Kreu i PD-së Lulzim Basha

Opinion

Më në fund, Luli nisi të flasë

21 Tetor 2021, 12:41| Përditesimi: 21 Tetor 2021, 12:43

  • Share

Lulzim Basha, e ka thyer heshtjen, ka nisur të flasë. Ai e ka “prishur” qetësinë, dhe ka goditur drejt në shenjë, duke e quajtur “llumi i tranzicionit” periudhën, dhe vetë Sali Berishën. Ndoshta me vonesë, por Luli nisi të hedhë “bombat” e para ndaj ish-kryetarit të partisë.Situata në fakt dikton përgjigje të tilla, por edhe një nismë “revolucionare”, të cilën kryetari i Partisë Demokratike duhet ta marrë lidhur me sqarimin e bazës. Sali Berisha po punon fort, po mbush sallat e kinematë me demokratë, edhe pse dihet botërisht se, kurrë nuk do të ketë shansin të bëhet edhe njëherë kryeministër në Shqipëri.

Propozimi për të “nisur Vetting për politikanët” apo dhe propozime të tjera të bëra nga zoti Basha, duhet të kenë mbështetjen e grupit parlamentar, po ashtu edhe të shumicës drejtuese të asaj partie. Aktualisht Lulzim Basha, vëmëndje më të madhe po i kushton spastrimit të partisë nga elementët berishistë, një hap i nxituar që mund ta fundosë përfundimisht atë në zgjedhjet e ardhshme. Mungesa e “nuhatjes” dhe këshillat mizerabël të atyre që mban pas vehtes, e kanë përqëndruar Lulzim Bashën pa rrugëdalje në pikën më kulmore të betejës me Sali Berishën. Por gjithsesi, Luli nisi të flasë, dhe më tepër se nga kurajo e tij personale, ai po vepron i bindur se ka edhe mbështetjen amerikane. Në postimin e tij më të fundit Lulzim Basha e quan “klasën politike të ndryshkur, të zvetnuar, e cila ka dalë nga realiteti, ndaj ne refuzojmë të jemi pjesë e saj”.

Por Lulzimi harron më kryesoren. Ai është produkt i gatshëm, i asaj “klase politike të ndryshkur”, nga e cila bëri bujë, karrierë, para, dhe natyrisht duke u bërë “pis nga ndryshku” i saj. Bën mirë të flasësh zoti Basha, por nuk ka asnjë dobi, në rast se flet me etikë, epitete, apo dhe nënkuptime. Dili ballazi Sali Berishës, dili ballazi bazës së partisë, harroje fushatën e spastrimeve, dhe mos dëgjo këshilltarët idiotë që të kanë futur në rrugë pa krye. Sali Berisha do ti mbledhë firmat për Këshillin Kombëtar, ndoshta dhe do ta mbledhë atë. Kjo është sfida mes teje dhe atij. Ndiz “motorrët” Lul, dhe futu në betejë për të fituar, dhe jo për të kërkuar lëmoshë nga Sali Berisha.

Prej ditës së përjashtimit nga grupi parlamentar deri sot, opozitën e vërtetë në Shqipëri, duket se po e bën Sali Berisha. Dhe kjo nuk i ngre kredencialet Lulzim Bashës, edhe pse ai e ka të fjetur mëndjen se “Berisha është kartë e djegur”. Nga ana tjetër fushata që ka nisur ish-kryetari Partisë Demokratike qytet më qytet, (apo dhe skenat ku i puthin dorën dhe makinën si dikur) është një humbje e madhe për opozitën dhe imazhin e saj, e cila duket sikur ka rënë në kurthin e tij. Realisht, Partia Demokratike ka nevojë urgjente për rithemelimin e saj, nga ku duhet të dalë lidershipi i ri. Kjo mbetet imediate dhe e padiskutueshme. Por për të arritur deri atje, Lulzim Bashës, (për tu rikonfirmuar denjësisht) i duhet të fitojë “betejën e jetës”, që tashmë ka nisur mes tij dhe Sali Berishës. Nuk mund të mjaftohesh me një vendim përjashtimi, ndaj njeriut që ka 30 vjet që sfidon statutin e partisë, duke e shkelur dhe përdorur atë si paçavure për të larguar kundërshtarët politikë.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?