Me sytë nga dera për të negociuar të huajt?!

28 Mars 2019, 20:05| Përditesimi: 28 Mars 2019, 20:07

  • Share

Është thënë vazhdimisht dhe tashmë mbetet e konfirmuar nga vëzhgimet e politologëve vendas se gjendja dhe sjellja politike shqiptare është disi parapolitike. Djegia e mandateve dhe përpjekja për t’u faktorizuar e Opozitës, në kushtet e një përballje pa rrugëdalje me Maxhorancën, më shumë sesa risi negative e tregoi amullinë tonë dhe vështirësinë në arsyetimin normal politik. Veçse një politikë e bërë pa rregulla loje do të çonte drejt kësaj udhe. Ndoshta, në vend të PD-së dhe LSI-së, mund të ishte edhe vetë PS-ja. Po a mund të ketë një rrugëdalje?! Duket sesa më shumë afron 30 Qershori aq më shumë zvogëlohen mundësitë për të bërë eksperimente paqtimi, ndërsa të gjitha palët i kanë drejtuar sytë nga të huajt.

Përveç kësaj, Maxhoranca ka ulur tonet dhe madje mundohet të japë kudo tone paqtimi dhe bashkëpunimi, që në të vërtetë është i pamundur, teksa zëra në Opozitë kanë filluar ta arsyetojnë “gabimin”, kuptohet sipas mënyrës së tyre. Ish-ministri i Bujqësisë, Panariti, përfaqësues i LSI-së foli në një mënyrë me shumë ekuivokë për djegien e mandateve dhe rrugën sesi mund të arrihet kompromisi, ndërsa deputetët e PD-së e mbyllën gojën një ditë më parë, kur përfaqësuesi i lartë i Delegacionit Evropian i bëri bashkë me deputetët plangprishës. Të gjithë situatën e turbulloi, por në një farë mënyre edhe e përshpejtoi Ilir Meta, presidenti i vendit, teksa me një deklaratë të çuditshme hoqi paralele absurde për flijime dhe realitete junte nga koha e Aljendes në Kili.

Në këto kushte duket se të gjitha palët i janë dorëzuar procesit të ndërmjetësimit të të huajve. Maxhoranca e bën duke dashur të luajë me kartat ekzistuese, betejën normale në parlament dhe paqtimin për lëshime në Kodin Zgjedhor. Vetë Opozita duket se është duke harxhuar fishekët e fundit. Që nga protesta e të enjtes, PD-ja dhe Aleatët, në përgatitjes e protestës tjetër të madhe në Prill, që me shumë gjasa do të jetë e fundit para zgjidhjes, u duhet të bëjnë kalkulime shumë të kujdesshme, që të mos përfundojnë në një marrëveshje post-Çadra2.

Të huajt janë duke testuar dhe dashur që aktorët të lodhen dhe fillimin e paqtimit ta bëjnë me vetë veten e tyre, këtë e shikon nga kujdesi i deklaratave të diplomatëve të huaj në vend. Për fat të keq, vetë partitë e opozitës duket se po humbin fillin e përbashkët të kundërshtimit sepse tashmë zgjidhja, sido që të jetë, do të favorizojë thjesht të mëdhenjtë. Bën disi përjashtim LSI-ja, që ka nga radhët e veta dhe presidentin, parti e cila nuk mund ta harrojë kurrë këtë fakt sesi ka përfunduar në vitet e fundit falë llogaritjeve pa sens të liderave të saj. Në rast marrëveshje, PD-ja do të marrë më të madhen pjesë të marrëveshjes pas sakrificës gati sublime që ka bërë me djegien e mandateve. Kjo e bën rolin e presidentit Meta disi të pamundur sa i përket  marrëveshjes, kurse delegimi i pajtimit do të mbetet pa asnjë dyshim tek të huajt, ata që në fund ulin në tryezë politikanët shqiptarë për t’i kthyer nga fillimi i paradokseve të tyre me ndonjë eksperiment të ri. Tek e fundit, të gjithë duket se po presin me sytë nga dera të huajt.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?