Manchester City nuk njeh hap fals edhe pse këtë mesjavë luajti përballë Everton. Skuadra e Guardiolës ia ka dalë 1-3 në ‘Godison Park’, duke çuar diferencën me skuadrat ndjekëse në 10 pikë.
Fillimisht zhbllokoi rezultatin mesfushori tepër i talentuar Foden, ndërsa Richarlison riktheu baraspeshën e përkohshme brenda pjesës së parë. Në të dytën Riad Mahrez i dha sërish epërsinë Manchester City-t me një supergol nga jashtë zone. Në vijim pati kohë edhe për një gol spektakolar të realizuar nga Bruno Silva. Me këtë humbje skuadra e Ancelotti-t mbetet në vendin e shtatë, larg pritshmërive të fillim sezonit.
Sakaq ndeshja tjetër e mesjavës mes Burnley-t dhe Fulham është mbyllur me shifrat 1-1.
Ndërkohë në La Liga Atletico Madrid ka hedhur një hap të gabuar në ndeshjen e prapambetur me Levante-n. Skuadra e Simeone-s ka barazuar me rezultatin 1-1 edhe pse kaluan të parët në avantazh me Marcos Llorente. Me këtë rezultat Atletico kryesuese e kampionatit e çon në 6 pikë diferencën me Real Madrid-in ndjekës, por El Colchoneros kanë sërish një ndeshje më pak.