Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim.
Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.
Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al.
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut.
PARTIA E PUNËS SË SHQIPTARISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë familjaritetin?
SHOKU PALI MISKA: Familjaritetin, po, shumë më të madh e keni pasur ju në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, kjo është tjetër punë, por edhe ndonjë familjaritet të veçantë nga shokët e tjerë, nuk kam pasur me ta.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po, ti e thua vetë në autokritikën tënde, mo Kadri.
SHOKU PALI MISKA: Jo jo, ke pasur familjaritet dhe shumë të veçantë bile.
SHOKU ENVER HOXHA: Shiko, të mos teorizojmë këtu. Çështja është se ju kishit formuar konceptin, se të kallzoje veprimtarinë armiqësore të një elementi kryesor, është trockizëm. Është kështu?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo plotësisht kështu, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po këtë ti e shpreh në autokritikën tënde, prandaj mos dil andej, autokritika kështu thotë. Ti e di që komandanti i Flotës Ushtarake është një personalitet, apo nuk është?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, personalitet është.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë, ke ardhur ti dhe ke vënë në dijeni Partinë për këtë njeri?
SHOKU KADRI HAZBIU: Si urdhëron.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, pse ke ardhur?
SHOKU KADRI HAZBIU: Se doli spiun.
SHOKU ENVER HOXHA: Po të tjerët, nuk kanë dalë spiunë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Për ne jo, nuk kemi menduar të kanë dalë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po Beqir Balluku, nuk doli spiun dhe organizator i Konferencës së Tiranës?
SHOKU KADRI HAZBIU: Për kohën që kam qenë unë në organet e Sigurimit të Shtetit, nuk ka dalë kështu.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, fjala është për kohën që ke qenë ti në krye të këtij dikasteri. Në proces-verbalin e hetuesisë për Hulusi Spahinë, pasi është arrestuar, thuhet: “Unë kam vajtur te Beqir Balluku dhe i kam shpjeguar organizimin e Konferencës së Tiranës, se kemi në bashkëpunim këtë dhe këtë person. Kjo është në proces-verbal, ti ishe ministër, nuk të bëri përshtypje kjo?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, unë edhe sot nuk di gjë për këtë.
SHOKU ENVER HOXHA: A, nuk e di këtë, po atëherë, ç’di ti? Në qoftë se nuk di gjë, ti atëherë i ke lënë armiqtë që të punonin si të donin në kokën e Partisë.
SHOKU PROKOP MURRA: Po ky shoku Enver, na tha se ka punuar me organet e hetuesisë, si del tashti që nuk di gjë për këtë punë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po avash, avash një çikë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mos na thuaj avash avash. Mirë ne e ulim zërin, po edhe ti do të na i shpjegosh këto çështje, avash avash.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë po ju them se nuk e kam ditur këtë që ka thënë Hulusi Spahiu!
SHOKU ENVER HOXHA: Po kush e di këtë, Si është e mundur që të mos dish këto që duhet t’i dije?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ku ta di unë se sa materiale kanë ardhur dhe m’i kanë prurë mua!
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mirëpo, ti duhet t’i kërkoje vetë këto gjëra, shoku Kadri.
SHOKU SIMON STEFANI: Në qoftë se ti nuk je marrë me këto probleme shumë të rëndësishme delikate, për të cilat të kishte vënë Partia atje, me çfarë je marrë atëherë? Si është e mundur që të mos i kishe parë këto gjëra?
SHOKU PROKOP MURRA: Me hajdutë të thjeshtë është marrë.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Më fal shoku Enver, do t’i kujtoj shokut Kadri një porosi që i keni dhënë ju pas zbulimit të veprimtarisë armiqësore të Beqir Ballukut. Ju i thoni: “U duhet organeve të diktaturës që të hetojnë me imtësi dhe thellësi punën armiqësore të këtyre banditëve, lidhjet e tyre të brendshme dhe të jashtme, format dhe metodat që kanë përdorur në këtë drejtim. Duhet absolutisht të vërtetohet gjerësia e komplotit se deri ku shkojnë fijet e organizimit brenda dhe jashtë ushtrisë, brenda dhe jashtë atdheut”. Si i keni marrë ju këto porosi kaq konkrete të shokut Enver?
SHOKU MANUSH MYFTIU: Këto ishin kokat dhe këto ishin fijet.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po ku është një proces-verbal i Hulusi Spahiut?
SHOKU ENVER HOXHA: Këto materiale, janë të depozituara.
SHOKU RAMIZ ALIA: Më falni t’ju them diçka lidhur me këtë çështje: Është gjetur një letër e Llari Post që i drejtohet Hasan Reçit. Në këtë letër, Hasan Reçi shkruan shprehimisht, që “të njihet me këtë letër “Mjekra” (Mehmet Shehu), i thoni atij, pse nuk na e ka shkruar raportin, të na bëjë raporte një çikë për punën”. Kjo letër është në dosjen e Hasan Reçit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e ke parë ti këtë?
SHOKU HEKURAN ISAI: Llari Posti, ishte agjent.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ishte agjent i amerikanëve dhe u lirua nga burgu nga viti 1949, a nuk e di.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kur është trajtuar, shoku Ramiz, çështja e Hasan Reçit?
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ç’të them unë për këtë, ju atje i kishit dosjet, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
SHOKU KADRI HAZBIU: Patjetër ne atje i kishim dosjet, po unë në atë kohë kam qenë në vend tjetër, s’kam qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
SHOKU PALI MISKA: Po mirë, dosjet duheshin hapur, të tëra lexoheshin.
SHOKU RITA MARKO: Ashtu është, ato duheshin hapur hera herës.
SHOKU SIMON STEFANI: Po, ajo sidomos duhesh parë, nga ty Kadri.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë që dosja e Hasan Reçit, ishte “te halla”, po e Hulusi Spahiut, ku ishte?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, unë e kam përgjegjësinë për këto?
SHOKU ENVER HOXHA: Për cilat e ke fjalën?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, ja o, për këto që thoni ju domethënë, pse ndodhën? Po të më vinte të më thoshte mua më vonë njeri mua në atë kohë, se kështu kështu është kjo çështje dhe unë të mos vija në Komitetin Qendror të thoshja…
SHOKU PALI MISKA: Po ja, atje te ju po zhvillohet veprimtari armiqësore.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë zëvendësministrat qe ke pasur ti, të kanë dalë me qëndrime antiparti dhe armiqësore dhe tani na thua se nuk di gjë?
SHOKU RITA MARKO: Po të lejohet ty që të mos i shikoje dosjet kryesore? Pastaj në autokritikë, ti thua që ditë e natë merreshe me hetuesinë, që Sigurimin e kishe parë me shqetësim. Si e paske parë atëherë me shqetësim Sigurimin, kur nuk i ke parë tërë këto gjëra, të tërë këta eksponentë? Kështu thua vetë ti, atëherë na thua, si i ke parë çështjet me shqetësim?
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ti na thua se “më ka shqetësuar puna e Sigurimit”. Atëherë pse nuk erdha t’ja thoje këtë shqetësim Komitetit Qendror?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, më ka shqetësuar, posi, po, po t’i kisha ditur këto çështje, është tjetër punë, po them se nuk i kam ditur.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, ti thua se po t’i kisha ditur, domethënë se nuk i ke ditur, kurse unë mendoj se i ke ditur dhe nuk ja ke thënë Partisë. Mund të jetë edhe kështu kjo çështje?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po të jetë kështu shoku Enver, po të jetë kështu, unë ju garantoj…!
SHOKU ENVER HOXHA: Po si na garanton?
SHOKU KADRI HAZBIU: Që nuk i kam fshehur asgjë Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ti garanton me fjalë, po faktet, ç’tregojnë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ato fakte që ekzistojnë, le të thonë, por logjika thotë kështu si them unë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë mo Kadri, kur kemi qenë në këtë tavolinë ditën e parë që të thirrëm dhe të kërkuam llogari për këto çështje në mbledhjen e Sekretariatit, kur doli problem se ç’ishin këto letra që kishte dërguar në Bashkimin Sovjetik, Llambi Peçini, në emrin tënd, ja këtu jemi të tërë ne që ishim atë ditë, ti na u përgjigje se të tilla dokumente atje janë dërguar, bile mund të jenë dërguar edhe të tjera, sepse i jepeshin shkollës, kurse në autokritikë, na thua që kjo qenkësh bërë në shpinën tënde dhe kundër teje. Tani, cilës t’i besojmë, pohimit tënd të parë, apo kësaj që na thua tani?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë them ashtu siç thashë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, tani nuk po na thua ashtu siç the atë ditë!
SHOKU KADRI HAZBIU: Ashtu siç thashë, po atë ditë u ndodha krejt në befasi kur më thirrët.
SHOKU PALI MISKA: Po si paske dashur ti, që tërë arkivin e shtetit të çojë në Bashkimin Sovjetik?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Po jo mo shoku Pali, të lutem tashti…
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Jo ore ti, po ti e dëgjove me vëmendjeje të madhe të tëra se ca u lexuan atë ditë, një për një, dhe është tamam ashtu siç tha shoku Ramiz. Këtë e kisha edhe unë në pyetje, po u ezaurua se the që ashtu janë, si tund gjë ato, bile ka edhe të tjera, pohove ti!
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë thashë dhe e them prapë shoku Adil, që kjo mund të ketë ndodhur, nuk e di ekzakt këtë çështje, po që mund të jenë dërguar të tilla dokumente, mund të jenë dërguar, pse këshilltarët sovjetik në Ministri, e kishin derën e hapur të merrnin çdo gjë.
SHOKU PALI MISKA: Jo, ore jo, si e kishin derën e hapur të merrnin çdo gjë?!
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse e kishin derën e hapur këshilltarët sovjetikë?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Po kështu ishte shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Në asnjë ministri nuk ishte kështu. Në kohën e Stalinit ne kemi thirrur këshilltar sovjetikë të ndryshëm. Kështu edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në fillim ata ishin vetëm te ju dhe bënin detyra të caktuara, 12 këshilltar ishin tërësisht në të gjitha aparatet e shtetit dhe në kohën e duhur, ata u larguan, kurse me të ardhur ti në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata u bënë rreth 50 veta, a nuk e di sa u bënë. Po përse?/Memorie.al