Gjatë takimit të ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore në Tiranë

Ekonomi

Mblidhen në Tiranë ministrat e Bujqësisë së Evropës Jug-Lindore, Shqipëria merr vitin e ardhshëm Presidencën e SWG, organizatës me fokus zhvillimin rural

17 Nëntor 2021, 10:29| Përditesimi: 17 Nëntor 2021, 10:33

  • Share

Teksa në vitin 2022 Shqipëria pritet të marrë Presidencën e SWG, platformë rajonale për zhvillimin rural, nën kujdesin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u mbajt në Tiranë, takimi i 15-të i ministrave të Bujqësisë së Evropës Jug-Lindore.

Ministrat e Bujqësisë nga vendet e EJL theksuan vullnetin e plotë për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, jo vetëm në hartimin e strategjive rajonale, por edhe në krijimin e mekanizmave të duhur administrativ dhe financiar, për të zhvilluar më tej hapësirën rurale.

Në këtë kontekst, ata u dakordësuan mbi rëndësinë e padiskutueshme që mbart politika e përbashkët bujqësore e Bashkimit Evropian (CAP), jo vetëm si një katalizator zhvillimi për vendet e BE-së, por edhe për Shqipërinë. Në fjalën hapëse, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, i njohu ministrat me objektivat e Shqipërisë për Presidencën gjatë 2022, duke theksuar prioritetet e kësaj të fundit si Agjenda e Gjelbër, bashkëpunimi Rajonal dhe Evropian, bashkëpunimi ndërkufitar, si dhe përfshirja e të rinjve dhe grave në sipërmarrje.

Gjithashtu, ministrja Krifca theksoi se fondet IPARD kanë ndihmuar në transformimin e bujqësisë shqiptare si promotor zhvillimi, formalizimi dhe standardizimi në përafrimin me BE. Më tej, diskutimi u ndal edhe tek aplikimi i teknologjisë, duke e vlerësuar si të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në të gjitha vendet.

Duke vlerësuar rezultatet pozitive të mandatit të Republikës së Serbisë në presidencën e kësaj asambleje, Krifca shprehu vullnetin e plotë të Shqipërisë për të konkretizuar më tej politikat në favor të rritjes së tregtisë rajonale dhe më gjerë.

SWG (Standing Working Group) është një platformë networku për vendet e Evropës Juglindore, me fokus për Zhvillimin Rural Rajonal. Gjithashtu, SËG, në bashkëpunim me institucione të tjera ndërkombëtare, asiston në analiza në zhvillimin e politikave bujqësore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?