja, unë kaq kam bërë. Po mund të isha i kënaqur unë nga puna që kam bërë? Ju them sinqerisht se nga hetuesia atëherë, ashtu si të tërë ju, as vetë nuk kisha mbetur i kënaqur, po ata na thoshin se kjo çështje kaq është, nuk ka gjë më tepër.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush ta tha këtë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë mendova që mund të mos kishte më tepër, se nuk më vente mendja kurrë të kishte mbetur ndonjë bisturinë, a ndonjë gjë tjetër kryesore. Nuk mendova kurrë se mund të kishte më shumë se sa arritëm. Tani, mund t’i kapja unë, shoku Enver, këto që mendoni ju? Nuk e them për tu shfajësuar, po që duhesh thelluar për ta zbuluar më tej çështjen, duhesh punuar, po unë kaq mund të arrija.

SHOKU ENVER HOXHA: Ke punuar ti në Sigurimin e Shtetit në kohën që zhvillonte punimet Konferenca e Partisë e rrethit të Tiranës?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po kam qenë.

SHOKU ENVER HOXHA: E ke pasë marr në pyetje ti Dhora Lekën?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë, Dhora Lekën?

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po Dhora Lekën dhe Mita Lekën? Mita Lekën, të shoqen e Tukut, Bedri Spahinë e të gjithë armiqtë që zbuluam në atë kohë, që ishin organizatorët e jashtëm të Konferencës së Tiranës, kurse Beqir Balluku ishte i brendshëm. Atje, në mos drejt për drejtë, po tërthorazi, duhet të ketë sinjalizime për Beqir Ballukun. Me këtë dua të them që sinjalizime duhet të kishit ju punonjësit me përgjegjësi të Ministrisë të Punëve të Brendshme, se puna e kësaj Ministrie është zinxhir, se edhe nga një majë gjilpëre, mundë të të dalë më vonë trari i madh.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë them një gjë, shoku Enver, mendimi im për atë kohë është se nuk kam pasë menduar për Beqir Ballukun të ishte një tradhtar, megjithëse në Konferencën e Tiranës nuk më pëlqeu qëndrimi i tijë. Megjithatë, që të ketë rënë në dorën time një material që të fliste se Beqir Balluku ishte komplotist me organizatorët e Konferencës së Tiranës, për këtë nuk kam asnjë dijeni.

SHOKU ENVER HOXHA: Po më the gjë mua ti që Beqir Balluku nuk ka qëndruar mirë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, po kështu e pata përshtypjen, m’u duk që ai mbajti atje një qëndrim pasiv, shoku Enver, kur shihet që ngriheshin flisnin në Konferencë elementët antiparti.

SHOKU ENVER HOXHA: Pikërisht se ishte pasiv ai, prandaj porsa erdha këtu nga Vlora, u kam bërë një kritikë që të tre anëtarëve të Byrosë Politike, Hysniut, Mehmetit dhe Beqirit dhe u thashë: Për ç’arsye ju të tre më ngrini nga Vlora mua? Nuk ish e mjaft që ishit ju, tre anëtarë të Byrosë Politike, në gjendje t’i demaskonit këta element armiq që dolën në Konferencën e Tiranës? Unë u thashë se tani që erdha, do t’i shkatërrojë ata dhe, në fakt, u a tregova edhe taktikën që do të ndiqja për këtë qëllim.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, unë e thashë këtë, shoku Enver, që mendimi im ishte se Beqir Balluku si i deleguari i Komitetit Qendror, nuk e luajti mirë rolin e tijë në Konferencën e Tiranës, që të ndërhynte si duhet, po ndonjë material që të më sinjalizonte më vonë se me qëndrimi që mbajti, ai i ndihmoi organizatorët e Konferencës së Tiranës, nuk më ka dalë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po nuk ka se si. Edhe në qoftë se ti nuk ishe vigjilent, shoku Kadri, pse të më binte deri mua në sy miqësia e ngushte e Llambi Peçinit me Beqir Ballukun? Këtë u a kam thënë edhe shokëve. Pse qëndrimet e Nesti Saraçit të më binin në sy mua, kurse ty mos të të binin këto? Beqir Balluku nuk kishte gjë atëherë, unë nuk i dija as maskarallëqet që bënte ai me këta njerëz, se për ato nuk pipëtinte njeri, megjithatë te këta njerëz unë kisha disa dyshime nga ana morale dhe nga ana ekonomike, duke ditur Beqir Ballukun të festave të ngushta, me ata që u puqej muhabeti. Këto mua më binin në sy, po ti pse nuk i shikoje këto gjëra?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk i kam shikuar ata me atë sy që i kini parë edhe ju shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ti duhesh t’i shikoje këto gjëra më shumë, se unë nuk dalë jashtë, pastaj nuk jam as drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit.

SHOKU KADRI HAZBIU: Një gjë mund të them unë për këto që thatë ju, që Llambi Peçinin, disa herë edhe shokët e tijë, unë i kam paralajmëruar, u kam hequr vërejtjen për vajtjet nëpër dreka e darka, me shoqërira të tilla si me Baki Kongolin, me njëri e më tjetrin, po deri te Beqir Balluku nuk kisha arritur. Kjo ishte një nga arsyet që mendova ta largonim nga organet e Sigurimit të udhëheqjes Llambi Peçinin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse ju do ta bënit përgjegjës të Sigurimit të udhëheqjes atë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Po sigurimin e udhëheqjes ishte ai në atë kohë, ishte drejtor i sektorit për udhëheqjen.

SHOKU ENVER HOXHA: Kur në çfarë viti ishte ky në këtë sektor?

SHOKU RAMIZ ALIA: Ishte deri në vitin 1975.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ai ishte drejtor i Drejtorisë së II-të të Sigurimit të udhëheqjes dhe pas largimit të tijë, u emërua Xhule Çiraku.

SHOKU ENVER HOXHA: Kur ishte Xhulia në këtë drejtori?

SHOKU RAMIZ ALIA: Pas plenumit ku u demaskua puna armiqësore në Ushtri, ose më mirë të themi në vitin 1975.

SHOKU ENVER HOXHA: Po Llambi Peçini ku vajti pastaj?

SHOKU RAMIZ ALIA: Prej këtej vajti në Vlorë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të këtij rrethi.

SHOKU ENVER HOXHA: Je i sigurt që vajti në Vlorë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, po, ashtu është shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë ai prej këtej vajti në Vlorë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Tani të flasim me sinqeritet. Me sa më kujtohet, se unë atëherë kam pasur mendimin që Llambin mos ta çonim në Vlorë, mbasi kish krijuar përshtypjen që ky është një njeri i darkave dhe i drekave, e shoqja e tijë më ishte ankuar për qëndrimet jo korrekte që mbante.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush ia futi për……P.J.,këtij njeriu?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e di këtë shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Kurse mua më kanë thënë se ju jeni marrë me këtë çështje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë, shoku Enver? Në jetën time me martesa dhe fejesa nuk jam marrë, kurrë.

SHOKU ENVER HOXHA: Mundet, se thonë shumë gjëra bota.

SHOKU KADRI HAZBIU: Bota le të thonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Le të thonë dhe ne nuk u besojmë, po P.J., më ka ardhur mua dhe më është qarë. E di ti tërë historinë e sajë? Vasko Gjinon ajo e ndajti, se bashkohej me një tjetër, ndërsa J. e kishte lënë. Në këtë kohë, Beqir Balluku i’a futi në krevat Arif Haskos, i cili s’ishte ndarë akoma nga gruaja që kishte. Prandaj e thërritëm dhe e kritikuam Arifin, i thamë: ç’bëhet kështu me ty? Dy….. mban ti, si në kohën e Turqisë? Dhe Arifi u shkëput prej……! Megjithatë, prapë ja futën Llambi Peqinit. Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?