‘Me not drejt lirisë’, heronjtë antikomunistë kujtojnë 20 të rinj shkodranë që tentuan arratisjen nga liqeni i Shkodrës

12 Gusht 2023, 18:18| Përditesimi: 12 Gusht 2023, 21:37

  • Share

Me not drejt lirisë! Ky ishte slogani që bëri bashkë rreth 20 të rinj në Shkodër për të përkujtuar ata të cilët në fund të viteve 1980 tentuan të arratiseshin nga Shqipëria për shkak të regjimit komunist. Të rinjtë e asaj kohe sfiduan diktaturën me guxim dhe vendosmëri për t’u arratisur me not drejt ish-Jugosllavisë përmes liqenit të Shkodrës.

Pak prej tyre ia dolën, pjesa më e madhe humbi jetën, ndërsa pati edhe nga ata që u torturuan dhe u bënë shembull nga komunistët për terror në publik. Një prej tyre ishte edhe Arben Maliqi, i cili edhe sot është krenar për aktin që ndërmori.

“Ne nuk është se kemi marrë ndonjë vendim euforik pavarësisht se kemi qenë 17 vjeç. Kemi bërë rreth 2 vjet stërvitje me not, me veprim me arrit atë objektiv. Donim me pre liqenin dhe për të kaluar në tokë jugosllave në atë kohë. Shiko sikur të rikthehemi në kohë unë do ta bëja sërish atë veprim”, thotë Maliqi.

Ky aktivitet, "Swim to Freedom", ose ‘noto drejt lirisë’, u organizua nga shoqata ‘Shkodra Sport’ dhe me mbështetjen e bashkisë Shkodër.

“Për gjithsecilin për ne ka qenë ëndërr. Gjithsecili nga ne e ka menduar, sidomos brezi jonë. Po pavarësisht kësaj sot ishte kënaqësi se doli me sukses. Kishte dallgë dhe erë, por gjithçka shkoi mirë”, tha organizatori Klit Hoti.

“I japim mirënjohjen e duhur këtyre figurave që dhanë çdo gjë, duke flijuar edhe veten e tyre për të qenë lirë. Pikërisht për këtë që po jetojmë ne sot”, u shpreh Alban Hasani, përfaqësues i bashkisë Shkodër.

Në këtë aktivitet u dhanë edhe certifikata mirënjohje për Arben Maliqin dhe Ardian Mehmetin, dy të rinj e asaj kohe që tentuan arratisjen me not, në fund vitet 1980, si dhe për Shkëlzen Mesi, i humbur në det gjatë arratisjes.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?