Foltores në fakt i ka humbur vula. Ndoshta e ka “djegur” ditën kur militantët e saj mësynë në seli me flakadanë, për të rikthyer ish-liderin në fronin e dikurshëm. Ajo që po ndodh prej afro 2 vitesh me Partinë Demokratike, nuk ka ndodhur gjëkundi me asnjë parti, këtu dhe në botën e qytetëruar. Një parti që u nda në 2 apo disa copash, dhe kush e kush, po rendet të zhvasë vulën.. Por cilën vulë?
Në fakt edhe Alibeaj edhe Berisha, kanë nga një vulë, me stemën, logon dhe gërmat blu të asaj partie. Por ku qëndron vërtetë sekreti i vulës reale ? Ndoshta Berisha kërkon vulën e vjetër, atë me gdhendjen e dikurshme, që nuk prekej nga askush më parë, veçse nga dora e tij. Por ngjarjet morën rrjedhën e paparashikuar nga vetë Doktori.
Ai nuk e kishte menduar kurrë që, njëfarë Alibeaj ti bënte karshillëk, ta zvarriste dyerve të gjykatave, ti bënte kundërshti atij, ish-liderit, të mos i dorëzonte as postin dhe as vulën. Por muajt ikin, dhe duket sikur partia e Berishës u mësua pa vulë. Shkresat dhe deklaratat firmosen dhe vulosen me një tjetër gjë. Dhe ajo natyrisht quhet “vula e PD”. Të zihesh, debatosh, akuzosh, dhe katranosesh në 2023 për vulën e partisë, kjo ndodh vetëm në Partinë Demokratike të Berishës. Argumente të tilla si “logoja, vula, selia, stema e partisë”, do ti dëgjosh vetëm kur shkel në godinën ku ka zyrën ish-lideri. Proceset gjyqësore në fakt nuk kanë mbaruar, dhe sipas parashikimeve, nuk kanë shanse të mbarojnë edhe për nja 5 vjet të tjera.
Ndaj Berisha mendoj se ka gati “kandidatin e ri” që do ti zërë vendin pasi të largohet. Por deri ditën e fundit, ai do të jetë kryetari asaj partie. Edhe sikur 10 vendime gjyqsore ti japin të drejtë Alibeajt, situata nuk ka shanse të ndryshojë. Ajo veçse do të agravohet.
Në një fshat të Elbasanit thonë një fjalë të vjetër “këmba e dhisë, mes tepsisë”. Eshtë fjala për njeriun këmbëngulës, që nuk i ndahet diçkaje, që nuk luan nga e tija, për ta çuar deri në fund misionin e nisur. Kjo shprehje vlen ndoshta edhe për vulën që kërkon Berisha.
“O vulën, o nuk ka bashkim, o vulën o nuk bëhet asgjë tjetër me ju”. Kështu thonë Noka, Berisha, Spaho, Vokshi, kështu thonë edhe kandidatët e “primareve” kur i pyet se “ju duhen edhe vota nga grupimi Alibeajt për 14 Majin”. Në fakt “vula e PD”, ka hyrë në fjalorët enciklopedikë, dhe ndoshta një ditë mund të jetë objekt studimi nga historianët e kohëve moderne. Por deri atëhere, do të kenë rrjedhur shumë “ujëra”, do të jenë zhvilluar dhjetra e qindra procese gjyqësore, do të jenë bërë dhjetra tentativa për të rimarrë selinë, do të ketë edhe shumë protesta e revolucione demokratike, por sërish “vula” do të ketë mbetur pa pronarin e saj.
Ajo që dihet, është fakti se vetëm selia dhe zyra e ish-liderit, kanë për të mbetur relike të paprekura, që do të ruhen me fanatizëm nga shokët e vjetër të “revolucionit demokratik”.