Me fqinjët historia na ka lënë një varg çështjesh, që deri më sot nuk janë hedhur seriozisht në tavolinë për zgjidhje. Kemi bërë veçse zhurmë. Herë pas here zhurmojnë mediat vizive e ato të shtypit, por nismë për zgjidhje përfundimtare ska patur.
Ndërsa qershori plot lagështi po mbyllet, pritet të jepet pëlqimi mes delegacioneve greke e shqiptare për nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila, sipas gjasave, do i japi fund absurdit “gjendje lufte”, që rrjedh nga Ligji i Luftës. Është ky ligj i vitit 1940 që kulmon në marrëzitë mes dy vendeve. Ndjehet se ndërmarrja diplomatike e palëve jep shpresë për qendrueshmërinë e një paqe dhe besimi reciprok. Krahas palëve në bisedime, zërat kundërshtues për mënyrat dhe format se si do zgjidhet dalja nga llogoret, janë shtuar. Nuk bëhet fjalë për të qetësuar grindjet e pastruar turbullirat. Përkundrazi!
Artikuj në shtypin grek të këtyre ditëve e qendrime në rrugë, përcjellin qendrimin se Greqia po shitet, po tradhtohet. Aktin e marrëveshjes dhe paqebërjes me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë e paraqesin si tradhti që i bëhet Greqisë. Dikush thotë se, duke u dhënë të drejtën të përdorin emrin Maqedoni, në çfardo forme qoftë, u ke dhënë historinë dhe kulturën greke. Emërin e këtij fisi të lashtë, me të cilin në Mesjetë thirreshin edhe arbërit, grekët e njohin si pronësi të tyren etnike, pavarësisht se sa kjo i përgjigjet të vërtetës historike.
Europa ua ka hipotekuar pronën, së bashku me “Filipiken”, kur Demosteni u kujtonte athinasve se ishin në rrezik nga barbari Filip i Maqedonisë. Më tej, një tjetër kundërshtar i marrëveshjes shprehet se, “...të japësh emrin është si të japësh territorin”. Opozita paraqiti mocion mosbesimi dhe mijra të tjerë protestues bërtisnin, “Tradhtarë, tradhtarë”. Më tej, ata thonë se do ta refuzojnë marrëveshjen, kur të vijë për votim në parlament. Të gjitha këto zhvillime ndërkohë që përfaqesuesit më të lartë të BE-së e quajtën marrëveshjen historike. Ndërkohë, opozita Maqedone ka marrë përsipër anullimin e kësaj marrëveshjeje sapo të marrë pushtetin, nënshkruesit i cilësuan tradhtarë dhe vetë Presidenti i mohoi ligjërimin.
Të njëjtat reagime pasuan në Greqi pasi kryeministri Tsipras bëri publike se pushimet do fillojnë pasi të nënshkruhet marrëveshja me Shqipërinë. Vërshuan akuzat se qeveria greke po i fal Shqipërisë vendburime nafte të vlerës 300 miliard Euro, se greqia po humbet territore që i ka fituar me luftë e pasuan thirrjet: “...mbahuni djema se po flasim për luftë”, etj. Opozita në Shqipëri akuzon qeverinë se po shet Shqipërinë dhe ndaj tradhtarve do ketë luftë. Pas kësaj kakofonie qendrimesh, gjithkush ka të drejtë të shprehet se këtu (në Ballkan) “Nuk njeh qeni të zonë”.
Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të bësh marrveshje thelbësore, që prekin plagë të reja e të vjetra. Paqebërsit kurdoherë janë ndodhur nën kërcënim. Hartat, studimet, drafte, argumentet, negociatat, kundër argumentet dhe një mal me letra, nuk janë të mjafta për t’u hequr cilësimin “Tradhtarë”. Nervozizmi i ekstremit nacionalist, ksenofob, shovenist, që është i pranishëm gjithnjë pas shpinës së tyre, rri gati të të akuzojë. Margaret Makmillan na sjell të “gjallë”, në veprën “Paris 1919-Gjashtë muaj që ndryshuan botën”, më tipiken e një traktati paqeje. Pavarësisht se Gjermania e humbi luftën dhe u dorëzua, na ndërmend se komisioneri i armëpushimit gjerman, Matias Erzberger dhe mbrojtësi kryesor i firmosjes së Traktatit të Paqes u kërcënua me vrasje; Brockdorff-Raantzau dhe dorëheqjen si kreu i delegacionit gjerman në Paris dhe megjithse Asambleja Kombëtare e Gjermanisë e votoi, firmëtarët më 28 qershor 1919, dy ministrat, Herman Myler dhe Johan Bell u zhdukën nga ambientet politike ndërsa Erzberg u vra në 1921 si “Tradhtar”. Dhe të gjitha këto ndodhën kur mbi Gjermaninë rëndonte neni i fajit të luftës. E përmend këtë rast si tipik, por të tillë raste historia njeh me dhjetra.
Ka gjithmonë një herë të parë. Do vinte një ditë që do shtrohej para palës greke heqja e ligjit të luftës. Nuk kemi të bëjmë me ambicje personale, por me mirëkuptim, që në këtë rast është dypalësh. Ka patur dy momente që ligji absurd do duhej të hidhej për zgjidhje përfundimtare: në kohën kur u vendosën marrëdhënjet diplomatike, viti 1971; dhe në kohën kur u nënshkrua traktati i miqësisë, viti 1996 e që u ratifikua në vitin 1998. Për çudinë e të gjithëve, në të dy rastet vrehet pakujdesia, me paqartësi tipike për një dilpomaci amatorësh. Edhe në gjendje lufte-edhe me traktat miqësie, hajde merre vesh! Traktati i aleancës Atlantike na detyron të vihemi reciprokisht në mbrojtje të njëra-tjetrës, nëse kërcënohemi nga një rrezik!!! Paradoks të tillë të çuditshëm nuk besoj se ka përjetuar tjetër historia e juriprudencës.
Tani që kjo ditë erdhi, shohim se kush mund kërkon t’i shesë publikut mallin e tij. Qendrimet mbahen si nacionaliste. Mes tyre ka sinqeritet, siç ka në të vërtetë edhe adhurime të verbëra politike, që mënjanojnë çdo frymë shikimi e hetimi të ndershëm. Me shumë zhurmë dhe publicitet mediatik, me përbuzjen më të madhe për mësimet e historisë e që i drejtohen shikuesit e lexuesit në mënyrën që ata të mos mësojnë gjë tjetër për bisedimet veçse të keqes, i fusin ata në një atmosferë fantastike intrigash. Mbi gjithçka, i rrethojnë bisedimet me mister konspirativ, sikur janë shitur interesat e vëndit, të komunitetit çam dhe se është shitur... deti. Pra, janë bërë lëshime poshtëruese për kombin.
Ajo që kupton nga sulmet, është thirrja: të qëndrojmë në llogoret e luftës me fqinjët! Vendosur mes dhëmbëve të një dare serbo-greke, kjo thirrje, e atyre që duan të bëjnë budallain e fortë, tingëllon si një mburracakëri, sa kohë të gjithë e dimë, përfshi dhe komunitetin e ish banorëve të Çamërisë, se gjërat që lidhen me tokat që ke humbur nuk ke mundësi t’i rikthesh në gjendjen e para 100 vjetëve. Madje, çamërit janë më qartë në këtë çështje, duan të marrin të drejtat e pronave dhe mbase dhe ato të shtetësisë. Në ka gjë që ua jep këtë mundësi është heqja e ligjit të luftës.
Të gjithë ata që atdhedashurinë e përdorin si një mburojë për të fshehur shpirtligësinë dhe qëllimet korente politike, ata që shtiren si mbrojtësit e atdheut, në mënyrë naive kujtojnë se u mjafton të thonë fjalën “tradhtar”, që të denoncojnë tradhtarët mbi dyshimet e fryra apo të sajuara. Të vërteta e gënjeshtra mpleksen keqazi, pa përfillur përmbajtjen se negociatat nuk janë një mjet për të qetësuar opinionin publik, por, për herë të parë, ngulmohet nga të dy palët të dalin nga llogoret e “luftës” imagjinare, që ka kalcifikuar e mumifikuar qendrime që vetëm dëmtojnë fqinjësisnë. Ka forca e grupime në Greqi që nuk do të duan kurrë që ai ligj të hiqet, siç ka në Shqipëri individë e forca politike me mendësi foshnjërake ndaj çështjeve në shqyrtim.
Sot, palët në negocimin për nënshkrimin e një marrëveshjeje, e dinë se ajo do ndihmojë së tepërmi qetësimin e grindjeve që ngrenë kokë herë pas here. Kundërshtarët politikë, si në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, me shijen e intrigës diplomatike flasin kundra projekt-marrveshjes, për të vënë qeveritë në pozitë faji para opinionit publik. T’u thuash se është momenti për t’i parë gjërat me gjak të ftohtë, është edhe kjo baraz me tradhti; t’u kërkosh të të japin versionin e tyre për formën e përmbajtjen e marrëveshjes për heqjen e ligjit të luftës, del se s’kanë gjë në xhep.
Ngjarja që presim në 28 qershor, me dashje apo dashje zbulon dhe konglomeratin e klasave dhe individëve të papjekur politikisht në qendrime e analiza që do i shërbenin paqtimit më tej të marrdhënjeve mes popujve të Ballkanit. Gjen mes tyre dhe intelektualë të pavendosur, që as mbështesin dhe as kundërshtojnë zhvillimet e reja.
Sinqerisht, shpresoj se marrëveshja mes palëve do kryhet pa probleme dhe miratimi i saj do ketë nga pas shumicën popullore! Si në Maqedoni, edhe në Shqipëri, po të jetë e domosdoshme, le të kalojë me referndum popullor.