Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve deri më 3 prill, Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkon që shteti të kompensojë me vlerë të plotë një nga prindërit në marrëdhënie pune që do të kujdeset për fëmijët deri në hapjen e institucioneve në një njoftim të dytë.
"Pas vendimit për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, duhet që shteti të paguajë apo kompensojë me vlerë të plotë një nga prindërit në marrëdhënie pune që duhet të kujdeset për fëmijët e vegjël gjatë kohës që çerdhet, kopshtet dhe shkollat qëndrojnë të mbyllura", shkruan Basha në twitter.
Më herët Basha reagoi duke thënë se nuk është koha për panik dhe se qytetarët duhet të ndjekin rregullat e ekspertëve mjekësor për të frenuar sa më shumë përhapjen. Gjithashtu Basha shprehu se grupi i ekspertëve të PD do të monitorojë hap pas hapi situatën si dhe do të jetë në shërbim të çdokujt.