Në ç’periudhë historike kombi ynë ka qenë i ngritur dhe rrinte në këmbë denjësisht? Rilindasit tanë, ata që u përpoqën deri me jetët e tyre të sillnin Shqipërinë e kombin si vlerë, shihnin të tillë epokën e Skënderbeut. Dhe kanë patur të drejtë! Është mbase e vetmja periudhë, rezistenca ndaj agresionit osman, që Europa na ka parë si faktor, por ajo qendron si kohë ende jo shumë e njohur, aq sa për shumëkënd prej bashkëkohësve të mi tingëllon e largët.
Më pas Shqipëria e robëruar dhe e ndodhur nën peshën shtypëse të një feudalizmi thellësisht të prapambetur, u end pa identitet, e mospërfillur. Kombi dhe trojet u coptuan, u fitua pavarësia, që pasoi me dy luftra dhe...erdhi komunizmi! Ka patur të tillë në Europë, ngase njinin vetëm “Këndin e Emulacionit Socialist”, që nuk ngurronin të lëvdonin periudhën që quhej “e socializmit”, për thërmimin e së cilës do mjaftone edhe një “anije e ëmbël” emigrantësh që ankoronte në brigjet perëndimore.
Demokracia, e vendosur si sistem, ndërsa i la njerëzit të preknin lirinë, ja bëri të mundur shpejt të krijojë diferencime të tilla klasore e hendeqe të pakalueshme të pasurish e të varfërish, para të cilave simboli i korruptimit të shtetit, ish “blloku i udhëheqjes”, s’është përpos se një lojë fëmijësh. Ç’mund të bëjë një skajshmërisht i varfër me lirinë, përse i duhet ajo? Mbase, të rrisi krimin! Shqipëria që kemi sot, me karikaturën demokratike dhe pasigurinë sociale, me grabitjen që ju bë pasurisë publike, me partizimin e administratës shtetërore, është edhe produkt i organeve të drejtësisë, ndihmesa e të cilëve ka rendur në krye të shëmbëlltyrës së keqe. Por, shpresa vdes e fundit!
Ndërsa lexoja ato çka Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, znj. Natasha Mulaj, u kish thënë kolegëve dhe përfaqesuesëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e duke parë vendimet e deri tanishme të organit të pashembullt që pastron sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit, shoh se vjen natyrshëm e piqet një ndërgjegje komunitare më kërkuese, një ndjeshmëri e grupit e panjohur më parë. Po shihet një vullnet për të na ngritur nga nëpërkëmbja, që “drejtësia” i bëri kombit. Ripërtëritja e ngrehinës juridike, nëse do vazhdohet me këto ritme, të pandikuar nga ndërhyrjet e politikës apo kujtdo qoftë, është e sigurtë se do rrisë besimin, do përmirësojë ndjeshëm realitetin, do paksojë urrejtjen dhe do përmirësojë harmoninë e shoqërisë shqiptare, që për fat të keq, sot, jo vetëm nuk është e pranishme, por ndodhet në caqet më të ulta.
Është koha kur shqiptarët e lidhur pas këtij vendi, me dëshirën për ta parë atë të kthyer në normalitet e jetë dinjitare, duhet të shtrëngojnë hapësirat mes “supeve”, për të mos lejuar, siç dëshirojnë, kthimin në pikën zero të reformës në drejtësi. Orvatjet nuk po rreshtin, nga dita në ditë e nga muaji në muaj. E gjithë kjo zallamahi e madhe që ngrihet nga kundërshtarët kundër pushtetit administrativ, duke mobilizuar çdo “babale” që endet mes nesh, ka në thelb veçse pushtetin gjyqësor, deri më tani peng i politikës. Ende ata shpresojnë se ka kohë që të zhbëjnë reformën, që tashmë ka marrë formën ligjore kushtetuese. Shumëkush prej kundërshtarve mund edhe ta kish menduar se ndodheshin para një operacioni të thellë “kirurgjikal”, do hiqeshin pjesë tumorale, do pastrohej trupi i drobitur i kësaj nëne të shumëvuajtur, Shqipërisë, por shumica nuk e kish menduar edhe pse “kolegjalisht” organizimet e tyre ankimuan reformën ligjore. S’jua merrte dot mëndja se legjislativi ynë do ngrinte formacione të tilla kolegjale me pushtet të tillë, që do tromakste tërë shpurën e vjetër. Natyrisht, atë të korruptuarën. Heqje e të korruptuarve nga sistemi kupton njëherësh edhe heqjen e mbështetjes për ata që kanë bërë krime penale dhe kanë mbetur të pa ndëshkuar.
Veting-u, si strukturë e paparë kund më parë, si një përvojë e sapo nisur, si pastrim fizik e moral, (që besoj se do hyjë shpejt në tekstet e juriprudencës botërore) ishte një gjetje që do lejojë nesër gjyqtarin e prokurorin ta shohim si përfaqesues të bashkësisë, të trupit qytetar. Këtu ishte qelbur gjithçka dhe as që mendohej se do vinte ndryshimi përmes masave të pjesëshme. Ata që e ideuan platformën “operacionale”, të huaj apo shqiptarë qofshin, u qofshim falë! Kishin menduar fillimisht “ta liberalizonin” paksa procesin, duke u kërkuar gjithë pjesëtarëve të sistemit të drejtësisë, që do kalonin në hetim të thelluar, të dorëhiqeshin vullnetarisht nga detyra, çka presupozonte se nga ky moment ata liroheshin nga hetimi. Kush e bëri këtë zgjedhje, thjesht u tregua i/e zgjuar. Mëkatarë apo të ndershëm, le të rrinë të qetë si qytetarë, si çdokush mes nesh. Të tjerët, ata që nuk besuan dhe vazhdonin të ndiqnin të përgjëruar këshillat e premtimet e Bashës, Berishës, Bylykbashit e Spahos, ndonëse e dinin mirë se me ç’ndotje ishin pëgërë në shpërdorim të detyrës, pranuan t’u hetohen ato dosje apo ato pasuri në zotërim, të dukshme e të raportuara në kërkesë të ligjit. Zgjodhën vetë të shporren, por tashmë duke kaluar përmes portave të ferrit.
Mënyra më e mirë që populli të mund të ndihmojë në pastrimin e qelbit është mbrojtja e kuadrit ligjor të vetingut, e strukturës në tërësi. Te anëtarët e Vetingut tani shihet mëshirimi i vendit, i drejtësisë. Të mëshirosh një vend, një atdhe është krenari është e denjë për ato vende të denja që ju janë besuar. Është kjo trupë, që ska lidhje me pasojat shoqërore të të hetuarve dhe të larguarve, por si sjellje vendimmarrëse ka lidhje me dinjitetin kombëtar. E larguan vendin gjithnjë e më shumë nga ajo që deshëm në lëvizjen demokratike. Të dënuar të mos lëviznim, të mos shikonim botën, të mos shijonim stinët, të mos deheshim me aromën e jetës, braktisëm të bindur, pothuajse të gjithë, sistemin që na ndrydhi dhe, për të keqen tonë e zëvendësuam atë me një diktaturë tjetër terrori, me korrupsionin. E shkuara, për fat të keq, është ende në mesin tonë.
Mëshirimi i atdheut në të vërtetë, duhej të ishte punonjësi i organeve të drejtësisë. Këtë privilegj e vlerë morale, shumë prej tyre, me vetëdashje e zëvendësuan me vlerën materiale, me pasurinë. “Pasuria, nginjia, nuk kanë kufinj-thoshte Soloni-...ata që sot kanë më shumë lakmojnë dyfishin”. Pasuria të zbulon cenet, të deformon vullnetin, nuk shihet si mjet jetese dhe arrin formën e marrëzisë kur nxjerr nga duart e gjyqtarit, simboli i shtetit, padrejtësinë. Drejtësia u fut në marrdhenjet shoqërore falë një shndërrimi moral të elitës: në vend që të kërkojë pasuri, më i miri (gjyqtari, prokurori) kërkon shtetin, drejtësinë. Besimi i popullit te drejtësia ishte rrënuar me kohë, pas viteve të para të demokracisë. Ligjet u panë si pezhishka merimangash, të dobtit e të vegjlit ngecën në to, kurse të pasurit e të fuqishmit i bëjnë ato copa-copa. Pak a shumë kjo është Shqipëria sot dhe në një shtet që nuk qeveriset mirë dallimet mes të pasurve e të varfërve do jenë të dukshme e të thella.
Nuk mund të ketë një shtet të denjë e të pavarur kombëtar, pa një drejtësi të pastër e të pavarur. Kjo kërkon që puna e nisur të thellohet deri në pastrimin total. Edhe më e re, më e fuqishme do ringrihet sistemi i drejtësisë. Ajo pak liri që i lipset njeriut e që na dhanë ndryshimet demokratike në fillim të viteve ’90, duhet garantuar nga një sovran, që për mua do jenë, tani e ngaherë, organet e vetingut. Ndaj i kemi sytë mbi ju.
Faleminderit, Bajrami!
Z. Bajram, te pergezoj per artikullin. Me pelqeu. Nuk jam dakort ama me rreshtin ku thua qe: vetingu si strukture e pa pare ndonjeher askund. Duket qe nuk ke jetuar ne perendim.Vetingu ne perendim behet gati ne cdo vend pune kur aplikon per ate vend pune. Psh: mesues, polic,zjarfikes, edukatore,doktor, infermjere, nenpunes, gjykates,prokuror,deputet, minister,etj,etj,etj.....Eshte nje proces shume i thjesht qe behet online ne me te shumten e rasteve dhe ndonjeher te kerkohet ta ripertrish cdo vit, varet nga vendi i punes. Por nuk te ve faj se ketu nuk eshte bere kontroll per asgje keshtu qe njerzve u duket habi e madhe vetingu.
PërgjigjuPrsh z. Meço, Ju falënderoj për vrejtjen! Fjalën e kam jo se nuk njihet e nuk bëhet veting jashtë, në vendet e tjera, por kjo nuk di të kryhet përmes strukturave kushtetuese të pavarura, siç u ngritën e funksionojnë enkas tek ne.